SHKODĖR: PASHKA NXJERR NGA NGUJIMI 4 FAMILJE KATOLIKE

SHKODĖR: PASHKA NXJERR NGA NGUJIMI 4 FAMILJE KATOLIKE

Katër familje me probleme gjakmarrjeje në rrethin e Shkodrës janë pajtuar të dielën në Ditën e Pashkës Katolike.
“Krishti është ngjallur” është mesazhi që përcillet në këtë ditë të shënuar për të gjithë besimtarët katolikë, mesazh që sot u shoqërua me pajtimin e katër familjeve në hasmëri, dy prej të cilave me banim në Hotin e Ri dhe dy të tjera në Rranxa të komunës Bushat.
“Në emër të Krishtit të Kryqëzuar dhe të Ringjallur, katër familjet katolike u pajtuan, duke  rifituar qetësinë, gëzimin, lirinë dhe vëllazërim”, tha Arqipeshkvi Metropolitan i Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Angelo Masafra gjatë meshës solemne të Pashkëve të dhënë sot paradreke në Katedralen “Shën Shtjefni” të qytetit të Shkodrës.
Duke i konsideruar Pashkët si qendra e jetës së të krishterit, Imzot Masafra u shpreh se “Pashkët janë festa e jetës, pasi kremtojnë kapërcimin e vdekjes nëpërmjet jetës, Krishti e ka mposhtur vdekjen" tha ai. 
Imzot Angelo Masafra, u ndal në veçanti tek të sëmurët, duke i uruar që Jezusi i ngjallur të jetë forca, shpresa dhe hareja e përhershme e jetës, ndërkohë që përcolli urime edhe për të gjithë të katolikët që festojnë Pashkët brenda dhe jashtë Shqipërisë. 
Ceremonitë për festën e Pashkëve u organizuan dhe në kisha të tjera katolike në qytet dhe në gjithë qarkun e Shkodrës, ku është i përqëndruar ky komunitet besimtarësh. 
Ndërkohë drejtuesit e kishës katolike kanë pritur autoritete vendore si dhe përfaqësues të komunitetin ortodoks dhe mysliman, pët të cilët si zakonisht në bazë të traditës janë dhuruar vezët Pashkës


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek