Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerësoi sot ish- luftëtarët e UÇK-së si një shembull i gjallë vetmohimi dhe motivimi.
Zyra e shtypit pranë Presidencës bëri të ditur se Kreu i Shtetit priti
sot në Pallatin e Brigadave një përfaqësi të përbërë nga ish-luftëtarë
dhe drejtues të batalionit “Atlantiku”, formacionit ushtarak vullnetar
shqiptaro-amerikan, që dhjetë vjet më parë u rendit në radhët e
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke luftuar për lirinë e Kosovës.
Presidenti
i Republikës vlerësoi ish-luftëtarët e UÇK-së në përgjithësi dhe në
veçanti, anëtarët e batalionit “Atlantiku” për sakrificën e
jashtëzakonshme dhe sublime që ata bënë, "për të cilën do të mbeten për
gjithmonë në kujtesën e kombit shqiptar si një shembull i gjallë
vetëmohimi dhe motivimi".
Kreu
i Shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen dhe admirimin për këta
përfaqësues të të gjithë trevave shqiptare, "të cilët me aktin e tyre
historik e vullnetar ishin njëkohësisht edhe përfaqësues të përkrahjes
dhe ndihmesës së madhe e të pashembullt të mikut dhe partnerit tonë më
të madh e historik, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës", duke vënë
në dukje njëkohësisht se "ëndrra për një Kosovë të lirë e të pavarur u
bë realitet në sajë të përpjekjeve të tyre të pashembullta dhe
mbështetjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë".
Ish-luftëtarët
e batalionit “Atlantiku”, të cilët shoqëroheshin në këtë takim nga
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Gazmend Pulaj, e uruan
Presidentin Topi, njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të
Armatosura, për hyrjen e Shqipërisë me të drejta të plota në Aleancën e
Atlantikut të Veriut.
ShtypiDites