HOMAZHE ARTISTIT TĖ POPULLIT, VIKTOR GJIKA

HOMAZHE ARTISTIT TĖ POPULLIT, VIKTOR GJIKA

Regjisori dhe kineasti i mirënjohur Viktor Gjika, i cili u nda mbrëmë nga jeta, la pas respektin dhe mirënjohjen e shumë miqve dhe kolegëve. 
Personalitete të lartë të vendit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryetari i PS-së, Edi Rama, deputetë, artistë, kolegë dhe dashamirës bënë sot homazhe para trupit të Artistit të Popullit, Viktor Gjika, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. 
Duke vlerësuar veprën e regjisorit Viktor Gjika, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u shpreh se vdekja e tij "është një humbje, në radhë të parë për familjen edhe për artin kinematografik shqiptar. Viktor Gjika, në memorien e të gjithëve do të mbetet një nga figurat më emblematike të kinematografisë shqiptare. Padyshim një artist me një jetë profesionale shumë komplekse dhe jetëgjatë”. 
Presidenti Topi shprehu bindjen se "shkolla shqiptare gjithmonë do ta ruajë këtë traditë. Ndoshta mund të jetë në vështirësi momentale, por jam i bindur që, si figura e zotit Gjika, por edhe e shumë regjisorëve të tjerë, që kanë punuar në epokën kur punoi dhe jetoi zoti Gjika, do të jenë patjetër pikë referimi për të reformuar dhe për të shkuar përpara edhe me kinematografinë tonë, e cila ka nevojë të rigjallërohet”.

Viktor Gjika u cilësua nga të gjithë miqtë e tij si kolosi që ka marrë për dore të gjithë regjisorët dhe kineastët e rinj. Ai u përcoll sot për në banesën e fundit nga shumë miq dhe dashamirës, të cilët e vlerësuan dhe nderuan punën e tij.
Viktor Gjika u nda nga jeta të martën në mbrëmje në moshën 71 vjeçare. Por ai do të kujtohet si një regjisor me një karrierë të gjatë në fushën e kinematografisë është autor i shumë filmave të njohur shqiptarë, mes të cilëve përmenden "Horizonte të hapura", "I teti në bronz", "Yjet e netëve të gjata", "Rrugë të bardha", "Gjeneral gramafoni" "Nëntori i dytë", "Njeriu me top", etj.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek