ANALIZĖ - ITALIA NĖ SPROVĖ - BERLUSKONI KULTIVON IMAZHIN PREJ BURRI SHTETI

ANALIZĖ - ITALIA NĖ SPROVĖ - BERLUSKONI KULTIVON IMAZHIN PREJ BURRI SHTETI

I gjithëpranishëm në terren pas tërmetit të fuqishëm që goditi Italinë, Silvio Berluskoni po kultivon imazhin e tij prej burri shtetit në një stil të polemizuar prej  provokatori vullnetar, që është tipar i njohur i tij. 
Për të tretën ditë radhazi, Kavalieri shkoi sot në Aquila, epiqendër e tërmetit që shkaktoi të paktën 260 të vdekur.  
"Kryetari i Këshillit të Ministrave është sot simbol dhe përfaqësues i institucioneve  (...). Berluskoni e ka kuptuar se lidershipi ushtrohet në Abruco dhe jo në Romë", nënvizonte sot  në një kryeartikull e përditshmja ekonomike "Il Sole 24 Ore".
I veshur me të zeza dhe pa kravatë, Kavalieri shkoi disa herë radhazi për të kontaktuar me të pastrehët në fushat ku janë vendosur çadrat.  
E ndërkohë që një pjesë e rrethit të tij të ngushtë dyshonte për këtë udhëtim, "vizita u kthye në shumë të suksseshme. Berluskoni shtrëngoi duar, dha këshilla, ofroi bonbone e madje premtoi të dëgjonte dhe një CD që ia dha një i pastrehë", nënvizon  "La Repubblica" (e majtë).
Berluskoni u angazhua se do të shkojë çdo ditë në Aquila, rreth 100 kilometra larg Romës, dhe u premtoi të shpëtuarve se "nuk do t'i linte vetëm". 
Ai e ka luajtur tashmë kartën e afërsisë edhe gjatë krizës së plehrave në Napoli, menjëherë pas ardhjes së tij në pushtet në maj 2008, duke i zhvilluar takimet e këshillit të ministrave në terren për dy muaj. 
Ai po e administron katastrofën aktuale me stilin e tij të zakonshëm, që i kushton rregullisht kritikat e ashpra nga e majta, që shikon tek ai një "njeri që bën vetëm gafa" apo më mirë "një turp" për imazhin e Italisë, si atëherë kur e cilësoi Barack Obamën, presidentin e parë me ngjyrë të SHBA-së, si "të ri, të bukur e madje edhe të nxirë nga dielli". 
Kështu, ai  i këshilloi të mbijetuarit  nga tërmeti, të strehuar provizorisht nëpër çadra, që ta konsideronin të gjithë këtë "sikur të jeni për kamping një fundjavë", sipas deklaratave  të transmetuara nga televizioni gjerman N-TV.
Ai i inkurajoi dje të pastrehët të "shkonin në bregdet për Pashkët", në hotelet e vëna në dispozicion të tyre, sepse "i paguajmë ne".  
"Vështirësitë nuk kapërcehen dot pa optimizëm", nënvizoi ai sot në Aquila, ndërsa dha një konferencë shtypi i veshur me një pulovër të thjeshtë të zezë me mëngët e përveshura, ku konfirmoi se nuk kishte fjetur gjatë 44 orëve. 
"Berluskoni dëshiron të paraqitet si burrë shteti dhe të mishërojë unitetin kombëtar. Ai reagoi menjëherë dhe me saktësi. Në moshën 72 vjeç, ai po mendon gjithashtu për etapën tjetër, atë të presidentit të Republikës. Ai e la pas, ndër të tjera, presidentin Giorgio Napolitano", që do të shkojë nesër në vend, i deklaroi AFP-së politologu specialist për Italinë, Marc Lazar.
E majta italiane, raportet e të cilës me Kavalierin janë shumë të këqija, u rezervua ta kritikonte hapur shefin e qeverisë. 
"Qeveria nuk po ia del keq. E majta e kuptoi se edhe për imazhin e saj nuk është mirë të këmbëngulësh mbi dështimin e operacioneve të shpëtimit. Solidariteti kombëtar qëndron para çdo lloj konsiderate tjetër", nënvizon editorialisti i  "Corriere della Sera", ish-ambasadori, Sergio Romano.
Madje edhe fillimi i polemikës për refuzimin e ndihmës së huaj nga Berluskoni, që opozita donte që ai ta pranonte, nuk zgjati. 
Vetëm sindikata kryesore e të majtës, CGIL, i bëri thirrje Berluskonit për "më shumë ndihma dhe më pak propagandë"


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek