-Në muajin qershor Shqipëria do të ketë dhe një simbol më tepër në procesin e transformimit dhe ndryshimit të saj.
Prej
disa javësh në TEC-in që po ndërtohet në bregdetin perëndimor, 7 km
larg qytetit të Vlorës, punimet kanë hyrë në një fazë përfundimtare,
ndërkohë që pjesa më e madhe e sistemeve përbërës të tij tashmë kanë
kaluar dhe provën “në ngarkesë”, ose siç e cilësojnë specialistët e
këtushëm “komisionimin”.
Janë teste që vlerësojnë përfundimisht cilësinë e punimeve të kryera në to dhe që realizohen nga grupe specialistësh.
Përmirësimi
i motit ka krijuar kushte të përshtatshme për të respektuar limitet
kohore, pavarësisht se ekzistojnë mjaft pengesa të natyrës objektive si
p.sh rritja globale e çmimeve të pajisjeve energjetike apo kushtet e
papërshtatshme atmosferike në disa porte ku ngarkohen
materialet. Megjithatë specialistët e kompanisë italiane TECMOND dhe
ata të KESH-it po bëjnë gjithçka që gjërat të ecin ashtu siç duhet dhe
në muajin qershor të bëhen provat e para manuale në ngarkesë, duke i
shtuar zyrtarisht një burim tjetër prodhimi sistemit energjetik
shqiptar.
Drejtori
i objektit, inxhinieri 46 vjeçar, Mario Sota, na njeh me ecurinë e
grafikut të punimeve. “Ka përfunduar testimi i transfomatorit të
emergjencës, i sistemit të lubrifikimit të turbinës dhe gjeneratorit,
ka përfunduar montimi i turbinës së avullit dhe gazit, janë në
përfundim aksesorët ndihmës të kaldajës dhe, janë në proces testimi të
provave hidraulike të saj”, thotë ai, duke shtuar se “ndërkohë janë në
përfundim edhe punimet për ndërtimin e sistemit të marrjes së ujit dhe
rikthimit të tij në det”.
Sipas
z. Sota, është në fazën përfundimtare impianti i deminarilizimit të
ujit dhe brenda pak ditësh do të “testohet” nënstacioni, një nga
objektet më të rëndësishme të TEC-it, që do të përcjellë energjinë
elektrike të prodhuar këtu në sistemin kombëtar. “Në
tërësi, kanë mbetur ende disa punime në sistemin e tubacioneve
nëntokësore dhe sistemit të mbrojtjes nga zjarri, që po realizohen
pjesë- pjesë’, shton inxhinier Sota.
Për
të dhënë një ide më të qartë për dimensionet e kësaj vepre moderne të
prodhimit të energjisë, mjafton të përmendim faktin se sistemet
përbërëse të saj përfaqësojnë arritjet më të fundit në teknologji.
Sistemi i marrjes dhe rikthimit të ujit në det, apo ai i ftohjes
termike, që zbatohen për herë të parë në vendi tonë janë aplikuar deri
tani vetëm në katër apo pesë objekte të tilla të ngjashme në Itali. Në
tërësi, gjatësitë respektive të sistemeve të tubacioneve të marrjes dhe
rikthimit të ujit në det shkojnë në 1600 dhe 1200 metra, prej të cilave
60% nën sipërfaqen detare.
Sipas
inxhinier Mario Sota, edhe pontili i furnizimit me naftë, që po
ndërtohet në një thellësi prej 3.4 km nga bregu, përfaqëson fjalën e
fundit të teknologjisë bashkëkohore. Koka e këtij pontili do të
instalohet në një mekanizëm fleksibël, ndërkohë që sistemi i
tubacioneve me diametër 1.5 m, po vendoset nën tabanin detar. Për të
realizuar këtë proces, anijet dragë po hapin kanale me thellësi 4 m,
nën sipërfaqen e këtij tabani, një punë mjaft e vështirë.
“Është
në tërësi një vepër me të cilën mund të krenohet çdo vend”, thonë
specialistët shqiptarë dhe ata italianë, që punojnë për përfundimin e
këtij objekti.
Ndërtimi
i TEC-it të ri, rreth 7 km në veriperëndim të qytetit të Vlorës, përbën
investimin më të rëndësishëm përgjatë disa dekadave në
sistemin energjetik të Shqipërisë. Ky objekt përbën dhe një sfidë për
ekonominë shqiptare dhe një moment të rëndësishëm në procesin e
transformimit të vendit drejt standardeve bashkëkohore.
Një
nga objektet, që përfaqëson këto standarde është godina e kontrollit të
TEC-it që emërtohet ndryshe “truri” i tij dhe që është në fazën
përfundimtare të ndërtimit. Gjithçka këtu është e automatizuar.
Teknologjia është shumë e avancuar dhe përmes kësaj hallke mund bëhet
komandimi automatik nga vendi dhe në distancë i të gjithë centralit.
Rëndësia e TEC-it të Vlorës vlerësohet jo vetëm në shtimin e kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike, por edhe në përmirësimin e cilësisë së furnizimit, në profilin e tensionit, duke ndryshuar gjeografinë e burimeve.
Sistemi
i prodhimit të TEC-it do të jetë i alternuar. Turbina e gazit do të
realizojë 2/3 e kapacitetit të prodhimit të TEC-it, ndërsa ajo e
avullit do të gjenerojë pjesën tjetër të këtij kapaciteti.
Në
të gjithë procesin, duke përfshirë fazën paraprake, montimin dhe
shfrytëzimin e objektit, janë instaluar apo do të instalohen pajisje
moderne, që bëjnë monitorimin e të gjitha parametrave të ajrit dhe të
emetimit të gazeve të dëmshëm. Pjesë e konsulencës dhe e standardeve
mjedisore është dhe temperatura e uji, që do të përdoret për ftohjen e
sistemit dhe që do të kthehet sërish në det. Kjo do të jetë në nivelin
0.86 gradë Celsius, ose pothuajse 2 herë më e ulët se standardet e
BE-së.
Për ndërtimin e TEC-it të Vlorës
po punojnë mbi 400 specialistë vendas dhe të huaj, kryesisht italianë.
Janë 150 punonjës shqiptarë, pjesë përbërëse e këtij grupi dhe që, në
vetvete, do të krijojnë një përvojë të vyer për realizimin e veprave të
tilla të standardeve më të përparuara ndërkombëtare.
Paralelisht
me këtë, gjërat po ecin dhe në aspektin e dokumenteve, gjë që e bën
edhe më të prekshme atmosferën e futjes në prodhim të këtij objekti.
Rreth 1 muaj më parë, Bordi i Komisionerëve të ERE-s (Enti Rregullator
i Energjisë), ka zyarizuar liçencimin e aktivitetit të TEC-it, duke
mbyllur kështu procedurat e funksionimit të tij
ShtypiDites