- Deklaron gjatë një konference për shtyp, Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani -
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani deklaroi sot, gjatë një konference për shtyp, se "Shqipëria zhvilloi procese zgjedhore të standarteve të larta demokratike".
Pak minuta pas zyrtarizimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 qershorit, Kryetari i KQZ-së doli para mediave ku renditi disa nga arritjet dhe problemet e ndeshura gjatë këtyre zgjedhjeve.
Në këtë drejtim, z. Ristani e vlerësoi "jo frytdhënës bashkëpunimin me pushtetin vendor", pasi sipas tij "prej tyre kërkohej një angazhim më i madh dhe përgjegjësi maksimale për realizimin e detyrimeve që u ngarkon Kodi Zgjedhor".
Nga ana tjetër, Kreu i KQZ-së u shpreh se "subjektet zgjedhore propozuan me shumë vonesë anëtarët e komisioneve zgjedhore dhe për rrjedhim trajnimi i tyre, në disa raste, ishte i mangët ose nuk u arrit të zhvillohej".
Disa vende të votimit dhe të numërimit të votave mund të ishin përzgjedhur më mirë dhe në kohën e duhur.
Procesi i numërimit të votave u vonua më tepër se sa parashikohej. Në këtë drejtim besojmë se ka vend për ndonjë ndryshim tjetër të mundshëm ligjor", tha z. Ristani.
Gjatë këtyre zgjedhjeve, sipas Kreut të KQZ-së u realizuan objektivat e vendosura më parë nga KQZ për "rritjen e transparencës, punën e bazuar në profesionalizëm, dhe përfundimin e procesit në kohën e duhur".
Duke pranuar se ka vend për përmirësime, Ristani theksoi se "administrata zgjedhore ka nevojë të trajnohet më shumë dhe më mirë".
"Dita e votimit ishte nga pjesët më të mira të këtij procesi, i cili u zhvillua me qytetarinë dhe përgjegjësinë e duhur. Nga 4.751 QV-të, në të gjithë vendin, vetëm 5 prej tyre nuk arritën të hapeshin dhe vetëm në dy ose tre prej tyre procesi paraqiti probleme", tha z. Ristani.
Ndërsa, përsa i përket ankimeve pas zgjedhore, Ristani theksoi se "nga 7 vendime të KQZ-së objekt ankimi në Kolegjin Zgjedhor, vetëm një prej tyre u ndryshua pjesërisht".
ShtypiDites