Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis
do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare njëditore në Tiranë, me ftesë
të homologut të tij, Sali Berisha.
Vizita e kryeministrit grek nis
pas mesditës me një pritje në selinë e qeverisë shqiptare për të vijuar
më pas me një takim kokë më kokë me homologun e tij, Sali Berisha, mes
të cilëve do të ketë bisedime zyrtare dhe një konferencë të përbashkët
për shtyp.
Më poshtë vijojnë etapat kryesore në jetën politike të kryeministrit grek, Kostas Karamanlis:
Karamanlis
u zgjodh kryeministër i Greqisë më 10 mars 2004, pas fitores së bujshme
të partisë së tij konservatore ''Demokracia e Re'' në zgjedhjet
parlamentare të 7 marsit 2004.
Ai është lider i partisë së djathtë konservatore ''Demokracia e Re'', e themeluar nga xhaxhai i tij, Konstantin Karamanlis.
Kostas Karamanlis fitoi një mandat të dytë pas zgjedhjeve parlamentare të 16 shtatorit 2007.
Karamanlis
u lind më 14 shtator 1956 dhe studjoi në Universitetin e Athinës për
Drejtësi dhe në kolegjin privat ''Deree''. Më pas ai kreu studime
pasuniversitare në ''Fletcher School of Law and Diplomacy'' në SHBA, ku
mori master në shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe
historinë e diplomacisë.
Karamanlis ka shërbyer edhe si zëvendëspresident i Partisë Popullore Evropiane gjatë viteve 1999-2006.
Karamanlis
është i pari kryeministër grek i lindur pas Luftës së Dytë Botërore. Ai
është i martuar me Natasha Pazajtin, me të cilën ka dy fëmijë binjakë,
një djalë dhe një vajzë.
ShtypiDites