THE DAILY TELEGRAPH shkruan se ministria e Jashtme britanike është e përgatitur të lëshojë një paralajmërim për të gjithë udhëtarët, për shkak të shqetësimeve se Al Kaeda planifikon të sulmojë vendpushime shumë te frekuentuara nga perëndimorët në Indi, gjatë vitit të ri.
Lajmi erdhi në kohën që zyrtarët indianë thanë se po hetonin për lidhje mes Al- Kaedës dhe sulmeve të javës së kaluar në Bombej.
Policia beson se një terrorist i njohur i Al Kaedës, që thuhet se ka organizuar sulmet me bomba në Bali në 2002 ku u vranë 202 vetë, mund të ketë qënë i përfshirë në masakrën e fundit.
THE DAILY TELEGRAPH shkruan se përfshirja potenciale e Al Kaedës në sulmet e kryera në vende të rëndësishme të qytetit ka rritur shqetësimet se India mund të shohë sulme të tjera ndaj perëndimorëve.
Zyrtarët besojnë se ky person i ka hartuar planet për të sulmuar Bombejin, vitin e kaluar kur e vizitoi qytetin bashkë me një person tjetër.
Një informator që vdiq në rrethana misterioze gjatë një aksidenti me makinë, kishte treguar për hollësi lidhur me kërkesat e bëra nga këta dy burra për pjesën e pambrojtur të detit.
Sipas gazetës, ata planifikonin fillimisht të sulmonin konsullatën amerikane.
Po në faqen ndërkombëtare e përditshmja britanike THE DAILY TELEGRAPH shkruan se i mbijetuari i vetëm i autorëve të sulmeve në Bombej, do të injektohet me "një serum që tregon të vërtetën" për të përcaktuar se nga vjen ai.
Policia shpreson të gjejë nëse Azam Amir Kasab është apo jo prej Pakistanit.
Ky injeksion që quhet, Narkoanalizis është një praktikë e ndaluar në shumë shoqëri demokratike u përdor gjatë Luftës së Ftohtë, përpara se të zbulohej se kjo substancë shkaktonte haluçinacione dhe manifestime psiqike.
Edhe e përditshmja THE TIMES shkruan për përplasjen mes Indisë dhe Pakistanit lidhur me identitetin e 24-vjeçarit të armatosur "me sy vrasësi".
Hetuesit e policisë i kanë thënë gazetës se Kasab është nga fshati Faridkot në provincën Punxhab të Pakistanit.
Një zyrtar i policisë tha se ishin bërë të gjitha verifikimet për këtë.
Zyrtari tha për TIMES se djali 24-vjeçar vinte nga një familje e varfër dhe nuk e kishte mbaruar shkollën fillore. Më pas ai kishte kryer një stërvitje 18 mujore në kampe ushtarake në Pakistan.
Policia indiane thotë se Amir Kasab dhe 9 personat e tjerë që kryen sulmet e Bombejit, ishin zgjedhur në mesin e një grupi prej 24 vetësh, që kishte kaluar një stërvitje intensive të mbikëqyrur nga një ish oficer ushtrie.
E përditshmja THE TIMES, e cila mbulon gjerësisht fjalimin e mbretëreshës në parlament, ndalet edhe tek politikat e emigracionit.
Fjalimi i Mbretëreshës që është programi i qeverisë britanike për vitin e ardhshëm, theksoi se ata emigrantë që nuk arrijnë të integrohen në shoqëri do të presin gjatë për t'u bërë shtetas britanikë.
Emigrantët duhet ta fitojnë të drejtën për Shtetësi, në vend që ta fitojnë atë si pjesë e qëndrimit të tyre mbi 5 vjeçar.
Ata duhet të demonstrojnë se kanë aftësi të mira për të folur anglisht dhe nëse janë papunë do t'u kërkohet që të largohen nga vendi.
Fjalimi i Mbretëreshës theksoi prioritetin e qeverisë për të menaxhuar situatën ekonomike në kohë krize.
Në faqe të parë e përditshmja TIMES ka fotografinë e menaxheri të ekipit Manchester United Alex Ferguson, që është një tjetër i prekur nga kriza ekonomike, pasi një fond investimi me vlerë 3 miliard stërlina, në të cilin ai ishte investitor, ka shkuar nën administrim.
Megjithatë ekipi i tij i dha diçka për të festuar kur mundi Blackburn me rezultatin 5-3, duke hyrë në gjysëmfianlet e kupës Carling.
E përdithshmja THE INDEPENDENT ka në faqe të parë fotografinë Sarah Brown, bashkëshortes së kryeministrit britanik, e cila mban në kokë një beretë me ngjyrë lejla.
Gazeta pyet nëse kjo paraqitje e zonjës Brown, në seancën ku Mbreterësha lexoi fjalimin, ishte një imitim i stilit të zonjës së parë të Francës, Carla Bruni.
Por në faqet ndërkombëtarre e përditshmja ndalet tek vështirësitë, me të cilat përballet industria amerikane e prodhimit të makinave.
THE INDEPENDENT e shoqëron këtë shkrim me një fotografi që shtrihet në dy faqe kur tregohen mijëra makina me vlerë 40 milion dollarë që qëndrojnë në pritje të blerësve në portin e Los Anxhelesit.
Kushdo që do ta vizitonte portin e Los Anxhelesit nuk do të ketë dyshime se industria amerikane e prodhimit të makina është një një gjendje të rëndë, shkruan gazeta.
E përditshmja THE GUARDIAN shkruan për planet e qeverisë britanike për të mbrojtur pronarët e shtëpive nga kriza ekonomike.
Kryeminstri Brown u ofroi pronarëve të shtëpive që janë prekur nga kriza ekonomike, një ngrirje të interesit të kredive të shtëpive për dy vjet.
Kjo përpjekje ka si qëllim të ndihmojë ata britanikë që kanë humbur punën apo kanë një ulje të të ardhurave si pasojë e reçesionit.
Ndërsa në faqet e brendshme e përditshmja shkruan se shkrimtarja Jk Rowling, autorja e romaneve Harry Potter pritet të dhurojë 12 milion stërlina si bamirësi.
Këto para do të vijnë nga shitja e librit të saj më të fundit, një përmbledhje me përralla që pritet të kryesojë shitjet e librave në fund të vitit.
Fondet do të shkojnë për ndërtimin e shtëpive të reja për 100 mijë fëmijë në Rumani.
Organizata e bamirësisë që Jk Rowling drejton, fokusohet edhe në ndërtimin e shtëpive për fëmijët edhe në pesë vende të tjera të Evropës lindore.
| Tiranë | 5 | °C | |
| Prishtinë | -7 | °C | |
| Ulqin | -2 | °C | |
| Shkup | -7 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.20 | 142.03 |
| USD | 102.75 | 107.15 |
| GPB | 162.09 | 169.03 |
| CHF | 112.60 | 117.42 |