Agresori, i cili tentoi të sulmonte mbretëreshën Beatrix dhe familjen e
saj gjatë një parade dje në Holandë, ndërroi jetë natën e kaluar si
pasojë e plagëve të rënda, deklaroi sot zyra e prokurorit publik.
Pesë
persona humbën jetën dhe të paktën 15 të tjerë u plagosën kur makina u
drejtua me shpejtësi përmes një turme spektatorësh, duke mos arritur të
godasë autobusin e familjes mbretërore dhe për t'u përplasur më pas me
një monument të gurtë në qendrën e qytetit Apeldoorn, rreth 90
kilometra në lindje të Amsterdamit.
Prokuroria njoftoi se
agresori 38-vjeçari vdiq nga plagët e rënda mbrëmjen e kaluar. Ai ishte
akuzuar për sulm të mbetur në tentativë ndaj familjes mbretërore dhe i
kishte deklaruar policisë se akti i tij ishte i paramenduar.
Por
motivet e sulmit të tij mbeten ende të paqarta. Sipas agjencisë
holandeze të lajmeve policia nuk ka gjetur asnjë armë apo eksploziv pas
një kontrolli në shtëpinë e autorit të ngjarjes dhe se nuk kishte prova
që persona të tjerë mund të ishin përfshirë në përgatitjen e këtij
sulmi.
Mbretëresha Beatrix shoqërohej nga
princesha Maxima, gruaja e trashëgimtarit të fronit Willem-Alexander
dhe fëmijët e tjerë në bordin e një autobusi të hapur që udhëtonte
drejt një pallati në Apeldoorn si pjesë e festimeve të përvitshme në
Ditën e Mbretëreshës
ShtypiDites