Dritë-hijet e celularit të katërt

Dritë-hijet e celularit të katërt

Nga Dr. Zef Preçi

Nuk ishte e rastit ngutja nga ana e qeverisë për dhënien e së drejtës së përdorimit të frekuencave për operatorin e katërt të telefonisë celulare, ndonëse hyrja e këtij operatori ishte paralajmëruar qysh në fillim të vitit 2008 dhe ishte shtyrë disa herë. Gjithçka u finalizua nëpërmjet vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 319, datë 1.04.2009 “Për propozimin e projektligjit për dhënien e së drejtës së përdorimit për 15 vjet në brezin e frekuencave E-GSM dhe GSM 800 bashkimit të ofertuesve, përfaqësuar nga Postë Telekomunikacioni i Kosovës SHA, sipas procedurës “tender i hapur ndërkombëtar”, e datës 20.02.2009". Në fakt me këtë vendim, qeveria “de facto” shfuqizoi një vendim të mëparshëm të sajin (Vendimi Nr. 1252, datë 10.09.2008) në të cilin ishin përcaktuar rregullat e zhvillimit të tenderit publik për dhënien e së drejtës së përdorimit të frekuencave, si dhe ishte ngarkuar MPTT dhe Autoriteti i Komunikimeve, Elektronike dhe Postare (AKEP), për kryerjen e tenderave përkatës. E kjo ndodhi menjëherë sapo ky autoritet (me të drejtë) shpalli pavlefshmërinë e tenderit për shkak të mosplotësimit të kushteve përkatëse ligjore pikërisht nga bashkimi i shoqërive që më vonë qeveria i shpalli fitues në një “garë”, në të cilën ishin pjesëmarrësit e vetëm.
Nga një shqyrtim sipërfaqësor i dokumentacionit vihet re se në rastrin në fjalë mungojnë argumentet e plota ligjore, ekonomike apo nga pikëpamja e konkurrencës për kryerjen e një akti të tillë nga ana e qeverisë. Kështu ngutja nuk justifikohet për faktin se tregu ynë i telefonisë së lëvizshme ishte relativisht i plotësuar, me një shkallë penetrimi rreth 80%. Ndërsa numri i operatorëve celularë të vendit tonë (3 kompani) është i njëjtë me të gjitha vendet fqinje përreth (veç Italisë që ka 4 operatorë), dhe duke futur operatorin e katërt vendi ynë barazohet me vende të tilla si Austria, Gjermania, etj. Deri këtu nuk duket se ka ndonjë gjë të keqe mbasi “qeveria e shërbesave” po punon që të përmirësojë shërbimin ndaj qytetarëve… Në të vërtetë, problemi i vërtetë i telefonisë celulare në vendin tonë nuk është shkalla e penetrimit, por çmimi shumë i lartë i shërbimit, që rëndon në xhepat e shqiptarëve, me një volum qarkullimi sa afro 2/3 e shpenzimeve të tyre për importet ushqimore, ose pothuajse se ½ e prurjeve monetare të emigrantëve shqiptarë jashtë vendit. E kjo vjen, para së gjithash për faktin se legjislacioni shqiptar në fuqi për “operatorët me fuqi të ndjeshme në treg” i miratuar nga shteti shqiptar qysh në vitet 2001-2002 nuk ka gjetur zbatim kurrë (?!). Sipas këtij legjislacioni, është qeveria shqiptare që përcakton normën e fitimit të tyre, e për rrjedhojë kjo e fundit mund dhe duhet të rregullojë tregun nga pikëpamja e konkurrueshmërisë dhe mbrojtjes së interesave të konsumatorëve.
Por shkalla shumë e lartë e pleksjes së interesave ndërmjet këtyre kompanive dhe qarqeve qeveritare, lobimi dhe mbështetjes politike që gëzojnë në vendet e origjinës dhe trafiku i influencave për këtë shkak ka bërë që situata oligopolistike në fushën e telefonisë celulare (e konstatuar formalisht vitet e fundit edhe nga Autoriteti i Konkurrencës dhe një proces hetimi të thelluar dyvjeçar, përfundimet e të cilit nuk dihen ende publikisht) të ruhet edhe mbas hyrjes në treg të operatorit të tretë. Kjo përbën një përjashtim nga rregulli, që nuk ka ndodhur më parë në vend tjetër të botës, kuptohet me përjashtim të vendeve gjysmë-koloni apo që sundohen nga regjime jodemokratike. Nuk po flas për detyrimin ligjor të “operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg” për të deklaruar çdo vit tarifat e shërbimeve që ofrojnë (mbi bazën e të cilave llogaritet fitimi i tyre), detyrim që nuk është respektuar kurrë, as në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve askush nuk mund të konfirmojë nëse së bashku me AKEP është bërë ndonjëherë kontrolli i këtyre tarifave… Me sa thashë më sipër, nuk do të thotë se jam kundër fitimeve të kompanive celulare duke përfshirë edhe operatorin e katërt të lindur “shtatanik” javët e fundit… Ata janë aty për të bërë biznes dhe për të fituar sa më shumë që të munden, por për të thënë se qytetarët shqiptarë, në kushtet e mungesës së konkurrencës paguajnë tepër shtrenjtë shërbimin që marrin; se përgjegjëse për këtë mungesë të konkurrencës është qeveria e mbajtur me taksat e tyre, e së fundi se operatori i katërt po hyn në treg se shihet qartë se fitimi është edhe më i madh nëse për këtë mbështet qeveria (?!). Të humburit e vetëm, si gjithnjë janë ata që paguajnë… dmth qytetarët. Do të ishte një spekulim banal dhe tepër naive të thuhej ajo që thotë qeveria se kjo bëhet për rritjen e konkurrencës (përndryshe për uljen e çmimit të shërbimit të telefonisë celulare për qytetarët), konkurrenca nuk ndryshoi as kur hyri operatori i tretë. Madje ky i fundit ishte deri-diku edhe “strategjik” dhe me premtime serioze për investime në rrjetin e telefonisë fikse gjithashtu.
Nisur nga reagimet e shtypit dhe referencat e ndryshme të publikuara duke përfshirë edhe rolin modest të “fasadës  patriotike” – Postë Telekomunikacioni i Kosovës ShA (30% të aksioneve) në përbërje të konsorciumit të cilit qeveria vendosi t’i japë licencën e katërt celulare, si dhe (keq)përdorimin e Kuvendit për të “kopsitur” një akt të mirëfilltë biznesi si ky, mendoj se kemi të bëjmë me vendim mbas të cilit qëndrojnë jo vetëm shkelje procedurale dhe ligjore të verifikueshme, por edhe se kemi të bëjmë me konflikt të hapur interesi të zyrtarëve të caktuar të lartë. Ndonëse thonë se gjithnjë krahasimet çalojnë, por mendoj se ia vlen të përmenden. A nuk u përdor nga e njëjta qeveri një shoqëri e huaj për të “përcaktuar” fituesin në mes procedurës së tenderimit të rrugës Durrës - Kukës, e cila më vonë u denoncua nga KLSH si një akt i pambështetur në legjislacionin shqiptar dhe u hodhën dyshime të bazuara për shpërdorim të fondeve publike? A nuk u përdor nga e njëjta qeveri Kuvendi për të përgatitur kuadrin ligjor të demonopolizimit të shitjes së arsenaleve të armatimeve dhe të municioneve që çoi brenda në tragjedinë e dhimbshme të Gërdecit një vit më parë? Sipas mendimit tim, ofrimi me një ligj të veçantë i licencës së operatorit të katërt, më e pakta flet për anashkalim të procesit konkurrues si dhe të institucioneve që janë krijuar me ligj për të mbrojtur konkurrencën, ndërsa heshtja e këtyre të fundit (përveç AKEP që gjithsesi përmbushi detyrën e vet ligjore) legjitimon shkeljen e ligjit të kryer me këtë rast. Për më tepër që, nëse bëhej fjalë për përfshirje në tender apo në konsorcium të postës, fare mirë mund të ishte përfshirë posta shqiptare, performanca e së cilës vitet e fundit, për hir të së vërtetës, ka shënuar nivele të admirueshme? Përse ky “tis” patriotik në një akt bizneso-politik që “patriotik” mund të ketë vetëm përfitimet korruptive të rastit në dëm të interesave publike?
Në shtyp është folur (me të drejtë) edhe për faktin se në përbërje të konsorciumit “fitues” të licencës së katërt celulare janë sipërmarrje private pa përvojë në këtë sektor, etj. Madje është supozuar edhe pronësi e tërthortë e sipërmarrjeve të lidhura me qarqe politike serbe e të tjera si këto. Duke mos dashur të vë në dyshim vërtetësinë apo pavërtetësinë e këtyre komenteve të fundit, personalisht do të dëshiroja që tenderi të mos kryhej në kushte emergjence (si edhe u krye); të ishte “i hapur” (se nuk mund të ketë garë me një pjesëmarrës të vetëm), të ishte “ndërkombëtar” (fjala magjike që pëlqen të përdorë qeveria aktuale për afera të këtij lloji). Kjo sepse vetëm kështu do të mund të rritej realisht vlera e arkëtuar në buxhetin e shtetit, do të mund të fillonte të ndjehej konkurrenca në tregun e telefonisë celulare, e për rrjedhojë edhe të mund të fillonte ulja e vërtetë e çmimeve për qytetarët duke i përafruar ato me çmimet e shërbimeve të telefonisë celulare në vendet fqinje prej nga vijnë firmat pronare të këtij rrjeti në vendin tonë.
Një problem më vete përbën vlera e ofruar për licencën në fjalë. Në sqarimin zyrtar të MPPTT në lidhje me ligjin në fjalë të miratuar në Kuvend më datën 23.04.2009, thuhet se blerësit e vetëm “kanë ofruar një çmim 7.2 (shtatë pikë dy) milionë euro, ndjeshëm më të lartë se çmimi minimal që ne kërkonim prej 5 milionë (në dokumentacionin e tenderit) dhe shumë herë më të lartë se çmimi i lobuar prej 1 milion eurosh”. Por, një situatë e ngjashme u krijua edhe në Bullgari qershorin e kaluar, por qeveria e atij vendi për licencën e operatorit të katërt e filloi tenderin me një çmim minimal tri herë më të lartë – 30.2 milionë dollarë amerikanë. Ndërkaq, tregu celular bullgar ishte mjaft i saturuar -137 % përpara futjes në treg të këtij operatori, kundrejt më pak se 80 në të cilin ndodhet aktualisht tregu shqiptar.
I vetmi “sukses i pakontestueshëm”, siç edhe theksohet në njoftimin në fjalë është se “në këtë mënyrë Shqipëria bëhet vendi i parë në Rajon me katër licenca GSM-je”. Unë nuk besoj se qytetarët shqetësohen shumë për numrin e firmave që ofrojnë shërbimin apo për vende të tilla të para, por sepse ata vazhdojnë të paguajnë një “taksë” të rëndë për xhepat e tyre për shkak të mosfunksionimit të mekanizmave rregullatore të tregut, të ndërhyrjeve qeveritare në jetën ekonomike dhe në deformimin e konkurrencës (si në rastin e mësipërm) si dhe në konfliktin e dukshëm dhe të padukshëm të interesave të zyrtarëve të lartë në vendimmarrje të rëndësishme strategjike te tilla si licencimet në fushën e telefonisë celulare.
Uroj që ky proces i shitjes së një pasurie të rëndësishme publike siç janë frekuencat telefonike, të mos jetë kryer thjesht për të siguruar mbështetje financiare në favor të partisë në pushtet për fushatën elektorale të 28 qershorit, apo aq më keq për rishitjen e saj disa herë më shtrenjtë “Fazliç-it” të radhës, menjëherë sapo të shuhet debati mediatik mbi legjitimitetin e këtij procesi, apo ndoshta për të dyja këto mundësi të marra së bashku, sikundër edhe është supozuar në disa mediume...


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek