Strehimi, 250 familje përfitojnë kredi të lehtësuara

Strehimi, 250 familje përfitojnë kredi të lehtësuara

Një tjetër kategori familjesh do të përfitojë nga politikat e strehimit të Bashkisë së Tiranës. Për herë të parë, bëhet publik Programi i Banesave me Kosto të Ulët, përmes së cilit do të jepen 250 kredi të lehtësuara nga shteti, të cilat do të ndikojnë në zbutjen e kësaj plage urbane, që u thellua fill pas vitit 1997.                                                                                          Ky program i ri shkon paralel me Bonusin e Strehimit që funksionon prej tre vjetësh dhe menaxhohet nga Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social pranë Bashkisë së Tiranës. Kjo Drejtori, për ta bërë sa më transparent procesin, ka shpallur njoftimin në Zyrën e Pritjes së Qytetarëve, në faqen elektronike të Bashkisë dhe në të gjitha Njësitë Bashkiake të Tiranës, për të gjithë familjet që kanë paraqitur kërkesat për trajtim me bonus strehimi. Sipas kritereve të përcaktuara, familjet aplikante duhet të kenë nivele të ardhurash në këto kufij:

 

24 699 - 41 292 lekë  (për familjet të përbëra nga 1- 2 persona)

34 356 – 55 348 lekë (për familjet të përbëra nga 2-3 persona)

44 841 – 71 431 lekë (për familjet të përbëra nga 3-4 nga persona)

56 569 – 90 556 lekë (për familjet të përbëra nga 4-6 persona)

 

Fituesit e kredive do të jenë ata të cilët do të kenë pikët maksimale, sipas sistemit të pikëzimit, miratuar në Këshillin Bashkiak në dhjetor të vitit 2008. Pas përzgjedhjes, lista e fituesve do të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe më pas dokumentacioni do t’i kalojë bankës, për dhënien e kredisë. Familjet që do të aplikojnë në këtë program, duhet të paraqesin në Bashkinë e Tiranës dokumentacionin e mëposhtëm:

 

1) Çertifikatën e lindjes së aplikantit dhe çertifikatën e gjendjes familjare;

2) Vërtetimin për vendbanimin në bashkinë ku kërkohet strehimi ose lejen e banimit, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit;

3) Vërtetimin e të ardhurave neto të familjes;

4) Dokumentacionin përkatës nga punëdhënësi për detyrën dhe të ardhurat e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune;

5) Dokumentin nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, kur njëri nga anëtarët e familjes është i vetëpunësuar;

6) Vërtetimin nga zyra e ndihmës dhe përkujdesit pranë bashkive, për anëtarët e familjes, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës, për personat me aftësi të kufizuar;

7) Vërtetimin nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse, për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë;

8) Vërtetimin nga organet e sigurimeve shoqërore, për personat në pension;

9) Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi, banesë a ndonjë mjedis, që mund të përdoret si e tillë;

10) Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e pronës që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat në fuqi të strehimit;

11) Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të vendit të origjinës, se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi;

12) Dokumentin zyrtar të celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës për çiftet e reja;

13) Vendimin e gjykatës që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët, për çiftet e divorcuara;

14) Vërtetimin përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit;

15) Vendimin e komisionit mjekësor të përcaktimit të verbërisë ose të komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë për punë, për individë me aftësi të kufizuara, që trajtohen sipas shkronjës "d" të nenit 5 të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004 "Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane" .

16) Dokument që vërteton se familja jeton në shtëpi me ish - pronarë.

17) Dokument që vërteton se familja ka humbur shtëpinë në firmat piramidale.

18) Dokument që vërteton se familja ka mbetur e pastrehë, për shkak të zbatimit të projekteve publike e ndërtimit të veprave me interes publik (shembje banesave informale, lirim objektesh me funksione publike)

19) Deklaratë personale e noterizuar ku përfshihen të gjitha pikat e mësipërme.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek