Familjarë të viktimave të tragjedisë së 9
janarit 2004, kur në ujërat detare të Gadishullit të Karaburunit në
Vlorë humbën jetën 28 persona, teksa po tentonin të kalonin me gomone
në Itali, kanë hyrë sot në ditën e katërt të grevës së urisë, që po
zhvillohet në një apartament në lagjen “Xhabijaj" në qytetin e
Shkodrës.
Familjarët
grevistë janë në pritje të përgjigjes së kryeprokurores Ina Rama për
kalimin e çështjes së këtij trafiku nga prokuroria e rrethit të
Vlorës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Në
ditën e parë të grevës u ngujuan dy persona, të cilëve sot i'u shtua
dhe Ndoc Bjeshka, i cili ka humbur djalin e vetëm Kreshnik Bjeshka, 25
vjeç. Në grevë prej 4 ditësh ndodhen Ndue Zajeti, i cili ka humbur
vajzën Marjanën, 18 vjeç, dhe Ilir Xhilaj, i cili ka humbur vëllain e
tij 32 vjeçar, Ardianin.
Të
ngujuarit janë të afërm të 3 prej 8 viktimave, trupat e të cilëve ende
nuk janë gjetur dhe që sipas një informacioni lundronin drejt Italisë
me një gomone tjetër, krahas asaj që u gjet me 20 trupat e pajetë. Ky
informacion ka bërë që shoqata kombëtare "9 janari 2004" të hapë një
proces gjyqësor në Vlorë.
Të pakënaqur nga
zvarritja që po i bëhet çështjes, ata i kanë kërkuar Prokurores së
Përgjithshme Ina Rama, t'a zhvendosë gjykimin pranë Prokurorisë së
Krimeve të Rënda në Tiranë, por dhe pse ka kaluar kohë nga kërkesa ende
nuk kanë marrë përgjigje.
Sot, grevistët
i vizitoi dhe kryetari i LSI-së Ilir Meta, i cili premtoi se do ta
ndjekë me seriozitet çështjen, qoftë në Parlamentin Shqiptar, apo edhe
në organet shtetërore, për të zbardhur këtë ngjarje të mbuluar me
mister prej vitesh.
Ndërsa grevistët deklaruan
se në kërkesat e tyre nuk ka asgjë politike. Ata kërkojnë rihapje të
gjykimit, me synim zbardhjen e ngjarjes si dhe identifikimin se ku
është zhdukur gomonia e dytë me trupat e pajetë të fëmijëve të tyre.
Në
9 janar të vitit 2004, të paktën 28 persona, kryesisht nga rrethi i
Shkodrës humbën jetën në ujrat e Gadishullit të Karaburunit, teksa
tentonin të kalonin në Itali me gomone, të organizuar nga një grup
trafikantësh.
ATSH