Fraksioni Fatah
i presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, liroi afro 40 të burgosur të
Hamasit në Bregun Perëndimor përpara se zhvillimit të një samiti për
pajtim i organizuar nga Egjipti, deklaroi sot një ligjvënës nga grupi
islamik.
"Afro 40 të burgosur politikë u liruan dje", deklaroi Ayman Daraghmeh nga blloku për Reforma dhe Ndryshime i Hamasit.
"Ne e konsiderojmë këtë si një zhvillim pozitiv", shtoi ai.
Një zyrtar i Fatahut, i cili kërkoi të mbetej anonim, konfirmoi se janë
liruar 40 të burgosur, por theksoi se ata ishin liruar pasi i kishin
kryer dënimet.
Autoriteti Palestinez i mohon akuzat e Hamasit se përkrahësit e grupit islamik që mbahen në
burgjet e Bregut Perëndimor janë arrestuar për arsye politike. Fatahu e ka akuzuar gjithashtu
Hamasin se ka vënë në shënjestër përkrahësit e tij në Rripin e Gazës.
Fraksionet rivale priten të takohen më vonë në Kajro për t'u përpjekur të zgjidhin një
mosmarrëveshje që është shtuar që kur Hamasi fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2006.
Një zyrtar i Hamasit në Gaza deklaroi se Fatahu i kishte dërguar grupit
islamik emrat e 38 aktivistëve të Hamasit që janë liruar dje dhe
premtoi se do të lirojë të burgosur të tjerë gjatë kësaj jave.
ShtypiDites