POLITIKA E KOSOVĖS, ĖSHTĖ POLITIKĖ E PAQES

POLITIKA E KOSOVĖS, ĖSHTĖ POLITIKĖ E PAQES

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, cilësoi në përshëndetjen e tij në seancën solemne, që u mbajt sot në Kuvendin e Kosovës në 1 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, se “17 shkurti i vitit 2008 mbylli faqen e rëndë dhe të vështirë të historisë sonë, e cila mban brenda shumë dhimbje njerëzore dhe shkatërrime, por edhe akte dhe vepra të mëdha sublime dhe të paharrueshme”. 
Duke kujtuar 17 shkurtin e vitit të kaluar,  Sejdiu theksoi se “atë ditë u realizua projekti më i madh që kishin synim shumë breza, një projekt që sot simbolizohet edhe me emrat e dy heronjve të mëdhenj të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, lider shpirtëror dhe politik i pavarësisë, dhe Adem Jasharit, hero i luftës çlirimtare për liri”.
Ai theksoi rolin e jashtëzakonshmë të SHBA-së dhe i BE-së jo vetëm për të mbërritur në 17 shkurtin 2008, por edhe në këtë vit të parë të jetës së shtetit të Kosovës.
Presidenti Sejdiu bëri një përmbledhje të arritjeve të shtetit të ri të Kosovës në këtë një vit pavarësi, duke veçuar miratimin e Kushtetutës, që përfshin rekomandimet e Presidentit Marti Ahtisari. “Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shenja e parë dhe e fundit e vendimeve për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tone”, tha Presidenti Sejdiu.
Kosova, e njohur përgjatë këtij viti nga 54 shtete,  ka sot simbolet e shtetit: flamurin dhe himnin, ndërkohë, janë krijuar institucione vitale shtetërore si Forca e Sigurisë së Kosovës, Agjencia e Inteligjencës e Kosovës dhe është në proces edhe krijimi i Gjykatës Kushtetuese. “Puna e këtyre institucioneve garanton stabilitetin dhe sigurinë e duhur për qytetarët dhe të ardhmen e shtetit tone”, vlerësoi Presidenti i Kosovës.
Duke falenderuar të gjitha shtetet dhe qeveritë e tyre që njohën Kosovën, ai u shpreh se ne vlerësojmë veçmas vendimet e shteteve fqinje, të Maqedonisë dhe Malit të  Zi. “Marrëdhëniet e mira e miqësore me të gjitha vendet, në radhë të parë me fqinjët tanë të parë, me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi e Serbinë, dhe me vendet e rajonit e të Evropës, mbeten prioritete në politikën tonë të jashtme”, tha Kreu i Shtetit të Kosovës, duke nënvizuar se kuadrati i njohjeve të fqinjëve ende nuk është mbyllur, ngaqë Serbia, jo që nuk pranon realitetin, por e lufton atë, duke vazhduar ndërhyrjen dhe tendencën për të na destabilizuar, sidomos në Veri të vendit tonë. 
Ai konfirmoi se politika e Kosovës është politikë e paqes. “Ne punojmë çdo ditë që Kosova të bëhet pjesë e proceseve integruese euroatlantike, që është përcaktim yni i fuqishëm. Integrimi dhe bashkimi me Unionin Evropian dhe me NATO-n, mbetet synimi themelor për të ardhmen”, theksoi ndër të tjera Sejdiu.
Kreu i shtetit të Kosovës vlerësoi dhe ndihmën e UNMIKU-t, KFOR-i, që vazhdon të jetë garantuesi themelor i sigurisë, EULEX-it, udhëhequr nga BE. 
Duke vënë në dukje arritjet në fushën e ekonomisë, Presidenti Sejdiu tha se të gjithë duhet të punojmë më tepër që Kosova të bëhet një vend i sigurt dhe joshës për investime. Sipas tij, krijimi i lehtësive ligjore për investitorët vendës dhe të huaj është një mundësi më e madhe për zhvillimin ekonomik. 
“Besimi që është shprehur në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve, në të cilën Kosovës iu dhanë 1.4 miliardë euro, duhet të kthehet në investime dhe rezultate përkatëse, në mënyrë që ky besim të rritet dhe përkrahja të shtohet edhe më shumë”, tha ai.  
Në përshendetjen e tij, Sejdiu u ndal dhe në kujdesin e veçantë ndaj komuniteteve pakicë, duke i trajtuar të gjithë ata pa dallim në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare. “Ne po punojmë për të siguruar kushte dhe mundësi të barabarta për të gjithë, pra edhe për komunitetin serb”, theksoi Presidenti, duke nënvizuar se Kosova është vend i të gjithë qytetarëve të barabartë, ku nuk tolerohet dominimi i askujt mbi askënd


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek