KOMENT - CARLA KLASIKE, MICHELLE MË E GUXIMSHME: ÇDO ZONJË E PARË KA STILIN E SAJ

KOMENT - CARLA KLASIKE, MICHELLE MË E GUXIMSHME: ÇDO ZONJË E PARË KA STILIN E SAJ

Michelle Obama dhe Carla Bruni-Sarkozy, të cilat u takuan sot në kuadër të samitit të NATO-s në Strasburg, mishërojnë stile të ndryshme: një paraqitje e guximshme për amerikanen, një elegancë më klasike për francezen, theksojnë disa profesionistë të modës.
Bashkëshortet e presidentëve Barak Obama dhe Nicolas Sarkozy "tërhoqën vëmendjen lidhur me look-un" në një botë politike të cilës vitet e fundit i ka munguar tmerrësisht bukuria sensuale, shpreh kënaqësinë Vincent Gregoire, drejtor për krijimin në zyrën e tendencave të modës Nelly Rodi, i pyetur nga AFP-ja.
Michelle Obama dhe Carla Bruni-Sarkozy kanë një pikë tjetër të përbashkët: "aftësinë për t'u veshur me gjëra shumë të thjeshta", thekson Florence Muller, profesore në Institutin Francez të Modës.
"Carla Bruni është e aftë të vishet me xhinse, me pulovër dhe me shall", domethënë të mbajë "një stil jashtëzakonisht të thjeshtë me të cilin identifikohen shumë gra". Lidhur me Michelle Obamën, "ajo madje ka pranuar aftësinë e saj për të mbajtur veshje të kompanive me shitje shumë të mëdha si J Crew dhe Gap", shton Muller. "Është një fenomen i ri për zonjat e para" dhe "një mesazh shumë i fortë": ato tregojnë "se mund të jenë elegante me gjëra shumë të lira.
Sipas saj, "diferenca do të bëhet në bazë të markave që ato përfaqësojnë".
Duke u shprehur për markat franceze, sidomos atë Dior, ish-modelja Carla Bruni-Sarkozy zgjodhi të "angazhohet në favor të një grupi luksoz francez (LVMH), të mbështesë kështu interesat e tij", thekson Muller.
Ajo "ka një qasje mjaft franceze të modës, që është nxitja e krijimit të veshjeve mjaft të shtrenjta", përforcon Vincent Gregoire.
Për Michelle Obamën, "është krejtësisht ndryshe", thekson ai. "Ajo nuk vishet në asnjë mënyrë me veshje të markave shumë të shtrenjta, as me gjëra të vjetra të veçanta, duke parapëlqyer "të nxisë një krijimtari, një origjinalitet amerikan që vjen nga shumëllojshmëria".
Michelle Obama mbështet te "krijues të pavarur që ajo i zgjedh me entuziazëm", thekson Muller.
Isabel Toledo, stiliste amerikane me origjinë kubaneze që dizenjoi fustanin dhe pallton e saj të ceremonisë së marrjes zyrtare të postit, "po përpiqet që prej 25 vjetësh jo për të mbijetuar, por aty afër, në botën tregtare amerikane, thekson ajo.
Megjithatë, Carla Bruni-Sarkozy ka veshur kohët e fundit një fustan të dizenjuar nga Alexis Mabille, që shpesh konsiderohet si yll në ngjitje i modës franceze.
Të dy Zonjat e Para përpiqen të shfaqen si persona të matur, thekson Vincent Gregoire.
Sipas Muller, Michelle Obama ka gjetur "ekuilibrin e saktë mes respektimit të statusit të saj të zonjës së parë" dhe kreativitetit.
Ndërsa Carla Bruni-Sarkozy "përpiqet të tregojë një lloj të ri modestie" por "kjo e bën pak stjuardesë", thekson Gregoire, duke përmendur veshjet ngjyrë gri që duket se ajo po preferon, si ai i sotmi në Strasburg. "Meqë ka një fizik të përshtatshëm për të mbajtur gjëra të veçanta, kur vesh gjëra relativisht të thjeshta, duket menjëherë paksa si një gjyshe klasike, ajo nuk merr përsipër asnjë rrezik", shpreh keqardhjen ai.
Michelle Obama ka "një qasje të thjeshtë, si të një shtëpiakeje për modën", si "një nënë që e di se çfarë i shkon dhe çfarë jo". Por "ajo guxon pak më tepër, duke rrezikuar të gabojë", shpreh kënaqësinë Gregoire. "Nga Carla, presim që ajo të shtendoset!", deklaroi ai


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek