KOSOVA PREZANTON SOT PROGRESIN E SAJ NĖ KĖSHILLIN E SIGURIMIT TĖ OKB-sė

KOSOVA PREZANTON SOT PROGRESIN E SAJ NĖ KĖSHILLIN E SIGURIMIT TĖ OKB-sė

Kosova do të prezantojë progresin e saj në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, ku do të shqyrtohet raporti i radhës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon për zhvillimet në vend.
Sipas shtypit të sotëm të Prishtinës, "shefi i diplomacisë kosovare, Skender Hyseni do të prezantojë arritjet në konsolidimin e sovranitetit të shtetit të ri, ndërkohë që homologu i tij serb, Vuk Jeremiç pritet të kërkojë ndaljen e presionit për njohjen e pavarësisë së Kosovës".
Ndërkaq, ende nuk është bërë e ditur se cili do të jetë qëndrimi i shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, i cili është drejt finalizimit të deklaratës që do të paraqesë para ambasadorëve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit.
"Megjithatë, pritet që ky takim pas zhvillimit të debatit të përfundojë pa ndonjë aksion konkret", vlerëson shtypi kosovar.
Në njoftimet e sotme, media e Prishtinës thekson se "shumica e vendeve anëtare, kryesisht ato perëndimore, edhe në seancën e sotme do ta vlerësojnë pavarësinë e Kosovës si një zhvillim që ka qetësuar popullatën e saj dhe të gjithë rajonin".
Media vlerëson se në seancën e sotme të KS të OKB-së "Kosova ka një pozicion më të fortë tani pas njohjes së pavarësisë nga 60 vende dhe anëtarësimit në dy organizatat financiare ndërkombëtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore".


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek