Rreziqet për keqtrajtime mbeten "të
konsiderueshme" për persona që mbahen në komisariatet e policisë në
Greqi, mësohet nga një raport i publikuar sot nga Këshilli i Evropës në
Strasburg.
Raporti, që bëhet pas një
vizite të Komitetit për Parandalimin e Torturës (CPT) në shtator në
Greqi, theksoi gjithashtu se kushtet e burgosjes së shumicës së
imigrantëve të paligjshëm "mbeten të papranueshme".
Përmirësimet
modeste të konstatuara "mbeten gjerësisht rrjedhojë e
iniciativave personale", më tepër se sa e një politike të
përgjithshme", shpreh keqardhjen CPT-ja.
Disa të burgosur janë ankuar për sulme fizike nga efektivat e policisë.
Kontakti
me një avokat ose një mjek nuk është i organizuar në mënyrë të
kënaqshme, vazhdon CPT-ja që kërkon disa hetime të shpejta në rast
kallëzimesh për keqtrajtime.
Kushtet
e burgosjes së imigrantëve të paligjshëm vazhdojnë të jenë të këqija në
krahasim me vizitën e kryer në vitin 2007 dhe nuk mund të justifikohen
me "valën aktuale të imigracionit të parregullt drejt Greqisë", bëjnë
të ditur ekspertët e pavarur të komitetit. Disa persona kanë përmendur
edhe rrahje, goditje dhe fyerje.
Misioni konstatoi
se në burgun Feres, 95 persona mbaheshin në dy qeli prej 49 metrash
katrorë secila. Katër imigrantë kinezë ndodheshin në një qeli me 40
burra.
Shumë qeli nuk kanë dritë
natyrore dhe u mungojnë kushtet higjenike dhe të ajrimit si në Xanthi
(posta e policisë kufitare), ku flihet me radhë në dyshekë ose batanije
të vendosura në tokë.
Autoritetet
greke i kanë kundërshtuar pjesërisht konkluzionet e raportit, duke u
shprehur se "rastet e njohura për sjellje të papërshtatshme janë
ndëshkuar rëndë".
CPT-ja ka të drejtë
të vizitojë të gjitha burgjet, komisariatet e policisë, spitalet
psikiatrke, në 47 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës për të
parandaluar torturën ose keqtrajtimet çnjerëzore ose ofenduese.
ShtypiDites