HIDROCENTRALI I KALIVAÇIT VEPRA MË E MADHE NË JUG TË VENDIT

 HIDROCENTRALI I KALIVAÇIT VEPRA MË E MADHE NË JUG TË VENDIT

Rreth 40 kilometra larg qytetit të Tepelenës, në krahun e djathtë të komunës së Krahësit, një vepër e madhe po realizohet, është hidrocentrali i Kalivaçit, që për banorët e rajonit jugor ishte dikur vetëm një ëndërr, tashmë po bëhet një realitet i pamohueshëm. 
Qindra automjete të rënda, që  mbi shtratin e lumit Vjosës, kanë lëvizuar gjatë tre vjetëve të fundit mbi 90 milionë metër kub dhè. Dy kodrat e larta që prej shekuj qëndronin ballë për ballë së shpejti do të bashkohen, duke formuar digën më të madhe në jug të vendit.      
Hidrocentrali i Kalivaçit, që me letra zytare ka nisur në 6 qershor të vitit 1996, do të përdoret me koncencion për 25 vjet dhe në vitin 2011 pritet të përfundojë e plotë vepra. Aktualisht për ndërtimin e hidrocentralit punojnë 300 punëtorë, me një rrogë mesatare që varion nga 50 mijë deri në 90 mijë lekë. Ky projekt financohet nga kompania private italiane "Beg. S.A", me vlerë 200 milionë euro.

SI NISI...

Hidrocentrali i Bistricës, që është ngritur 47 vjet më parë në kodrat që mban të njëjtin emër, ka "ushqyer" me energji elektrike pothuajse të gjithë rajonin jugor. Pas viteve 1990, si pasojë e lëvizjeve demografike, natyrshëm u shtuan kërkesat për energjinë nga ana e konsumatorëve, këta të fundit ngritën dhe lulëzuan biznesin privat. Sipas statistikave të marra nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, në jug në vendit janë ngritur mbi 200 biznese të mëdha, ndërkohë në qytetin bregdetar të Sarandës janë ngritur mbi 400 hotele. 
Për të mos pasur një "kolaps" në rrjetin kombëtar të transmetimit të energjisë elektrike, më qershor të vitit 1996, me propozimin e Ministrisë së Ndërtimit dhe Turizmit dhe të Ministrisë së Burimeve Minerare dhe Energjetike, qeveria e atëhershme e djathtë miratoi programin dhe procedurat për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit me koncesion të formës "bot".
Dritan Kraja, nëndrejtori i kantierit të ndërtimit të firmës ‘Beg. S.A’, pohon se hidrocentrali i Kalivaçit, që po ndërtohet në grykën e lumit Vjosë, do të ketë fuqia 100 MW, ndërsa prodhimi mesatar vjetor rreth 350 Gwh. Kuota e nivelit maksimal të liqenit është 100 metra mbi nivelin e detit, ndërkohë kuota e kurorës së digës është 115 metra mbi nivelin e detit.

INVESTIMI

Tre muaj përpara se të zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 u përurua fillimi i punimeve për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit. I pari që vendosi gurin e parë në veprën më të madhe të jug të vendit ishte ish-kryetari i bashkisë së qytetit të Tepelenës, Xhafer Ruçi, i shoqëruar nga deputeti i zonës elektorale, njëherazi ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano. Pavarësisht, dëshirës së mirë për të përfunduar ndërtimin e hidroncentralit të Kalivaçit brenda harkut kohor të shtatë viteve, për fat të keq punimet ecën me ritme e "breshkës", për arsye të ndryshme. 
Në fillim të vitit 2006, deputeti i zonës elektorale nr. 89, njëherazi ministëri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, shfaqi dyshime për përfundimin e veprës energjetike. "Ndërtimi i hidrocentralit të Kalivaçit (Tepelenë) është i dyshimtë, pasi ka mbi 10-vjet që ka filluar dhe ende ndërtimi është zvarritur. Para disa ditësh, i kam kërkuar firmës zbatuese në formë ultimatumi dosjen e projektit, në rast të kundër do të zgjidh kontratën", ishte deklarata e 11 nëntorit të vitit 2006, e ministrit Ruli. Duke parë seriozitetin e qeverisë, përfaqësuesit e firmës trefishuan numrin e punonjësve, nga 100 në 300, si dhe rritën kapacitetin e mjeteve logjistike.
Dritan Kraja, nëndrejtori i kantierit të ndërtimit të firmës ‘Beg. S.A’, thotë se "tashmë ka përfunduar 80 për qind e ndërtimit të hidrocentralit dhe shumë shpejt pritet të fillojnë faza e fundit e veprës, që është ngritja në këmbë e digës, rreth 115 metra e lartë, 87 metra e gjatë dhe 60 metra gjerësi".
Sipas tij, lumi Vjosë ka një prurje prej 235 metra kub në sekondë, e mjaftueshme për të furnizuar të gjithë jugun e vendit me perspektivë 100 vjeçare.
"Hidrocentrali i Kalivaçit do të vihet në funksion të plotë në vitin 2011. Gjatë fazës së parë të funksionimit ujërat e lumit Vjosë do të përmbysin mbi 1700 hektarë tokë dhe rruga ekzistuese kombëtare do të ndryshojë drejtim", shprehet me siguri matematike, inxhinier Kraja.
Ai nënvizon se rreth 50 për qind e fshatit Qesarat që ndodhet në afërsi të hidrocentralit të Kalivacit do të përmbytet dhe të gjithë fermerët që do të preken nga përmbytja e tokave do të dëmshpërblehen. "Kjo vepër ka një anë të mirë, pasi fermerët që nuk do të preken nga përmbytja do të vadisin tokat e tyre me ujë të bollshëm", të shpjegon Kraja.
Në fillim të gushtit të vitit të kaluar, vijoi ai, ka përfunduar vendosja e fibrave optike në lumin Vjosë, e cila do të shërbejë për monitorimin e ditës. "Vendosja e fibrave optike ishte faza më e vështirë e punimeve. Ky model përdoret për herë të parë në ndërtimin e digave", shprehet zoti Kraja.

KUSHTET E PUNËS

Ergys Sina, një burrë rreth të 40-tave, banor i fshatit Krahës, ndihet me fat që jeton në këtë zonë. Ai thotë se "gjatë tre vjetëve të fundit ka arritur të nxjerrë shumë fitime nga puna që kryen në ndërtimin e hidrocentralit. Rroga mesatare e tij shkon mbi një milion lekë të vjetra, pasi ai ka vënë në dispozicion të firmës së ndërtimit edhe automjetin me tonazh të rëndë". "Gjatë tre vjetëve të fundit kam kryer vetëm një punë, duke drejtuar automjetin. Jam shumë i kënaqur nga të ardhurat dhe besoj se deri në fund të projektit fitimi im do të jetë i kënaqshëm", shprehet Sina. Sipas tij, në dispozicion të punonjësve janë  ndërtuar edhe një mencë dhe ushqimi është i garantuar dhe me çmim të lirë. 
Ndërsa, shoku i tij i fëmijërisë, Blerimi, babai i tre fëmijëve, dy djem dhe një vajze, e vazhdon fjalën atje ku e la Ergysi. "Gjatë punës nuk lejohet asnjë gabim i vogël. Masat e sigurisë janë aq të larta sa deri tani,  nuk është shënuar asnjë incident i vogël në punë", shprehet Blerimi. Sipas tij, të gjitha shërbimet e mirëmbajtjes së automjetit bëhen nga firma.
Ndërkohë, Syrja Ceka, banor i fshatit Dhëmblat, që jeton rreth 7 kilometra larg veprës së madhe energjitike, thotë se tashmë ai dhe bashkëfshatarët e tjerë ndihen me fat, pasi firma zbatuese e projektit "Beg. S.A" ka ndërtuar një urë dhe prej më shumë se dy vjetësh varka ka dalë jashtë përdorimit. "Prej shumë dekadash jeta jonë ka qenë në rrezik, pasi për të kaluar në krahun tjetër të lumit, varka lundronte në rryma të forta dhe në disa raste ka pasur edhe fatkeqësi," pohon Ceka


ATSH
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek