Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë hapi sot padite në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Panairin e Biznesit Gjerman, nën siglën "Shqipëria e Hapur për Investime".
Në
ceremoninë e hapjes së edicionit të parë ishin të pranishëm ministri i
Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, Ambasadori i
Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt, President
i i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ilir Zhilla, përfaqësues të biznesit, sipërmarrës dhe të ftuar të tjerë. Në këtë panair marrin
pjesë më shumë se 39 kompani gjermane të fushave të ndryshme,
përfaqësues të industrisë së makinave, ndërtimit, mjekësisë,
farmaceutikës, ushqimeve, këpucëve, etj.
Ministri
Ruli e vlerësoi këtë panair si një mundësi reale të prezantimit të
potencialeve të vendit për thithjen e investimeve të huaja, të gjithë
projekteve të realizuara dhe atyre që janë në proçes apo në rrugën e
zbatimit midis qeverive dhe bizneseve të të dy
vendeve. Sipas tij, organizimi i këtij aktiviteti, sot në kushtet e
krizës financiare ndërkombëtare, tregon më së miri për perspektivën e
bashkëpunimit midis dy vendeve.
Ndërsa
Ambasadori Borchardt vlerësoi se ky aktivitet tregon interesin në
rritje që ka biznesi gjerman për të rritur prezencën e tij në Shqipëri,
përmes bashkëpunimit konkret në sektorë strategjikë dhe potencialë të
Shqipërisë si energjetikë, industri, etj.
Për Presidentin e Unionit të Dhomave
të Tregtisë dhe Industrisë, Ilir Zhilla, ky panair do të kthehet në
një traditë, perspektiva e të cilit do t'i shërbejë zhvillimit të
biznesit dhe bashkëpunimeve të frytshme midis dy
vendeve. Në të njëjtën kohë organizimi i këtij aktiviteti ka gjetur
edhe mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Tiranë, Dhomës Gjermane të
Tregtisë (DIHA) dhe Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës.
Firmat
pjesëmarrëse janë jo vetëm ato që ushtrojnë aktivitetin në vendin tonë,
por dhe shumë të tjera që kërkojnë të hyjnë në të, si në fushën e
veshjeve, pijeve, farmaceutikës dhe ndërtimit. Gjatë
dy ditëve të këtij evenimenti, do të organizohen konferenca dhe takime
'Be to Be', që do të përcjellin për një audiencë të gjerë nismat dhe
njohjet konkrete të bashkëpunimit midis biznesit shqiptar dhe atij
gjerman.
Një vend të
rëndësishëm do të zërë tema "Roli i reformës rregullatore në
përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve", sfida për
zhvillimin e konkurrueshëm së produkteve dhe shërbimeve, etj.
Gjermania
renditet si një ndër partnerët e rëndësishëm tregtarë me Shqipërinë, ku
vend kryesor zënë importet e mallrave me këtë vend. Sipas të dhënave të
publikuara së fundi nga Instituti i Statistikave (INSTAT), gjatë vitit
2008 importet shënuan vlerën e 17 miliard e 771 milionë lekëve. Vendin
kryesor e zënë makineritë dhe pajisjet, ndërsa eksportet me Gjermaninë
për këtë periudhë arritën në 2 miliardë e 47 milionë lekë.
Referuar
të dhënave nga Ministria e Ekonomisë, gjatë 20 viteve të fundit
Republika Federale e Gjermanisë ka financuar projekte të shumta në
Shqipëri për zhvillimin ekonomik dhe social. Sipas burimeve nga zyra e
Bankës për Zhvillim KfW në Tiranë, qeveria gjermane është aktive prej
dy dekadash në Shqipëri në sektorë strategjikë të ekonomisë, si atë të
furnizimit me ujë të pijshëm dhe me energji elektrike, por edhe në
mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Në
kuadër të marrëdhënieve dy a shumëpalëshe, Gjermania ka kontribuar për
Shqipërinë gjatë 20 viteve të bashkëpunimit me rreth 800 milion euro,
shumë e cila për frymë të popullatës është më e madhja që ky shtet i ka
dhënë një vendi tjetër në botë.
ShtypiDites