Përqindja e kriminalitetit në Bullgari
është trefishuar brenda një viti për arsye të krizës ekonomike dhe kjo
tendencë pritet të theksohet, sipas një studimi të pavarur të paraqitur
sot në Sofje.
"Viktimat e krimit janë trefishuar
në janar dhe shkurt në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008,
sepse kriza krijon tensione", nënvizoi Tikhomir Bezlov i Qendrës së
Studimit të Demokracisë, një institut reference.
Tendenca
është përvijuar që vitin e kaluar, me një rritje prej shtatë për qind
të vjedhjeve dhe grabitjeve në krahasim me 2007-n, theksoi ai.
Statistikat
zyrtare flasin gjithsesi për një rënie me 5,5 për qind të krimit në
2008, me 113 340 krime dhe shkelje të regjistruara, ose një numër
prej 1 483 rastesh për 100 000 banorë.
Por sipas
Qendrës së Studimit të Demokracisë, që e vlerësoi në 520 000 numrin e
krimeve dhe shkeljeve të kryera realisht, vetëm një pjesë e tyre janë
njoftuar dhe regjistruar.
Një
drejtues i lartë i Ministrisë së Brendshme, komisari i përgjithshëm
Pavlin Dimitrov, e pranoi "një mungesë besimi tek policia dhe sistemi
juridik, që vlerësohet si tepër i ngadalshëm", megjithë reformat e
nisura pas hyrjes së Bullgarisë në Bashkimin Evropian në 2007-n.
Ai
e pranoi gjithashtu se "një rritje e vjedhjeve dhe grabitjeve shoqëron
në përgjithësi krizat ekonomike, sepse "papunësia prek shpesh qarqet më
të ndjeshme për të kryer krime" .
ShtypiDites