Për herë të parë sopranoja shqiptare rrëfen për jetën private. Në një
intervistë dhënë gazetares Eni Vasili për "Alsat", ku Inva Mula flet
edhe për jetën artistike, po shkëpusim me shkurtime rrëfimin e saj.
Ju deri më sot keni heshtur për sa i takon jetës suaj private, ndonëse
shtypi shqiptar e ka përfolur shumë një ndarje të mundshme tuajën me
Pirro Çakon. Së pari, do të doja të dija pse kjo heshtje e gjatë dhe së
dyti, nëse është e vërtetë kjo, a do të pranonit ta thyenit heshtjen
sot me mua?
Sigurisht që kam heshtur për jetën private, se ka qenë private dhe nuk
kam dashur kurrë që ajo të bëhet publike. Sot do ta thyej heshtjen dhe
jam shumë e lumtur që jemi përballë për të folur diçka të sinqertë dhe
për të mos lënë që jetën time private ta tregojnë të tjerët me
imagjinatën e tyre, me thashethemet e tyre dhe me gjëra që nuk janë
fare të vërteta. Për mua është shumë e vështirë që ta thyej këtë
heshtje, për arsyen se nuk kisha marrë kurrë një vendim për ta bërë
publike jetën time private për artdashësit, por ndoshta kam edhe ndonjë
detyrim ndaj tyre. Publiku më shikon gjithmonë në skenë, ku artisti
duhet të tregojë një forcë shumë të madhe, për të mposhtur paragjykimet
dhe emocionet e të dalë fitimtare çdo natë në skenë. Duke më parë në
këtë prizëm ndoshta shikojnë në personazhin tim një femër shumë të
fortë, e cila nuk ka frikë nga asgjë. Prapa Invës artiste që ju
shikoni, fshihet një femër e brishtë, e cila ka momente shumë të
vështira personale, të cilat kanë filluar prej kohësh në jetën time.
Jam munduar t‘i riparoj, nuk e di, nuk ia kam arritur qëllimit, dhe jam
munduar gjithashtu t‘i fsheh e t‘i mbaj përbrenda.
Flitet se keni bërë një kërkesë për divorc ndaj bashkëshortit tuaj.
Është e vërtetë kjo dhe nëse po, cilat janë arsyet që ju çuan deri
këtu?
Po, është e vërtetë. Kam bërë një kërkesë për divorc dhe ka qenë ky një
vendim i marrë me shumë vështirësi. Kam vite që kam një raport shumë të
vështirë me Pirron, një raport i cili në një moment të caktuar të
jetëve tona ndryshoi dhe mori një formë për të cilën duhet të jepja një
zgjidhje të tillë. Por, për të arritur deri në këtë zgjidhje, kanë qenë
shumë etapa të jetës sime dhe ka qenë mjaft e vështirë, kam qenë e
konsultuar, e rrethuar nga miqtë. Kam menduar shumë, shumë, shumë dhe
nëse bëhet e ditur për publikun që kam kërkuar divorcin, duhet të
mendojnë të gjithë se përse e kam bërë, ç‘më ka shtyrë dhe sa kohë kam
që po e reflektoj një vendim të tillë.
Na i tregoni të gjithë këto...
Kam pasur një jetë të shkëlqyer, një dashuri të jashtëzakonshme, tepër
romantike. Ka qenë një nga ato dashuritë e para që nuk harrohen, në
bankat e shkollës; mendoja, ëndërroja dhe isha e sigurt se kjo gjë do
të vazhdonte gjithnjë. Mirëpo jeta tregoi se njerëzit zhvillohen në
kahe të ndryshme. Ka momente të vështira, mundohemi të rregullojmë
gabimet, mundohemi t‘i përshtatemi njëri-tjetrit deri në një pikë ku
nuk mban më dhe shikon që rrugët janë hapur shumë dhe janë devijuar nga
njëri-tjetri. Historia ime me Pirron ka qenë një nga më të bukurat,
deri në 2005-ën, kur Pirro vendosi që të frekuentonte Shqipërinë dhe
aty të mundohej të zhvillohej nga ana profesionale. Ky ka qenë një
vendim që ne e morëm së bashku dhe isha absolutisht dakord për një gjë
të tillë, për arsye se Pirro është një djalë shumë i talentuar, i cili
ka ëndrra të jashtëzakonshme për të arritur në fushën e muzikës dhe ka
talentin e duhur për ta bërë një gjë të tillë. Prandaj ka qenë një
vendim i dyfishtë. Isha shumë e lumtur që Pirro ndante jetën e tij
ndërmjet Tiranës që e do aq shumë dhe Parisit. Deri në momentin kur
këto ndarje u bënë shumë të gjata, për arsye se edhe unë
profesionalisht duhej të udhëtoja. Frekuentimi që Pirro bënte në Tiranë
nuk ishte më si më përpara, por zgjaste jashtëzakonisht shumë. Atëherë
filluan edhe çarjet e para të familjes sonë. Jam munduar dhe jemi
munduar t‘i riparojmë. Ju mund t‘i imagjinoni që këto ndarjet e gjata
sjellin edhe pasojat e tyre. Disa herë jemi munduar t‘i riparojmë duke
filluar nga e para, për arsye se na dukej e çuditshme që ne që ndanim
gjithçka bashkë dhe ishim shumë të lumtur, nuk arrinim më të gjenim
gjuhën e përbashkët. Nga të dyja palët ka pasur shumë përpjekje për ta
rifilluar nga e para, deri në momentin kur në dhjetor të 2007-ës Pirro
me vullnetin e tij vendosi të ikë për herë të parë dhe të fundit
përfundimisht nga shtëpia në Paris, nga familja. Ishte vullneti i tij,
ishin lutjet e mia për të mos ta bërë një gjë të tillë, por e pashë që
ai vendim ishte pjekur në kokën e Pirros dhe duhej ta realizonte. Që
nga ky moment, pra 27 dhjetori i 2007-ës, unë Pirron nuk e kam parë më,
nuk kam folur kurrë me të dhe nuk jemi takuar asnjëherë.
Keni tentuar ta bëni?
Kemi tentuar në mes miqve të përbashkët të mundohemi edhe njëherë ta
riparojmë një gjë të tillë, por me sa duket kishte ardhur një moment ku
ishte e vështirë të riparoje, pasi vendimi i Pirros për të ikur
përfundimisht ishte vërtet shumë i pjekur dhe unë nuk kisha asnjë
rrugëdalje tjetër veçse ta pranoja një gjë të tillë. Ndaj edhe sot
është e hera e parë që po ju them që nuk kam dashur kurrë që familja
ime të prekej dhe të prishej. Isha gati të bëja çdo lloj sakrifice.
Familja është për mua gjëja më e shtrenjtë dhe ka qenë burimi i
qetësisë sime shpirtërore, ka qenë burimi i frymëzimit që unë kisha.
Shkoja dy ditë në shtëpi, ndoshta vetëm 24 orë dhe merrja atë ngrohtësi
që më jepte Pirro e djali dhe nisesha e lumtur në produksionet e mia.
Ishte shumë e vështirë për mua dhe ka qenë një moment tepër, tepër i
vështirë që të pranoja që kjo familje nuk ekzistonte më.
Meqë jemi në komentet e shtypit, flitet prej kohësh që Pirro ka një
lidhje tjetër dashurie me një vajzë së cilës i ka kushtuar një këngë që
u bë hit verën e kaluar. Të gjitha këto gjëra thuhen në shtyp dhe tani
që flasim thuhet se është në një udhëtim në SHBA me vajzën në fjalë? A
keni komente për këtë?
Nuk kam komente, pasi nuk më takon të komentoj për jetën private të
Pirros. Këto gjëra i kam dëgjuar, gjithnjë në kuadrin e thashethemeve,
në kuadrin e gazetave; asgjë nuk di dhe nuk duhet më ta di. Uroj që
Pirro të jetë i lumtur, që të gjejë paqe, të gjejë ekuilibër në jetën e
tij dhe të jetë i dashuruar.
Në shtypin shqiptar është komentuar se keni qenë ju arsyeja dhe shkaktarja kryesore e prishjes së martesës suaj...
Kam bërë përpjekje që kjo kërkesë për divorc të ishte nga të dyja
palët. Por me sa duket nuk u pranua nga pala tjetër. Është një vendim i
menduar, i reflektuar, i konsultuar me miq, me specialistë dhe në radhë
të parë me zemrën time. Kam tentuar që kjo kërkesë të ishte nga të dyja
palët, për arsye se mendoja që edhe Pirro e kishte këtë dëshirë, që ne
të shkëputeshim edhe ligjërisht, pasi ajo ishte bërë de facto. E pashë
që nuk kishte më vend për përpjekje, gota ishte thyer dhe gjithë kohës
ishim munduar t‘i ngjisnim copëzat, por tani nuk i gjenim më. Në qoftë
se doni të dini formulimin që unë i kam bërë padisë është: "Për shkak
se ne nuk jetojmë më së bashku, martesa e ka humbur kuptimin". Është
kërkesa më paqësore që mund të ekzistojë për të ligjëruar atë që ka
ndodhur.
Në shtypin shqiptar lakoheni ju si shkaktare e prishjes së martesës,
për shkak të një marrëdhënieje tjetër që keni. Sa e vërtetë është kjo?
Është një mashtrim, një deformim i të vërtetës. Dhe unë sot përpara
jush dua vërtet të vendosen gjërat në vend. Nuk mund të abuzohet me një
tregim të tillë, për shkak se nuk qëndron aspak. Ndoshta u ashpërsova
për të treguar pikërisht se sa më ka prekur ky informacion, i cili ka
qenë edhe lajtmotivi i të gjitha shkrimeve në gazetat shqiptare. Për
asnjë gjë në botë, për asnjë njeri në botë nuk do e kisha prishur
familjen time, nuk do ta kisha prishur as 20 vjeçe, në atë moment kur
nuk mendojmë shumë, dhe jo sot që për mua ka qenë burimi i frymëzimit
tim dhe burimi i gjithçkaje të bukur që unë kisha, qoftë në jetën time
private, qoftë në profesionin tim. Kurrë nuk e kam vënë profesionin mbi
familjen dhe jam munduar t‘i ekuilibroj e t‘i menaxhoj të dyja që ato
të rrinin e të frymëzonin njëra-tjetrën. Kjo është një gjë që nuk mund
ta mbaj mbi supe, është një gjë e padrejtë.
Kush është zoti Ethem Ramadani për ju, ku dhe si e keni njohur?
Zoti Ramadani është lakuar gjithë këtë periudhë në gazetat shqiptare.
Në radhë të parë më ka ardhur keq mënyra se si është komentuar ky
personazh. Në muajin mars, kur ndodhi historia e Gërdecit dhe më pas
kam lexuar për herë të parë si zoti Ramadani erdhi me dëshirën e tij në
Shqipëri për të kontribuar në atë katastrofë dhe për të ndihmuar
sadopak ato familje të varfra që kishin humbur gjithçka. Ka bërë
përpjekje të jashtëzakonshme humanitare në Shqipëri, në Kosovë për
gjithë shqiptarët kudo që janë. Më pas ai bëri një gjest të
jashtëzakonshëm, duke dhënë disa çmime për 15 artistë shqiptarë. Ishte
një gjest që nuk kishte precedencë, nga më të bukurat që mund t‘i bëhet
një artisti, i cili ka bërë një karrierë dhe është paguar shumë pak për
atë që ka bërë, ndërsa sot është pensionist, bëhet një njeri i
zakonshëm, një njeri që ndoshta duhet të numërojë edhe paratë në fund
të muajit e papritmas një njeri humanitar kërkon që këtyre njerëzve t‘u
japë një shpërblim modest, duke qenë se kishin ndërtuar në vite një
konto emocionale. Pra, ishte një gjest i jashtëzakonshëm, që nuk e
kishim parë më parë. Nuk e kam njohur zotin Ramadani absolutisht në
këtë periudhë, vetëm kam dëgjuar dhe njohja me të ka qenë rastësisht në
fund të muajit shtator të vitit 2008 në një festë familjare dhe më pas
jemi takuar në muajin tetor, pikërisht për të marrë një vendim të
përbashkët në krijimin e një fondacioni shqiptar, i cili do të
ndihmonte më në fund talentet e reja. Një fondacion që filloi të
lëshonte bulëzat e para të këtyre iniciativave, që gjithmonë i kisha
ëndërruar e nuk i realizoja dot dhe në këtë rast ishte një takim shumë
i rëndësishëm, i cili është bërë më 5 tetor 2008 këtu në Paris. Është
një nga takimet më të bukura, në kuptimin se si mund të bëhet arti
pjesë e biznesit dhe e kundërta biznesi të ndihmojë artin. Duke parë
ndjenjën e filantropizmit te zoti Ramadani, i kërkova të kontribuonte.
Sot për sot është një fondacion që ende nuk e kemi shpallur në shtyp,
për arsye se shtypi nuk na la kohë që ta bënim këtë, pasi na vuri
epitete të tjera, të cilat duhet t‘i sqarojmë përpara një kauze kaq të
rëndësishme, siç është kjo e fondacionit. Në këtë rast kemi ndërtuar
bordin ku bëjnë pjesë intelektualët më të shquar shqiptarë, jo vetëm në
Shqipëri, por kudo ku flitet shqip. Do të jetë një fondacion i
shkëlqyer për artin shqiptar dhe për të ndihmuar iniciativat private,
gjëra që janë shumë të vështira për t‘u realizuar në Shqipëri. Pra, ne
sot flasim për një fondacion mjaft të rëndësishëm dhe nëse shtypi
shqiptar dhe nëse thashethemet duan ta kombinojnë e duan të flasin që
prishja e familjes sime ka ardhur nga mua dhe pikërisht nga kjo lidhje,
është komplet e gënjeshtërt.
Meqë kemi ardhur në fund të këtij rrëfimi, për çfarë ju vjen më tepër keq në të gjithë këtë histori?
Sigurisht që më vjen keq në radhë të parë për thyerjen e ëndrrës që një
dashuri duhet të jetojë përgjithnjë, gjë që unë mendoja se e kisha, por
ja që çdo gjë paska limitin e vet dhe gjërat ndryshojnë në jetë. Kjo
është gjëja që më vret më shumë dhe kjo është dhimbja që unë kam.
Inva, si e shikoni të ardhmen tuaj tani dhe çfarë kërkoni më tepër nga jeta?
Në gjithë këtë histori, personi i cili është lënduar dhe po lëndohet
nga kjo ndarje është djali, Antoni. Për atë erdhi në mënyrë të
papritur, pasi nuk i dinte të gjitha këto konflikte që kisha me Pirron.
Detyra ime kryesore është që të mbroj në shpirtin e tij atë ndjenjë të
bukur, e cila është thyer për t‘i parë të dy prindërit së bashku. Gjëja
që unë sot uroj është që djali të rritet përkrah babait të tij dhe do
bëj gjithçka për këtë, të rritet përkrah babait të tij, për t‘u bërë
burrë dhe përkrah nënës së tij, për t‘i dhënë zemër.
Gazeta Shqip