MATURA SHTETËRORE- NIS PËRLLOGARITJA E NOTAVE PËR NXËNËSIT E DIPLOMUAR JASHTË

MATURA SHTETËRORE- NIS PËRLLOGARITJA E NOTAVE PËR NXËNËSIT E DIPLOMUAR JASHTË

Komisioni i posaçëm i ngritur pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për ekuivalentimin e diplomave, ka nisur punën për përllogaritjen e notave të provimeve të detyruara për maturantët që kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë vendit.
Me përfundimin e këtij procesi, ky komision pritet që shumë shpejt të publikojë notat përkatëse të lëndëve të detyruara (të konvertuara sipas sistemit tonë arsimor). 
Sipas rregullores së provimeve, këto rezultate duhet t’u shpërndahen drejtorive arsimore të çdo rrethi, ku maturanti ka vendbanimin. Komisionet e maturës, të ngritura pranë drejtorive arsimore, pas marrjes së këtyre rezultateve, duhet të caktojnë shkollën ku kandidati do të paraqitet për dhënien e provimeve me zgjedhje, si dhe do të plotësojë formularët A-1 dhe A-2. Njëkohësisht këtij komisioni do t’i dërgohen edhe notat që janë ekuivalentuar për provimet e detyruara që janë dhënë nga maturanti kur ka mbaruar arsimin e mesëm. 
Ky komision duhet të dorëzojë zyrtarisht edhe në formë elektronike në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) formularët A-1 të plotësuar nga shtetasit dhe përmbledhësen e të dhënave të shtetasve sipas tabelës T, brenda datës 5 maj 2009. 
Më, pas këta kandidatë do të hyjnë në garën e përzgjedhjes se preferencave. Formularët A-2 plotësohen nga shtetasit brenda datës 30 qershor 2009 dhe dorëzohen në komisionin shkollor të maturës shtetërore. Shtetasit shqiptarë, që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, mund të konkurrojnë në këto institucione të arsimit të lartë publik pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje. Përzgjedhja e këtyre të fundit do të bëhet në bazë të pjesës speciale të konkursit që secila akademi do të kryeje për pranimet universitare.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek