KOSOVË - DELEGACIONI I KOMISIONIT TË SENATIT ITALIAN PËR MBROJTJEN PRITET NË KUVEND

KOSOVË - DELEGACIONI I KOMISIONIT TË SENATIT ITALIAN PËR MBROJTJEN PRITET NË KUVEND

Një delegacion i Komisionit të Senatit italian për Mbrojtjen, i kryesuar nga senatori Giampiero Cantoni, u prit sot në Prishtinë nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, bashkë me anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri.
Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit të Kosovës, senatori Cantoni vlerësoi zhvillimet impresive në Kosovë.  Ai theksoi se Italia e ka pranuar me kënaqësi pavarësinë e Kosovës, ndërsa praninë e kontingjentit italian në kuadër të KFOR-it në Kosovë, e quajti shumë domethënës, sepse rajoni i Ballkanit është shumë i rëndësishme për paqen në botë.
Në vazhdim Cantoni tha se pavarësinë e Kosovës tashmë e kanë njohur 58 shtete të botës, që përbëjnë 80 për qind të prodhimit botëror, ndërsa një hap tjetër mjaft i rëndësishëm është edhe pranimi i Kosovës në  Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Lidhur me përkrahjen e Italisë  edhe në aspektin ekonomik,  Cantoni tha se ekziston një interesim i ndjeshëm i ndërmarrjeve italiane për të investuar në Kosovë.      
Ai  konfirmoi interesimin gjithnjë në rritje të Senatit dhe Parlamentit të Italisë për të thelluar bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës, si dhe me institucionet tjera të vendit, nisur nga fakti se në Kosovë kanë ndodhur zhvillime të mëdha në shumë fusha, pa harruar edhe atë të sigurimit të të drejtave themelore të njeriut.
Kryeparlamentari Krasniqi vlerësoi lart kontributin e Italisë në proceset e Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve, përfshirë njohjen e pavarësisë, dhe njoftoi senatorët italianë lidhur me zhvillimet më të reja në vend.
Delegacioni i Komisionit për Mbrojtje i Senatit të Italisë u prit në një takim edhe në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), nga zëvendësministri Behxhet Brajshori.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek