Mesazhe paqe dhe dashurie, janë në qendër
të urimit, që Anastasi, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë
Shqipërisë, u uron sot, në vigjilje të Pashkëve, të gjithë besimtarët
ortodoksë shqiptarë.
Në mesazhin për Pashkët 2009, kryepiskopi ka zgjedhur pjesën biblike, ku ftohen besimtarët që të mos kenë frikë.
"Mesazhi i Ngjalljes predikon në mënyrë diakronike lirinë nga çdo gjë që shkakton frikë", . thuhet në këtë mesazh urimi.
Më
tej ai vijon "Në epokën tonë janë shumuar frikërat që kërcënojnë jetën
tonë. Madje, kohët e fundit janë acaruar edhe për shkak të vuajtjeve që
shkakton kriza ekonomike në tërë planetin. Fobi të reja dhe të vjetra
qarkojnë mendjen tonë dhe na e shtrëngojnë zemrën. Brenda kësaj
atmosfere të nderë vjen e kremtja e Ngjalljes që të ftojë çdo besimtar
në një rrugëtim lirie nga frika. Nga frika e atyre që janë armiqtë
tanë. Nga frika që krijon padrejtësia dhe egërsia e shoqërisë sonë. Nga
frika e mëkatit shumëformësh që depërton në qenien tonë dhe na e
tjetërson. Nga frika e dhimbjes, e varfërisë, e sëmundjes, e vetmisë, e
rreziqeve dhe hidhërimeve që kërcënojnë jetën tonë. Nga frika e
problemeve të mprehta të jetës së përditshme. Nga frika e së
panjohurës, e dështimit, e pasigurisë për të ardhmen".
Në
përfundim, Anastasi, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë
Shqipërisë, shprehet se "Kulmi i mesazhit të Ngjalljes së Krishtit
është çlirimi nga frika e vdekjes, e vdekjes sonë dhe e njerëzve tanë
të afërm, frikë që na e ndrydh jetën. E kremtja e Ngjalljes nuk shpall
thjesht një lajm, por na fton të marrim pjesë në lirinë, që na fali
Krishti".
ShtypiDites