Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Dick Cheney,
mbrojti edhe njëherë sot teknikat e marrjes në pyetje të të burgosurve
të ngjashme me torturën të praktikuara në kohën e administratës Bush
tek të dyshuar për terrorizëm, duke u shprehur se ato kishin
"shpëtuar mijëra jetë".
"Jam i bindur, absolutisht
i bindur, se kemi shpëtuar mijëra, ndoshta madje edhe qindra mijëra
jetë", deklaroi Cheney në televizionin CBS,duke theksuar, siç ka bërë
edhe më parë, se rrjeti terrorist Al-Kaida ishte i gatshëm të sulmonte
një qytet amerikan me një predhë bërthamore.
Një
nga vendimet e para të marra nga Barak Obama si president i Shteteve të
Bashkuara ka qenë ndalimi i metodave të marrjes në pyetje me forcë të
të burgosurve të miratuara nga pararendësi i tij, George W. Bush dhe të
ngjashme me torturën, si simulimi i mbytjes.
Administrata
Obama publikoi në fund të prillit disa urdhëresa të brendshme të
hartuara në vitet 2002 dhe 2005 nga juristë të Departamentit të
Drejtësisë, që i jepnin CIA-s argumentat juridike për të ushtruar ndaj
terroristëve të dyshuar trajtime që mendohej se i bënin të tregonin.
Por
Cheney kërkon që të publikohen edhe dy urdhëresa që, sipas tij,
tregojnë se këto seanca pyetësore i kanë bërë të mundur CIA-s të
pengojë akte terroriste.
"Këto urdhëresa
ekzistojnë, unë i kam parë, madje i kam patur në dosjet e mia në
një moment të caktuar", deklaroi sot Cheney. "Nuk është përfshirë
gjithçka në Arkivat kombëtare, jam i sigurt se CIA ka kopje të këtyre
elementëve".
"Nëse duhet ta zhvillojmë këtë debat"
për përdorimin e metodave të shumëpërfolura të marrjes në pyetje, "ai
duhet të jetë i plotë. Njerëzit duhet të mund t'i shohin këto urdhëresa
dhe gazetarët mund të vlerësojnë se çfarë kemi arritur të bëjmë ne",
bëri të ditur ai.
Këto urdhëresa
"flasin në detaje për atentate të ndryshme që ishin planifikuar dhe për
mënyrën se si ato janë penguar", si dhe për "volumin e zbulimit të
arritur në këtë mënyrë", këmbënguli ai
ShtypiDites