Në pjesën ushtarake të aeroportit
të Rinasit u zhvillua sot, ceremonia e nisjes së Kontigjentit të 14-të
Paqeruajtës në Kabul të Afganistanit.
Sipas Zyrës për Shtyp të
Ministrisë së Mbrojtjes , ky kontigjent, efektiv i Batalionit të Dytë
të Brigadës së Reagimit të Shpejtë në Zall-Herr, përbëhet nga 23
oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë. Ata do të jenë të
inkuadruar në përbërje të forcave turke dhe do të përmbushin detyrat
për sigurimin e aeroportit të Kabulit dhe detyra të tjera në kuadër të
misioneve paqeruajtëse të NATO-s.
Në
ceremoni ishte i pranishëm zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA
gjeneral brigade Zyber Dushku, komandanti i Brigadës së Reagimit të
Shpejtë gjeneral brigade Viktor Berdaj, ushtarakë të tjerë të lartë të
Forcave të Armatosura, si dhe familjarë e të afërm të paqeruajtësve. I
pranishëm gjatë ceremonisë gjithashtu ishte atasheu ushtarak dhe shefi
i Zyrës së Koordinimit dhe Bashkëpunimit Ushtarak të Turqisë në Tiranë
kolonel shtabi Saim Bagci, si dhe ushtarakë të tjerë turq që ndodhen me
mision në Shqipëri.
Po sipas të njëjtave burime, Zv.shefi
i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Zyber Dushku tha në
ceremoni se, ''pavarësisht se ky është kontigjenti i 14-të që ne
përcjellim për në Kabul të Afganistanit, ai është i pari që niset
tashmë që Shqipëria është bërë vend anëtare me të drejta të plota në
NATO. ''
“Prandaj
dhe me këtë rast, në emër të Ministrit të Mbrojtjes Gazmend Oketa dhe
të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj ju shpreh
përshëndetjet tona për kryerjen me sukses të këtij misioni”, - theksoi
Dushku.
Në
përfundim të ceremonisë, zv/shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA
gjeneral brigade Zyber Dushku i dorëzoi flamurin komandantit të
Kontigjentit të 14-të Paqeruajtës, toger Dritan Gjozi.
ShtypiDites