Nga Onna, epiqendra e tërmetit të fortë
që tronditi Abruzzo-n dje në agim, ka mbetur vetëm një grumbull i madh
rrënojash dhe disa shtëpi të shkatërruara si nga një bombardim, një
tragjedi që ka shkaktuar 40 të vdekur nga 300 banorë që jetonin atje.
Ai
që vetëm përpara dy ditësh ishte një fshat i madh i qetë në rrëzë të
maleve të mbuluara me borë afër Aquila-s, kryeqendra provinciale, tani
është veçse një fushë me rrënoja: rrugët janë zhdukur, ato janë mbuluar
nga tonelata tullash dhe betoni të shembur, asnjë shtëpi nuk i ka
rezistuar shkatërrimit nga tërmeti.
"Kemi
gjetur katër trupa këtu, tre prej të cilëve gjatë natës. Ky ishte numri
i personave të zhdukur për të cilin jemi njoftuar. Pra, me sa dihet,
nuk ka më persona nën rrënoja këtu", i bëri të ditur AFP-së komandanti
i ekipeve të shpëtimit.
Disa metra
nga fshati i shkatërruar, disa kuaj kullosin të qetë nën pemët e
lulëzuara dhe nuk duken të bezdisur nga dhjetëra kamionë të skuadrave
të shpëtimit dhe të ushtrisë që janë vendosur atje.
Më
larg, disa tenda të mëdha të bardha janë ngritur për të pastrehët e
Onna-s. Njëri pas tjetrit, si në vallen e vdekjes, banorët përshkojnë
disa metra që i ndajnë nga ish-fshati i tyre për të kundruar spektaklin
e pikëllimit.
"E gjithë familja ime
është gjallë, edhe miqtë e mi, por sa vetë kanë vdekur në fshatin tonë
të shuar. Bashkëshorti im i ka ndihmuar skuadrat e shpëtimit dhe ka
nxjerrë me duar disa trupa, ky është një makth dhe ky diell që shkëlqen
është i paturpshëm", shpërthen në lot 50-vjeçarja me emrin Silvana.
"Atje
ishte shkolla dhe atje në atë shtëpi vdiq një djalë 20 vjeç, atij iu
shemb çatia duke e zënë poshtë. Në atë shtëpi nuk e di më se kush
banonte, nuk e njoh më, sepse është shumë e shkatërruar", psherëtin ajo.
"Ka
patur alarme që prej disa javësh, madje që prej disa muajve ka patur
lëkundje, por nuk mund të them nëse do ta kishim shmangur këtë
tragjedi", shton Silvana, përpara se të hidhte përsëri shikiminn me
sytë ulur nga tendat.
Një burrë i
vjetër, me krahun në allçi dhe me një fashë të madhe në fytyrën e
mbuluar nga plagë të përgjakura, shkoi deri tek kordoni i sigurisë që
pengon hyrjen në rrënojat e fshatit dhe filloi të thërrasë në drejtim
të gazetarëve.
"Ku është (kryetari i
qeverisë) Berluskoni? Ai e ka fajin për gjithë këtë, përse
nuk e votoi këtë ligj të mallkuar kundër banesave të vjetëruara?", u
shpreh i mërzitur ai, duke bërë me duar në të gjitha drejtimet.
"Qeveria
ka para, por nuk i vë atje ku duhet. Të gjitha shtëpitë janë të vjetra
këtu, ajo nuk ka bërë asgjë, sigurisht që ato nuk rezistuan! Kam
shpenzuar mijëra euro për ta rindërtuar timen, por nuk shërbeu për
asgjë, gjithçka e mori lumi këtu", thërret ai edhe njëherë përpara se
të largohej duke mbajtur me zor ekuilibrin.
Disa
ushtarë ngrohen rreth një zjarri duke u përpjekur të largojnë gjurmët e
një nate të ftohtë ku temperaturat kanë rënë me disa gradë.
Shefat diskutojnë për operacionet e ndihmës që do të zhvillojnë në të
ardhmen: rreth 10 kilomera nga Onna, Aquila, krahinë me 70 000
banorë, vazhdonin kërkimet për gjetjen e të mbijetuave nën rrënoja
ShtypiDites