SHËNIM - VATIKANI TENSIONON MARRËDHËNIET ME HEBRENJTË PAS PJESËMARRJES NË KONFERENCËN PËR RACIZMIN

SHËNIM - VATIKANI TENSIONON MARRËDHËNIET ME HEBRENJTË PAS PJESËMARRJES NË KONFERENCËN PËR RACIZMIN

Vendimi i Papë Benediktit XVI për të dërguar një delegacion të Selisë së Shenjtë në një konferencë të Kombeve të Bashkuara për racizmin ka hapur një të çarë tjetër në marrëdhëniet me grupimet hebrenje, që druhen se konferenca në fjalë do të shfrytëzohet si platformë nga ku do të sulmohet Izraeli.
Me pjesëmarrjen në këtë konferencë, Vatikani ka dhënë pëlqimin e tij lidhur me atë që po përgatitet kundër Izraelit atje", deklaroi sot kryerabini i Romës, Riccardo Di Segni, për të përditshmen italiane "La Stampa".
Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera aleate, ndër to edhe Italia, kanë bojkotuar këtë konferencë.
Papë Benedikti, i cili muajin e ardhshëm zhvillon vizitën e parë në Izrael si kreu i Vatikanit, e vlerësoi dje konferencën si një iniciativë të rëndësishme dhe u shpreh se shpresonte që takimi do të ndikonte "në ndalimin e çdo lloj forme të racizmit, diskriminimit dhe intolerancës".
Shimon Samuels, kreu i zyrës evropiane të qendrës hebreje "Simon Wiesenthal", u shpreh se përmes këtij vendimi "Vatikani ka vendosur vulën e aprovimit në fushatën e urrjejtes ndaj Izraelit".
"Vatikani është një zë i fuqishëm dhe bojkoti i tij do të kishte patur një efekt të fortë demonstrativ", u shpreh ai për agjencinë Reuters.
Zëdhënësi i parë i Vatikanit, At Federico Lombardi mbrojti praninë e Selisë së Shenjtë dhe deklaroi se teksti i shumëpërfolur i deklaratës përfundimtare të konferencës ishte përmirësuar gjatë javëve të fundit.
"Kjo është një konferencë ndërkombëtare e organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Selia e Shenjtë. Mosprania e disa vendeve të rëndësishme në konferencë nuk do të thotë që Vatikani të mos mbajë një qëndrim dhe zhvillojë një dialog pozitiv atje", tha ai.
Presidenti amerikan Barack Obama, i cili pritet të zhvillojë takimin e parë me Papën në muajin korrik, deklaroi se Uashingtoni beson që konferenca do të kthehet në një arenë antagonizmi ndaj Izraelit.
Ndërkohë Izraeli tërhoqi sot ambasadorin e tij në Zvicër në shenjë proteste ndaj konferencës, ku merr pjesë edhe presidenti konservator iranian Mahmoud Ahmadinexhad, i cili ka deklaruar se shteti hebre "duhet të fshihet nga harta" dhe ka shprehur dyshime lidhur me vërtetësinë e ekzistencës së Holokaustit gjatë Luftës II Botërore.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek