PORTRET/ VAÇE ZELA: ZËRI I JASHTËZAKONSHËM QË MBUSHTE ME ENERGJI SKENËN SHQIPTARE

PORTRET/ VAÇE ZELA:  ZËRI I JASHTËZAKONSHËM QË MBUSHTE ME ENERGJI SKENËN SHQIPTARE

Vaçe Zela, e lindur më 7 prill të vitit 1939, një vajzë nga Lushnja, që u bë artistja e popullit, nuk e kishte menduar se të kënduarit e këngës shqipe do ta përfshinin  në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë. 
Në Paris, e krahasuar me këngëtaren e madhe franceze, Edit Piaf, ndërsa në Itali me të madhen Mina, teksa poeti , Visar Zhiti do e quante zërin e Vaçes, një pjesë të lirisë së munguar.
Do të këndonte që e vogël në aktivitetet e ndryshme që organizoheshin në qytetin e saj, ku u zbulua si talent për të qenë paskësaj pjesë integrale e të gjitha festivaleve të muzikës në radio dhe më vonë në radio- televizion, që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981 kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë. Po ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, në të cilin ka interpretuar shumë këngë, pjesë e muzikës së filmave.
Për yllin e muzikës shqiptare do të vinin njëri-pas tjetrit çmime të shumta. Këngët "Çelu si mimoza", "Djaloshi dhe shiu", "E dua vendin tim", "Ëndrra ime", "Lemza", "Nënave shqiptare", "O diell i ri", "Sot mbusha 20 vjet", "Të lumtur të dua" e shumë të tjera do të mbeteshin në fondin e artë. 
Ndërsa çmimet që do të shkonin për këngëtaren janë të panumërta. "Artiste e Merituar" në '73-in, "Artiste e Popullit" në '77-ën, "Mjeshtre e madhe e punës", "Qytetare nderi e Lushnjes", po në qytetin e lindjes. Kinoteatrit iu vu emri i saj dhe u ngrit një bust, presidenti Alfred Moisiu i akordoi "Nderi i Kombit", ndërsa u shpall  edhe "Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit. 
Çmime të tjera ka marrë edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Ajo ka marrë Diskun e Artë nga Amerika, për kontribut në shoqëri në vitin '97, është zgjedhur gruaja e vitit '97-98 në Kembrixh të Anglisë, "Mikrofoni i Artë", nga Ministria e Kulturës e Kosovës, "Çmimi i karrierës" e shumë të tjera. Ndërsa Institutit Biografik Amerikan, e rreshton në botimin e tij ndër 500 njerëzit më me influencë.
Viti 1991 do të shënonte ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje. Sot, në moshën 70 vjeçare, ajo kujtohet  me adhurim nga publiku që ruan ende sot për këngëtaren e madhe.
Prej kohësh Vaçe Zela, mungon fizikisht në aktivitetin muzikor, teksa  mbetet "Zëri" i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare.  Ndonëse e larguar prej 8 vitesh në Zvicër, e lumturon fakti që njerëzit e kujtojnë, që ata nuk i kanë harruar këngët e bukura që ajo i përcillte nga skena e festivaleve. E ndërsa të gjithë shqiptarët do t'i shprehnin në këtë ditë, urimin për një jetë të gjatë.
Vaçe Zela jeton me bashkëshortin e saj, Pjetër Rodiqi dhe vajzën, Irma. Studenten e shkëlqyer të ekonomikut dhe më pas pedagoge në këtë fakultet dhe që tashmë punon në Institutin e Statistikave në Zvicër. Por rikthimi në Shqipëri,  mbetet dëshira më e madhe për Vaçen. 
E kujt si ka rënë në sy ballkoni me lule në qendër të Tiranës, pranë Sheshit Avni Rustemi  në Tiranë. Ballkoni i shtëpisë së saj, vazhdon të jetë i mbushur plot me lule. Sepse ajo nuk ishte vetëm këngëtare, por edhe "gruaja e luleve". Për to kujdeset e motra e saj, sigurisht  me shpresën se një ditë ajo do t'i prekë ato sërish . 
Sot në mbrëmje në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, nën kujdesin e veçantë të Zonjës së Parë, Teuta Topi,  organizohet një mbrëmje Gala kushtuar yllit të këngës shqiptare, e titulluar "Vaçe Zela, një grua, një mit", në të cilën pritet të marrë pjesë edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi.  Në plot 120 minuta artistë të njohur të skenës do të risjellin për publikun këngë të interpretuara në vite nga Vaçe Zela


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek