LIBIA PARALAJMËRON ZVICRËN LIDHUR ME HETIMIN PËR DJALIN E GADDAFIT

LIBIA PARALAJMËRON ZVICRËN LIDHUR ME HETIMIN PËR DJALIN E GADDAFIT

Libia i ka thënë Zvicrës se duhet të mbyllë një hetim për arrestimin e një prej djemve të liderit libian, Muammar Gaddafi ose mund të përballet me sanksione të tjera të paspecifikuara, njoftoi Ministria e Jashtme.
Hannibal Gaddafi u arrestua nga policia e Gjenevës më 15 korrik dhe u akuzua për keqtrajtimin e dy punonjësve të vendit, një tuniziane dhe një maroken, të cilët tërhoqën më vonë ankesat e tyre zyrtare.
Gaddafi i mohoi akuzat dhe u lirua me kusht, por çështja shkaktoi një pakënaqësi në Tripoli dhe çoi drejt arrestimit të dy shtetasve zviceranë, të cilët u liruan më vonë.
Ministria e Jashtme e Libisë ka deklaruar se dy vendet kanë rënë dakord të krijojnë një komision të pavarur për të hetuar incidentin.
Mbrëmë, ministria njoftoi se komisioni ka përfunduar pothuajse hetimin e tij që tregon se arrestimi ishte i paligjshëm, por pala zvicerane po përpiqet të fshehë të vërtetën.
"Faktet janë tani të qarta dhe tregojnë shpërdorimin e autoritetit dhe shkeljen e proceduarave ligjore nga policia e Gjenevës, por pala zvicerane në komision po përpiqet të nxjerrë një raport përfundimtar për të shpëtuar emrin e autoriteteve zvicerane", njoftoi ministria.
"Durimi ynë ka një kufi", deklaroi Abdelatti Labidi, diplomati i lartë në ministri, i cituar nga media shtetërore.
Libia ka deklaruar se do të tërheqë asetet e saj me një vlerë prej 7 miliardë dollarësh në bankat zvicerane, do të ndërpresë marrëdhëniet ekonomike me Zvicrën dhe do të ndërpresë furnizimin me naftë për të protestuar lidhur me trajtimin e keq të Gaddafit, diplomatëve libianë dhe të biznesmenëve.
Në deklaratën e ministrisë nuk jepeshin hollësi lidhur me masat e marra më parë, si dhe nuk specifikoheshin se cilat do të ishin masat që mund të merreshin në të ardhmen kundër Zvicrës.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek