REPORTAZH/PĖLLUMBĖ PAQEJE NĖ PRISHTINĖ…

REPORTAZH/PĖLLUMBĖ PAQEJE NĖ PRISHTINĖ…

Prishtina u gdhi e bardhë të hënën, me temperatura nën zero dhe me një të ftohtë bjeshke, ndërsa njerëzit po përgatiten të kremtojnë një vjetorin e shtetit të tyre.
Flamunj kuqezi, kaltërverdhë kanë mbuluar ndërtesat ose janë vendosur në ballë të makinave apo dhe taksive të shumta që qarkullojnë në udhët e Prishtinës, një qytet i cili nisi të ndërtohej në vitet '70 të shekullit të kaluar. Shumë syresh shesin flamunj në sheshin qëndror, teksa nuk mungojnë dhe flamunj të Bashkimit Europian dhe të SHBA.
Sot Prishtina, e cila llogaritet të jetë rreth 500 mijë banorë, duket se lëkundet mes tradicionales së ndërtimeve dhe modernes, që spikat sidomos në ndërtime hotelesh apo edhe qendrash tregtare, të çelura me shumicë sidomos vitet e fundit.
Por, duket se e kremtja e pavarësisë ka zgjuar edhe imagjinatën e prodhuesve kosovarë të cilët për këtë festë, në një bluzë që është shitur me shumicë ditët e fundit, kishin shënuar: “Faleminderit miq, faleminderit armiq, pa ju s’na kishte ardhur HIÇ”, 
Një shitëse që tregton në një qendër tregtare thotë se "më së shumti këtë bluzë e kanë blerë të rinjtë, por jo pak e kanë blerë edhe për dhuratë".
Një vit më parë, kur pavarësia u shpall, disa prodhues verërash në Rahovec, një qytet i vogël rreth 20 km larg Prishtinës, prodhuan një lloj vere të kuqe, që e pagëzuan me emrin Pavarësia…
Në lokalet e shumta të kryeqendrës së Kosovës, atëherë të shërbenin vetëm këtë lloj vere, e cila edhe këtë vit duket se zë ende vend në tavolinat tradicionale të Kosovës, e karakterizuar nga një klimë e ftohtë mesdhetare, ku prodhohen gatime më shumë se pikante.
Në këtë përvjetor të pavarësisë edhe Oda Ekonomike nuk ngurroi të organizojë si edhe një vit më parë  “Javën e prodhimeve kosovare”, ku ekspozuan prodhimet të paktën 50 prodhues.
Nora Nimani, prodhuese e verarisë “Bodrumi i vjetër” thotë se “kanë qenë të shumtë njerëzit që janë ofruar jo vetëm të shijojnë produktet, por edhe t’i blejnë ato, nisur dhe nga çmimet e lira të ofruara nga Oda Ekonomike”. 
Pagat në Kosovë konsiderohen gjithsesi ende të ulta, diktuar jo vetëm nga efektet e krizës globale, por edhe nga tensionet e krijuara sidomos në veri të Mitrovicës, një qytet i ndarë më dysh, shqiptarë dhe serbë, që nga viti 1999.
Analistët deklarojnë se ekonomia ka shënuar një rritje prej 5.2 për qind vitin e kaluar, ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar parasheh një rritje prej 6.6 për qind këtë vit, shifër kjo pak optimiste nëse krahasohet me vendet e tjera, që vuajnë krizën globle.
Ndërkohë mesatarja e pagës llogaritet rreth 250 Euro në muaj. Por, për shqiptarët e Kosovës, mbështetje vazhdojnë të jenë ende emigrantët, që kryesisht jetojnë në Zvicër apo Gjermani. Lëvizja e lirë e shqiptarëve të Kosovës, që kur në ish-Jugosllavi udhëhiqte Tito, parashihet si një nga prioritetet e krijimit të një ekonomie relativisht të qëndrueshme familjare.       
Gjithsesi, duket se shqiptarët e Kosovës janë të vetëdijshëm për zhvillimin ekonomik në vend. Kjo është një nga arsyet, që ata kanë krijuar dhe Agjencinë për Promovimin e Investimeve në Kosovë, (APIK), një institucion i cili kujdeset për mbarëvajtjen e të gjithë investitorëve, që duan të punojnë në këtë shtet të Ballkanit Perëndimor dhe që duket se konsiderohet ende si një vend që nuk është shfrytëzuar, përpos pasurive që ka.
Fillimisht të dyzuar, duket se pas shpalljes së pavarësisë, investitorët e huaj kanë qenë më pak pragmatistë ndaj Kosovës, ndërkohë që zyrtarë të lartë të qeverisjes aktuale shprehen entuziastë se këtë vit pritet të ketë më shumë investime. 
Gjithsesi këtë vit, sipas të dhënave, do të nisin procedurat e privatizimit të disa aseteve të ndërmarrjeve publike, sikundër është Distribucioni i Korporatës Energjetike të Kosovës, KEK, Vala 900 e Post Telekomit të Kosovës, dhënia me konçesion e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. 
Por, duket se edhe diaspora është e gatshme të investojë paratë e saj, ndërsa shumë firma nga Luksemburgu, Austria dhe Gjermania kanë ardhur në Kosovë.
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, është shprehur se në një vit janë bërë shumë ndryshime pozitive. Ai tha se janë hapur shumë vende pune dhe se kishin krijuar një standard më të lartë jetese për popullatën, në shumë aspekte.
Të paktën 150 mijë Euro janë dhënë nga buxheti i shtetit për këto kremtime, ndërsa KEK në një vjetorin e Pavarësisë ka premtuar se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.
Flokë të imët dëbore nisën të bien mesditën e një të hëne në Prishtinë, kryeqendra e Kosovës, e shpallur Republikë më 17 shkurt të vitit 2008.
Në rrugën "UÇK", një grup pëllumbash koteshin duke ngrenë kokrra gruri. Një fëmijë ua hidhte pa drojë  … dhe ata nuk tuteshin…
Vullneti, emigrant që jeton prej vitesh në Zvicër, tha,  "…dhe pëllumbët e 'egër' ka kohë që janë zbutur dhe nuk u frigohen njerëzve ".


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek