Negociatori i Turqisë me BE-së deklaroi
sot se Ankaraja do të çonte përpara reformat e zvarritura për
anëtarësimin në bllokun 27-anëtarësh, përfshi reformat për taksat dhe
amendimet e kushtetutës, ndërkohë që vendi ka përpara një periudhë 2-3
vjeçare deri në zgjedhjet e ardhshme.
Turqia ka nisur bisedimet e anëtarësimit në vitin 2005, por progresi i tyre ka qënë i ngadaltë.
BE-ja kërkon që Turqia të vazhdojë me zbatimin e reformave të
dhimbshme, përfshi edhe kufizimin e pushtetit të ushtrisë, përmirësimin
e lirisë së fjalës dhe garantimin e më shumë të drejtave për pakicat,
por Ankaraja ka deklaruar se zgjedhjet dhe problemet e brendshme kanë
shpërqëndruar përpjekjet për kryerjen e këtyre reformave.
"Kemi
një periudhë 2-3 vjeçare pa zgjedhje dhe ky është një moment thelbësor
për kryerjen e reformave", u deklaroi Egemen Bagis ambasadorëve të
BE-së gjatë një dreke pune në Ankara.
"Qëllimi dhe synimi ynë
themelor është anëtarësimi në bllok me të drejta të plota, asgjë më
shumë dhe asgjë më pak se kjo, dhe jemi tepër të vendosur për zbatimin
e reformave", shtoi Bagis.
Turqia
është zotuar disa herë për përshpejtimin e reformave të nevojshme, por
Brukseli ka deklaruar se kërkon të shohë vepra konkrete dhe jo
vetëm premtime.
Bagis deklaroi se qeveria e
kryeministrit Tayyip Erdogan do të dërgojë në parlament një
projektligj për amendimin e një kushtetute të propozuar nga ushtria në
vitin 1982, që përbën një hap themelor drejt anëtarësimit në BE.
Kushtetuta,
e hartuar pas një grushti shteti në vitin 1980, është cilësuar si
shkaku kryesor që pengon modernizimin e Turqisë dhe zhvillimin e saj
ekonomik. Kjo kushtetutë kufizon disa të drejta politike dhe i lejon
ushtrisë të ushtrojë një ndikim të madh mbi qeverinë e vendit.
Bargis
deklaroi gjithashtu se Turqia planifikon fillimin së shëejti të punës
për reformin e sistemit gjyqësor, sistemit të taksave, arsimit dhe të
sektorit të energjisë për t'i sjellë ato pranë standarteve të BE-së.
Komisioneri
evropian për Zgjerimin, Olli Rehn ka deklaruar se viti 2009 do të jetë
"letra e lakmusit për Turqinë" për të treguar gatishmërinë e vendit të
madh mysliman për t'u anëtarësuar në bllokun 27-anëtarësh.
ShtypiDites