KOSOVĖ - BORDI PĖR SUNDIMIN E LIGJIT VLERĖSON SHTRIRJEN E AUTORITETIT TĖ EULEX-it

KOSOVĖ - BORDI PĖR SUNDIMIN E LIGJIT VLERĖSON SHTRIRJEN E AUTORITETIT TĖ EULEX-it

Bordi i Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit vlerësoi sot shtrirjen e autoritetit të EULEX-it gjithnjë e më shumë në tërë Kosovën. 
"Gjithnjë e më shumë autoriteti i EULEX-it po shtrihet në territorin e Kosovës dhe po bëhet më funksional dhe operativ, që është dhe strategjia e këtij bordi", theksoi zëvendëskryeministri i vendit, Hajredin Kuçi.
 "Tani kemi personel ndërkombëtar prej më shumë se 1600 personave dhe personel vendor prej afro 800 personash në të gjithë Kosovën dhe në vazhdueshmëri po ndërtojmë praninë dhe duke i thelluar aktivitetet", theksoi shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon.
Përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës, EULEX-it dhe institucioneve të sundimit të ligjit u takuan sot në Prishtinë për të zhvilluar mbledhjen e shtatë të Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit.  
Kryetari i Gjykatës Supreme, Rexhep Haxhimusa dha një përmbledhje lidhur me reformat në drejtësinë e Kosovës, duke i theksuar sfidat me të cilat po përballet drejtësia, sidomos në numrin proporcionalisht të vogël të gjykatësve dhe prokurorëve që janë pjesë e Drejtësisë së Kosovës. 
Zëvendëskryeministri Kuçi theksoi se qeveria e Kosovës është e përkushtuar të mbështesë dhe të rrisë efikasitetin e sistemit gjyqësor, por duke respektuar dhe ruajtur pavarësinë e institucioneve gjyqësore.
Në takim u diskutua edhe procesi i sapofilluar i shqyrtimit të gjykatësve dhe prokurorëve.
Bordi doli në përfundimin se është shumë e rëndësishme që personat të cilët i përmbushin kriteret të emërohen sa më shpejtë që të jetë e mundur. 
Bordi vendosi që në mbledhjen e ardhshme ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala dhe zëvendësshefi i EULEX-it, Roy Reeve, të paraqesin një projektpropozim për ligjin kundër pastrimit të parave.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek