Agjensia e Legalizimit, Urbanizimit dhe
Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale vazhdon me ritme të shpejta
shpërndarjen e Lejeve të Legalizimit, sipas kalendarit të paracaktuar.
Të
enjten në Tiranë, procesi vazhdoi me shpërndarjen e Lejeve të
Legalizimit për apartamente, objekte social - ekonomike, garazhe dhe
podrume me një total prej 6200 pasurish familjare.
Drejtori
i Përgjithshëm i ALUIZNI-it, Shaban Memia, theksoi gjatë ceremonisë së
zhvilluar sot se "sipërfaqja që legalizohet është 662.559 m2, ndërsa
vlera e kësaj sipërfaqe e kalon shumën 2 miliard euro (me çmim minimal
tregu prej 300 euro m2), e cila tashmë bëhet pjesë e tregut".
Sipas
të dhënave zyrtare të kësaj Agjensie, aktualisht, në mbarë vendin janë
në proces përpunimi 134 341 dosje objektesh informale, ndërkohë që ka
përfunduar përgatitja e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pritet të
legalizohen afro 12 297 objekte informale, të cilat gjenden në fazën
përfundimtare të likujdimit të detyrimeve financiare nga qytetarët.
Deri
në këtë moment ALUIZNI ka përmbyllur plotësimin e dosjeve, dhe ka gati
për pajisje me leje legalizimi, 4 504 objekte, për të cilat qytetarët
kanë shlyer detyrimet financiare.
Legalizimi i
këtyre pasurive informale do të pasohet nga procesi i regjistrimit të
tyre në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në
funksion të përfshirjes së tyre në sistemin kombëtar të regjistrimit
dhe pajisjes me tituj pronësie, brenda afateve të parashikuara në
kuadrin ligjor.
ShtypiDites