Bashkia e
Gjirokastrës ka vlerësuar sot me titullin "Qytetar nderi" kryetarin e
Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj me
motivacionin “Për kontribut të shquar në luftën për çlirimin e Kosovës,
fitoren e Pavarësisë dhe rindërtimin e vendit”.
Në
ceremoninë e organizuar me këtë rast në galerinë e artit “Gjin
Zenebishi” në kalanë e Gjirokastrës, ish-kryeministri i Kosovës, z.
Haradianj u shpreh se “ndihem i obliguar që marr këtë titull nderi nga
qyteti i trashëgimisë botërore të UNESKO-s”.
Ai iu referua ngjarjeve të ndodhura 10 vjet më parë në Kosovë, kur mijëra qytetarë u shpërgulën me forcë nga trojet e tyre dhe u vendosën për disa muaj në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
"Falë bujarisë suaj, sot Kosova po përjeton të ardhmen e saj”, tha z. Harandinaj duke falenderuar me këtë rast gjirokastritët, të cilët në pranverën e vitit 1999 mirëpritën me bujari mbi 5 mijë kosovarë.
Gjatë
dorëzimit të titullit, kryebashkiaku Flamur Bime u shpreh se
“Gjirokastra ka treguar me shekuj se atdhetarët dhe patriotët i nderon
ashtu siç e do kultura gjirokastrite". Kam kënaqësi, vijoi ai, të nderoj njeriun që 10 vjet më parë u bë simboli i bashkimit të dy kombeve.
ShtypiDites