Baza ushtarake
detare e Pashalimanit, 25 km në jug të Vlorës, mund të cilësohet mes
atyre elementëve që përbëjnë simbolikën e një transformimi esencial të
orientimit të Shqipërisë nga aleanca e Lindjes drejt Perëndimit.
Njerëz
që kanë përjetuar dy kohët dinë të bëjnë dallimin mes tyre. Ka të tjerë
që nxjerrin nga arkivi i kujtesës ngjarje, që sot marrin dimensione të
tjera. Absurdi i kohës kur ato u zhvilluan shfaqet sot, në një ditë
historike për Shqipërinë në një simbolikë ndryshe.
Kasëm
Spahiu, ish- ushtarak i Pashalimanit, që punoi aty në vitet
1963-1980, kujton mjaft ngjarje që lidhen me këtë bazë të njohur që
gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë ishte një nga më të fuqishmet
në Mesdhe.
"Periudha e Luftës së Ftohtë në këtë objekt ndihej
dhe më shumë", thotë ish-ushtaraku rreth të 70-ave. Shton se ajo ndihej
jo vetëm në jetën e përditshme në bazë, por dhe në ngjarje
që zhvilloheshin jashtë territorit të saj dhe që në këndvështrimin e
sotëm duken absurde.
Spahiu veçon për ATSH-në udhëtimin e dy
nëndetëseve të bazës në një itinerar në Mesdhe, për të cilin thotë ai
nuk është shkruar ndonjëherë dhe as është përmendur diku.
Rrëfimi i ish-ushtarakut
Si
një nga protagonistët e kësaj ngjarjeje që ndodhi pas shkëputjes së
Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, Spahiu përshkruan momentet kur
ekuipazhet e dy nëndetëseve, që kishin dalë në një itinerar absurd,
vendosen përballë ekuipazhit të një anijeje ushtarake ndihmëse të
fuqisë më të madhe të kohës, ndërkohë që më pas kthehen të shoqëruara
nga dy mjete të tjera moderne lundruese të NATO-s, në një udhëtim pothuajse “miqësor”.
Kjo
ka ndodhur në muajin shtator të 1968-ës, pas denoncimit të Traktatit të
Varshavës nga qeveria shqiptare, kur dy nëndetëse të Bazës Ushtarake të
Pashalimanit bënë një lundrim 5 ditor në detin Mesdhe. Ishte një
udhëtim demonstrativ”, rrefen ai. Kujton
se si shoqërues në nëndetësen e parë, ku ishte dhe ai erdhi komandanti
i Flotës Luftarake Shqiptare, Abdi Mati, një profesionist i vjetër,
ndërsa në nëndetësen e dytë u përfshi komandanti i Brigadës së
Nëndetëseve, Mark Plani.
“U
nisëm nga Pashalimani afër mesditës dhe në mbrëmje mbërritëm në
Sarandë, ku 30 % e efektivit u lejua të dilte në qytet. Aty luajtëm
volejboll dhe basketboll me të rinjtë e Sarandës. Rreth orës 23.00, u
kthyem në nëndetëse dhe rreth orës 04.00 u dha sinjali i alarmit
luftarak”, rrëfen ish- ushtaraku, sipas të cilit një orë më pas u nisën
për lundrim 5 ditor në Mesdhe që do të kryhej mbi ujë.
Nëndetësja
e parë ishte ajo “Flamurtare”, që komandonte dhe tjetrën. Kursi i
lundrimit ishte drejt brigjeve të Italisë, ndërkohë që nëndetësja
tjetër u nis drejt brigjeve greke, për t’u bashkuar dy ditë më pas, në afërsi të “çizmes italiane”. Në
ditën e dytë, vijon ai, ndodheshim pranë pranë “çizmes”, në drejtim të
Maltës, duke lundruar gjithmonë në sipërfaqe, në ujrat neutrale.
Spahiu
ishte në shërbimin 4 orësh, në drejtimin e nëndetëses. Bashkë me të në
sipërfaqe ishte edhe komandanti Aleko Pojani dhe ai i Flotës, Mati. “Në
një distancë prej 15 miljesh, u shfaq një objekt lundrues që lëvizte në
të njëjtin kurs me ne. Anija e panjohur dha një sinjal që sipas
deshifrimit paraprak ishte“Ju pengoj? Të ndryshoj kurs?”, tregon ai.
Por, komandant Mati vendosi ta verifikonte edhe një herë këtë mesazh. Sipas tij mesazhi i lëshuar nga anija më tepër se një mesazh, ishte një urdhër që na jepej: “Mos më pengoni! Ndryshoni kurs!”.
“Mbi
bazën e së drejtës ndërkombëtare ata nuk kishin të drejtë të na e
kërkonin këtë, e aq më tepër të na urdhëronin. Kjo, sepse ne ishim mjet
ushtarak me një fuqi të madhe. Në këtë kohë komandant Mati më urdhëroi
‘drejt perëndimit, ndiqe anijen’ Kjo duhet të jetë anije ruse dhe në të
duhet të jetë ish komandanti i bazës së Pashalimanit, Jegorov!”, kujton
ai.
Anija, amerikane
Pastaj
tregon se me të gjithë fuqinë e diezelave, ndryshuam kursin dhe po
ndiqnim anijen e panjohur, drejt perëndimit, duke lundruar me 18 milje
në orë. Kur e arritëm rezultoi se ajo ishte një anije ndihmuese e
Flotës së 6-të amerikane. Kur iu afruam, i gjithë ekuipazhi u rreshtua
në bord, duke bërë kryqin. Një silur nga ana jonë dhe ata mund të
përfundonin në fund të detit. Ndërkohë, ne e fotografuam anijen me
periskop dhe aparat fotografik dhe u kthyem në pozicionin tonë moral,
në kursin e mëparshëm. Por, ekuipazhi i anijes amerikane kishte dhënë
mesazhin se po ndiqej nga nëndetësja shqiptare.
Dy orë pas
kësaj, rrëfen më tej Spahiu, mbi ne vjen një aeroplan luftarak
bombardues amerikan B-52. Ishte në një lartësi mjaft të ulët. Aeroplani
hodhi një bovë dy metra larg bordit. Fillimisht e menduam bombë dhe me
thënë të drejtën u zverdhëm. Por, pasi ra në ujë, ajo doli. E dalluam
menjëherë ishte një bovë akustike me antenë, që raportonte pozicionin e
vendndodhjes tonë. U lehtësuam.
Në
çdo 3 milje, distancë, aeroplani hidhte nga 1 bovë. Pas 4 orëve, pranë
nesh mbërritën 2 kaçatorpedinierë luftarakë të Flotës së 6-të
Amerikane. Ishte ora 16.00. Ata lëviznin me 35 milje në orë dhe të
pajisur me 2 palë shtretër raketash. Kur erdhën anijet luftarake, ne
ishim në pozicionin PDNU (punim i dieselave nën ujë). Komandanti i
nëndetëses kërkoi leje për zhytje, por kjo nuk u aprovua nga
komandant Mati. Siç doli më vonë, ky ishte veprim i drejtë. Nga analiza
rezultoi se në kushtet e zhytjes gjithçka mund të ndodhte.
Në
kushtet që ne ndodheshim në pozicionin “mbi ujë” dhe me shpejtësi të
vogël, mundësia e një ngjarjeje me pasoja të rënda për ne ishte më e
vogël. Komiteti Qendror dhe Ministria e Mbrojtjes ishin vënë në alarm.
Na vinin mesazhe inkurajimi me radio. Më vonë na urdhëruan të
përgatisnim aparatet silurë për qitje, por me kushtin që të vepronim
vetëm nëse qëllonin ata të parët. Por asnjë silur nuk u vu në punë. Ata
nuk ngacmuan. Na shoqëronin me sinjale akustike. Për tre ditë, madje “u
miqësuam”.
Ata lëviznin përpara nesh dhe pastaj na prisnin sa
të afroheshim. Dy nëndetëset tona ishim në kursin normal të kthimit dhe
lëvizëm nga pozicioni PDNU mbi ujë. Në PDNU, nëndetësja lëviz me 6.3
milje/orë. Në Otranto, dy anijet amerikane u kthyen në drejtim të bazës
së tyre. Ndërkohë, për 7 orë që ne mbetëm vetëm dhe lundruam natën
përgjatë brigjeve të Italisë, me shpejtësi 3 milje/orë, italianët nuk
nxorrën asnjë anije, apo aeroplan. Kështu, kaloi udhëtimi 5 ditor dhe
kur mbërritëm në bazën e Pashalimanit ishim mjaft të gëzuar.
Baza e Pashalimanit, drejt standardeve të NATO
Baza Pashalimanit sot është përfshirë në një proces transformimi, për të arritur standardet e NATO-s. Prej dy vjetësh po zbatohet një projekt që synon ngritjen e një kantieri modern për ndërtimin dhe riparimin e anijeve ushtarake. Një projekt i përbashkët me qeverinë hollandeze prej 30 milionë eurosh. Pjesë e këtij investimi është edhe pajisja e Forave të Armatosura dhe Rojes Bregdetare Shqiptare, me katër anije patrulluese të kohës, tre prej të cilave do të prodhohen në kantierin e Pashalimanit. Ndërkohë që specialistë hollandezë, trajnojnë punonjësit shqiptarë, në një cep periferik të bazës trupat e 4 nëndetëseve të ndryshkura prej kohës, janë simbol i një kohe që ka mbetur pas.
| Tiranë | 7 | °C | |
| Prishtinë | -5 | °C | |
| Ulqin | 4 | °C | |
| Shkup | -5 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.13 | 141.91 |
| USD | 103.60 | 108.00 |
| GPB | 163.95 | 170.91 |
| CHF | 112.92 | 117.71 |