Kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas
vendimit të sotëm të Gjykatës së Vlorës për heqjen e të drejtës
politike dhe elektorale ndaj Kryetarit të Bashkisë së Himarës, zotit
Vasil Bollano.
"Kryeministri Berisha,
duke mbetur gjithmonë shumë i ndjeshëm ndaj respektimit dhe garantimit
të të drejtave dhe lirive të çdo qytetari, si dhe për respektimin e
plotë të pavarësisë së sistemit gjyqësor, mendon se interpretime dhe
zbatime të ligjeve që mund të mbartin nuanca politike dhe arkaike nuk i
shërbejnë qëllimit të vendosjes së ligjit”, thuhet në një njoftim të
publikuar sot në mbrëmje në faqen zyrtare të qeverisë.
Kryebashkiaku
Vasil Bollano u dënua sot nga gjykata e rrethit të Vlorës me 6 muaj
burg dhe 500 mijë lekë gjobë, për shpërdorim detyre. Sipas
gjyqtarit, Shkëlzen Selimi, nga vlerësimi i provave rezulton se Bollano
ka shpërdoruar detyrën e tij publike duke urdhëruar heqjen dhe
çmontimin e sinjalistikës rrugore, në segmentin Llogora-Qeparo, pjesë e
rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë. Sipas tij, nga dy urdhëra të lëshuara
prej z. Bollano janë dëmtuar interesat shtetërore, e shoqëruar kjo me
një dëm financiar prej rreth 1.8 milionë lekësh. Gjatë fazës së
hetimit, Bollano e ka argumentuar urdhrin e tij me faktin se për
vendosjen e këtyre tableave nuk ishte marrë leje nga bashkia. Vasil
Bollano është zgjedhur në krye të bashkisë së Himarës, për dy mandate
radhazi.
ShtypiDites