Herman Simm, ish-zyrtar i lartë i
Ministrisë estoneze të Mbrojtjes, u dënua sot me 12 vjet e gjashtë muaj
burg, pasi i ka shitur sekrete të NATO-s Rusisë, njoftoi gjykata e
Talinit.
"Ai u gjet fajtor. Kjo është arsyeja për të cilën procesi qe i shkurtër", deklaroi zëdhënësja e gjykatës, Kristina Ots.
"Kur
bën atë që bën, duhen përballuar edhe pasojat", deklaroi Herman Simm në
një video të shfaqur nga prokuroria, pas seancës së sotme me dyer të
mbyllura në gjykatë.
"Po, unë kam
punuar për shërbimet e huaja sekrete. Po, e dija që njerëzit të cilëve
u siguroja informacione ishin anëtarë të shërbimeve sekrete ruse",
pohoi ai.
Herman Simm, 61 vjeç ka
mbajtur poste të ndryshme në Ministrinë estoneze të Mbrojtjes nga
1995-2006. Ai ka qenë më parë shef i policisë kombëtare, pas një
karriere të gjatë si polic në epokën sovjetike.
Nga
viti 1995 - 2008, ai i kaloi Moskës një numër të përgjithshëm prej
2.098 dokumentesh sekrete mbi politikën e mbrojtjes, marrëdhëniet e
jashtme ushtarake dhe sistemet e informacionit të Estonisë, i saktësoi
AFP-së Gerrit Maesalu, zëdhënës i prokurorisë estoneze.
"A
u kaloi gjithashtu me qindra dokumente sekrete që Estonia kishte marrë
në kuadër të marrëveshjeve të arritura me vende të tjera", tha ai.
Simm kishte kontakte në pesëmbëdhjetë vende evropiane, ku udhëtonte për punë ose për qejf, saktësoi Maesalu.
Herman Simm rrezikonte dënimin maksimal me 15 vjet. Ai u shkurtua pasi ai zgjodhi të bashkëpunonte me drejtësinë.
Gjykata
e dënoi gjithashtu Herman Simm me një gjobë prej 20,2 milionë koronash
(1,3 milionë euro) për dëmet e shkaktuara në sistemin e komunikimit dhe
sigurisë estoneze.
ShtypiDites