Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve
vazhdon numërimi i votave të Komisionit të Zonës së Administrimit
Zgjedhor (KZAZ) nr. 39, që përfshin Laçin, në Qarkun e Lezhës, pas
vendimit të komisionit të kësaj zone për sjelljen e kutive të votimit
të 6 Qendrave të Votimit (QV) në këtë komision dhe numërimin e votave
aty. Ky vendim erdhi si rezultat i kontestimit për vlefshmërinë e
rezultatit të deklaruar nga komisionerët lokalë të KZAZ-së nr. 39, .
Ndërkohë, vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të publikojë një
numër parregullsish në rezultatet e veta zyrtare paraprake, një pasqyrë
jo e plotë e të cilave është si më poshtë:
- në Qarkun e
Durrësit, në QV 1430/1 të KZAZ nr. 8, 168 vota të Partisë Demokratike i
janë regjistruar si rezultat elektoral Partisë Demokracia e Re
Evropiane;
- në Qarkun e Elbasanit, në QV 2303 të KZAZ nr.
12, 237 vota të Partisë Demokratike i janë regjistruar si rezultat
elektoral Partisë Demokracia e Re Evropiane;
- në Qarkun e
Kukësit, në QV 0502 të KZAZ nr. 36, 75 vota të Partisë Demokratike i
janë regjistruar si rezultat elektoral Partisë Demokracia e Re
Evropiane;
- në Qarkun e Lezhës, QV 0847 të KZAZ nr. 39, 250
vota të Partisë Demokratike i janë regjistruar si rezultat elektoral
Partisë Demokracia e Re Evropiane;
- në Qarkun e Lezhës, QV
0707 të KZAZ nr. 37, 150 vota të Partisë Demokratike i janë regjistruar
si rezultat elektoral Partisë së të Drejtave të Mohuara e Re, ndërkohë
që rezultati elektoral prej 2 votash i Partisë Demokracia e Re
Evropiane i është regjistruar si rezultat elektoral Partisë Demokratike;
- në Qarkun e Shkodrës, në QV 0280 të KZAZ nr. 40, 183 vota të Partisë
Demokratike i janë regjistruar si rezultat elektoral Partisë Demokracia
e Re Evropiane.
Kjo është një pjesë e rezultateve të
gabuara, të publikuara paraprakisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve,
ndërkohë që vijon puna për llogaritjen e votave të 6 Qendrave të
Votimit të Qarkut të Lezhës në këtë institucion.
/s.s./
Ergys Petriti