KUKËS: RRITET INTERESI PËR ZHVILLIMIN E PEMËTARISË

KUKËS: RRITET INTERESI PËR ZHVILLIMIN E PEMËTARISË

Agjencia e Zhvillimit Rural (ish projekti 2 KR), po rrit ndjeshëm interesin e fermerëve të qarkut të Kukësit për zhvillimin e pemëtarisë, si një degë që mundëson shtimin e të ardhurave të banorëve të zonës. 
Specialisti i drejtorisë rajonale të bujqësisë në Kukës, Sefedin Mata, tha për ATSH-në, se   "këtë vit janë 110 projekte të vlerësuara, prej të cilave 12 në vreshtari ku do të mbillen 7 ha, dhe 98 në pemëtari ku do të mbillen 83 ha, ose 30% më shumë se në vitin 2008". 
Fondi i akorduar për realizimin e projekteve të përgatitura nga vetë fermerët dhe të miratuar nga Agjencia e Zhvillimit rural në Kukës, arrin në 25 milion lekë. 
"Përmes këtij fondi, fermerët privatë në qakr do të ngrejnë pemëtore të reja në një sipërfaqe toke bujqësore deri në 3,5 ha kryesisht me gështenja, mollë, kumbulla e vreshta etj", thotë Mata. 
Projekti "2 KR" në qarkun e Kukësit ka tre vjet që ka nisur. Në 2 dy vitet e para përfituan ndihmë financiare me projektet 184 fermerë, me një fond përfitues prej 50 milion lekësh. 
"Rritja e sipërfaqes së mbjellë me pemëtari e vreshtari është rrjedhojë e rritjes së kërkesës së tregut për prodhimin vendas, si për cilësinë e lartë të prodhimit, edhe të çmimit më të ulët. Kjo ka bërë që edhe interesi i fermerëve për shtimin e sipërfaqes së pemëtarisë vjen në rritje", thotë Mata. 
Veçanrësisht po vjen në rritje interesi i biznesmenëve të huaj për gështenjën e Tropojës, e cila tashmë ka dalë me sukses në treg, si në Maqedoni, Turqi etj. 
Në qarkun e Kukësit të ardhurat nga pemëtaria e vreshtaria zënë rreth 24 për qind të totalit të të ardhurave. Fermerët kanë në pronësi rreth 650 mijë rrënjë, prej të cilave 560 mijë janë në prodhim. Prej tyre merret një prodhim prej mbi 6600 tonë gjithsej, që kryesisht del në treg i papërpunuar. Në të gjithë qarkun ka 305 mijë rrënjë rrushi, me 59 ha vreshta me një prodhim prej rreth 3400 tonë gjithsej. 
"Projekti "2 KR" ka nxitur fermerët për përgatitjen e projekteve, gjë që do të mundësojë që në një të ardhme të afërt të kërkojnë vetë ndihmën financiare përmes projekteve të përgatitura nga vetë ata", thotë Mata. 
Ndihmesë kanë dhënë edhe specialistët e pemëtarisë, të cilët në rolin e këshilltarit kanë qenë të pranishëm në realizimin cilësor të të gjitha projekteve të miratuara deri tani e që gjatë 3 viteve arrijnë në 294, me një fond përfitues prej 75 milion lekë.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek