Debati politik duke anashkaluar kryesinë dhe pa dokument mbi zgjedhjet....
Debati politik në Asamble u zhvillua pa asnjë dokument minimal paraprak për zgjedhjet, dhe pa kaluar ashtu siç është vepruar në 18 vjet normalisht nëpër institucionin e Kryesisë. Të dy rezolutat e paraqitura mbetën deri në fund në thelb të dallueshme. Duke qenë të detyruar për shkak të shmangies së mbledhjes së kryesisë dhe të një dokumenti paraprak një grup anëtarësh hartuan një projekt rezolutë ku tentohej për të qasur me vërtetësi, moral dhe në respekt të statutit 1) rezultatin e zgjedhjeve, 2) marrëdhëniet me Kuvendin në veçanti dhe me qëndrimet konstruktive e institucionale të forcës sonë politike dhe 3) zbatimin e statutit për “ndërprerjen e mandatit të kryetarit me rastin e humbjes së zgjedhjeve”. Debatet u zhvilluan kryesisht për tri çështje themelore i) (pa) pranueshmërinë e zgjedhjeve; ii) (mos) pjesëmarrjen në punimet e Kuvendit dhe iii) (ri) kandidimin e kryetarit te PSSH.
Pranohet heshturazi humbja ...
Rama duke lexuar në fillim të mbledhjes pikën e dytë të projektvendimit për thirrjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm ka pranuar heshturazi humbjen e zgjedhjeve sepse neni 28 pika 2. b e Statutit thotë se: “Mandati i kryetarit ndërpritet kur partia humbet zgjedhjet e përgjithshme..”. Ndërkohë gjatë debatit për projekt rezolutën u bënë përpjekje për të mos e pranuar politikisht rezultatin e zgjedhjeve. Pranimi i detyruar i “..ndërprerjes së mandatit për shkak të humbjes...” dhe qëndrimi për mospranimin e rezultatit të zgjedhjeve duken në kontradiktë, ndërkohë që mesa duket do të shërbejnë si argumenti i vetëm për të justifikuar rikandidimin.
Nuk është arritur objektivi elektoral ...
PS nuk ka arritur objektivin e saj elektoral për të qenë forcë qeverisëse, e vetme apo në koalicion. Pranohet nga vetë hartuesit kryesorë të rezolutës se mospranimi i rezultatit të zgjedhjeve është një ushqim i pëlqyeshëm për votuesit opozitarë të trishtuar nga ajo çfarë prisnin dhe ende presin kur dëgjojnë t’u flitet për zgjedhje të parakohshme. Një nga pyetjet që shtrojnë dhe do të shtrojnë votuesit socialistë, gjithnjë e më fort me kalimin e kohës kur plaga e humbjes të ftohet, është se si ata do të realizojnë zgjedhjet e parakohshme. Dhe më tej nëse manifestimet e tyre do të jenë të mjaftueshme për të detyruar qeverinë e koalicionit Berisha-Meta të pranojë zgjedhjet e parakohshme apo për ta rrëzuar atë (ende e paqartë se në çfarë mënyre). Politikisht kjo duket e pamundur ndërkohë që kriza ekonomike mund të ishte një faktor me peshë mbi koalicionin e brishtë Berisha-Meta. Ka shumë socialistë racionalë që janë më pak optimistë për këtë rrugë, duke vlerësuar se e gjithë kjo alibi me rezultatin e zgjedhjeve do të mund zgjasë derisa të mbyllet çështja e (ri)zgjedhjes së kryetarit te PS. Dhe më tej nuk do të flitet më as për zgjedhje të parakohshme dhe as për përdorim të çdo mjeti demokratik...
Pranueshmëria juridike e rezultatit zgjedhor...
KQZ ka miratuar të 140 mandatet. Pra juridikisht komisionerët e PS në qendrat e votimit, në zonat e administrimit zgjedhor dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi kanë ndjekur në rrugë ligjore rezultatet e ankimimeve deri në Kolegjin zgjedhor, kanë miratuar (pranuar) në mënyrë legale rezultatin zgjedhor. Pra, në këndvështrimin legal rezultati zgjedhor është pranuar nga PS. Ndryshe kjo do të thotë se nga pikëpamja legale PSSH ka pasur vërejtje e ankesa për parregullsi e mangës, por pasi ka ndjekur rrugën ligjore, sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor, ka qenë e detyruar të pranojë rezultatin zgjedhor për të 140 mandatet.
Papranueshmëria politike e rezultatit zgjedhor...
Në fakt, duke pranuar zbatimin e nenit 28 pika 2.6 të Statutit është pranuar humbja e zgjedhjeve jo vetëm juridikisht. Them jo vetëm juridikisht sepse humbja është pranuar edhe “de juro”, edhe “de facto” është realitet duke mbetur e papranuar politikisht. Duket absurd një qëndrim politik që është në kundërshti edhe me realitetin “de juro” edhe me atë “de facto”. Por le të shikojmë sesi paraqitet çështja në aspektin politik për papranueshmërinë e zgjedhjeve, term ky i përdorur në rezolutën e Asamblesë Kombëtare të PSSH. PSSH është për shkak të përbërjes se të gjithë komisioneve në qendrat e votimit e zonat zgjedhore si dhe në KQZ e implikuar politikisht si pjesëmarrëse në administrimin e zgjedhjeve, bile në gjysmën e komisioneve PS është drejtuese e këtyre komisioneve, ndonëse komisionarët i binden vetëm ligjit. Nëse “de juro” është pranuar rezultati zgjedhor atëherë automatikisht (së paku deri tani sepse në të ardhmen mund të ketë ankimime në nivelet e tjera të gjykatave) ka rënë argumenti juridik për të mbështetur një vendimmarrje për papranueshmërinë politike. Për më tepër që Kodi Zgjedhor është hartuar dhe miratuar me konsensusin e PSSH. Natyrisht që në çdo rast një forum partiak mund të marrë një vendim politik për papranueshmërinë politike të zgjedhjeve, siç ka ndodhur me miratimin e rezolutës së ASK, në 28 korrik 2009, pavarësisht se legalisht rezultati është i pranuar. Ky është një vendim krejtësisht partiak dhe vetëm për konsum të brendshëm në parti derisa të mund të bindë të gjithë të tjerët jashtë partisë. Për më tepër që pika 3 e rezolutës flet për “cenimin e legjitimitetit të produktit institucional e politik të rezultatit të zgjedhjeve..” dhe në ndërlidhje me këtë të fundit përcakton edhe objektivin politik për “zgjedhje të parakohshme”. Dhe e gjithë kjo përpjekje kaq e madhe bëhet thjesht për të justifikuar rikandidimin dhe vazhdimin e të njëjtit projekt, gjë që nuk ka shanse të jetë i suksesshëm, ndërkohë që duhet të ndodhte krejtësisht ndryshe.
A mund të pengohej pranueshmëria juridike e rezultatit të zgjedhjeve...?
Nëse arbitrariteti i vërejtur për trajtimin e “parregullsive, mangësive, deformimeve dhe manipulimeve”, të paraqitura nga PS në KQZ apo Kolegjin Zgjedhor është në atë nivel sa ta bënte rezultatin të papranueshëm juridikisht shtrohet pyetja nëse në Kodin Zgjedhor ekziston ndonjë mekanizëm sigurie që minoranca ta bllokojë këtë arbitraritet. Përgjigjja është mohuese sepse kodi është ndërtuar nisur nga fryma e zbatimit të tij dhe jo nga arbitrariteti për moszbatimin e tij. Shtrohet pyetja përse në momentin final të miratimit të rezultatit zgjedhor, pra të shpërndarjes së mandateve, anëtarët e opozitës në KQZ nuk përdorën votën e tyre, por votuan 7 me zero, ndërkohë që anëtarët e opozitës në KQZ mund të bllokonin vendimmarrjen. Kjo shtrohet me konkretisht për Beratin, Tiranën dhe Shkodrën. Së pari, pas një vendimi të Kolegjit Zgjedhor që është i formës së prerë anëtarët e KQZ në zbatim të ligjit janë të detyruar të votojnë pro, përndryshe pozicioni i tyre do të konsiderohej politik dhe/ose në shkelje të ligjit. Së dyti, praktikisht asgjë nuk do të ndryshonte sepse vendimi i rrëzuar do të apelohej në Kolegjin Zgjedhor, i cili automatikisht do të miratonte shpërndarjen e mandateve. Po ashtu mund të shtrohet pyetja, nëse me koston e shkeljes së ligjit anëtarët e opozitës në KQZ do të votonin kundër për shpërndarjen e mandateve do të ishte ky një argument “më i fortë” për të mbështetur papranueshmërinë politike. Sigurisht që po, por ndërkohë kostoja e shkeljes së ligjit nga anëtarët e opozitës dhe përcaktimi i qëndrimit të tyre thjesht politik do të ishte me kosto shumë të lartë. Gjykoj se është vepruar drejt për lënien lirë të anëtarëve të opozitës në KQZ për të votuar në zbatim të ligjit. Ky është një përfitim më i madh dhe më afatgjatë për PSSH.
Vlerësimi për procesin zgjedhor dhe rezultatin zgjedhor dy gjëra të ndryshme...
Natyrisht çdo forum politik i PS mund të marrë vendime partiake për procesin zgjedhor dhe zgjedhjet në përgjithësi, mbi bazën e analizës së fakteve dhe provave që të gjithë strukturat e saj kanë grumbulluar në terren. Dhe realisht ekzistojnë shumë fakte e prova, që tregojnë parregullsi e mangësi për të marrë vendime politike për vlerësimin e procesit zgjedhor e të zgjedhjeve në përgjithësi. Por nuk është aq e lehtë të merren vendime partiake për rezultatin e zgjedhjeve nisur nga fakti, që rezultati final i zgjedhjeve është pranuar legalisht dhe tanimë është një realitet i pranuar. Nuk do të ishte shumë bindës, sidomos për ndërkombëtarët, një vendim partiak që vlerësimin për procesin zgjedhor dhe zgjedhjet në përgjithësi ta shtrinte edhe për rezultatin zgjedhor, duke shkuar deri në kufijtë e ilegjitimitetit të Kuvendit e të Qeverisë. Kjo është një teknologji e përdorur dendur në të shkuarën, por që nuk ka rezultuar as efikase dhe as bindëse dhe asnjëherë nuk ka gjetur mbështetje nga ndërkombëtarët.
“...Mbi legjitimitetin thellësisht të cunguar të produktit institucional e politik të rezultatit të zgjedhjeve...”
Nisur nga natyra thjesht partiake e mos pranimit të rezultatit të zgjedhjeve edhe qëndrimi për “..legjitimitetin e cunguar të produktit institucional e politik të rezultatit te zgjedhjeve..”, do të ishte vetëm partiak dhe për rrjedhojë pa asnjë bazë legale (së paku deri në momentin kur një instance juridike e ndryshme nga Kolegji Zgjedhor do të provonte të kundërtën). Për rrjedhojë objektivi për “zgjedhje të parakohshme” do të mbetej një objektiv thjesht partiak. Natyrisht aludohet për përdorimin e “çdo mjeti demokratik” për arritjen e këtij qëllimi. Ky objektiv duket fillimisht më shumë një përpjekje/taktike për të kënaqur një dëshirë të votuesve opozitarë të tronditur dhe të trishtuar nga rezultati i zgjedhjeve, të cilat PSSH i pranon legalisht dhe nuk i pranon politikisht. Dhe për më tepër gati të pamundur për t’u arritur në rrugë kushtetuese për shkak edhe të ndryshimeve kushtetuese që pothuajse “çimentojnë” mandatin katërvjeçar të Kuvendit. Përveç dy rasteve, pas zgjedhjeve të vitit 1991 për shkak të ndryshimit të sistemit politik dhe pas zgjedhjeve të vitit 1996, që u shoqëruan me kolapsin e vendit në vitin 1997, asnjëherë tjetër nuk ka pasur zgjedhje të parakohshme, pavarësisht se teknologjitë e ngjashme me atë që po aplikon PS aktualisht, janë ndjekur me ngulm në të kaluarën por pa sukses. Sidoqoftë mbetet për t’u vlerësuar në praktikë suksesi i kësaj teknologjie të miratuar në asamble. Kuptohet që mbështetësit e saj kërkojnë të përplasin votuesit socialistët me kundërshtuesit e rezolutës, duke iu thënë se ne duam t’iu sjellim shpejt në pushtet, kurse ata duan të futen në kuvend. Kjo është një gënjeshtër me këmbë shumë të shkurtra, por që emocionalisht funksionon. Dhe do të ishte qesharake që në fund të mandatit katërvjeçar këta mbështetës të akuzonin kundërshtarët e rezolutës si penguesit e realizimit të zgjedhjeve të parakohshme. Po e them që tani se askush nuk do t’ju thotë të mos e realizoni dhe as do t’ju pengojë të mos e realizonin, por pa asnjë hezitim e vazhdimisht do t’ju themi se nuk do të mund ta realizoni. Më duhet të jem shumë i hapur me votuesit socialistë duke pohuar se ka shumë gjasa që e gjithë kjo teknologji të vlerësohet më shumë si një taktikë për të justifikuar rikandidimin e kryetarit dhe kjo do të përbënte koston minimale për PSSH. Ndërkohë që ka edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, të cilët e konsiderojnë këtë përpjekje teknologji të një partie të vjetër, që natyrisht përbën një kosto më të lartë për PSSH.
Mbi zbatimin e statutit...
Qëndrimi ndaj statutit dhe me konkretisht ndaj zbatimit të nenit 28 pika 2.b është në radhë të parë qëndrim moral i institucionit të kryetarit të PSSH ndaj zbatimit të kërkesave të qarta dhe eksplicite, automatike e detyruese, të dokumentit tonë themeltar. Marrëdhënie e formalizuar në statut me nismën e Edi Ramës dhe tanimë e aplikuar në 2005 pa qenë në statut nga Nano i hapi rrugën Ramës të bëhej kryetar i PSSH. Marrëdhënia e liderit, me dokumentin themeltar është çështje morali individual dhe kjo e dallon liderin nga të gjithë të tjerët. Vendosja në statut e këtij neni lidhet me faktin se marrëdhënia e drejtuesit të një partie të zgjedhur me parimin një anëtar një votë, pra shumë të fortë në kompetenca dhe në autoritet, që bëhet kryeministër në rast fitoreje të cilën e menaxhon më shumë konstitucionalisht sesa kolektivisht, me humbjen e zgjedhjeve largohet automatikisht në mënyrë të parevokueshme. Kjo është një marrëdhënie përgjegjshmëria jo me të kaluarën, por me të ardhmen e forcës politike dhe jo thjesht të ardhmen individuale. Nëse idetë dhe programi i një lideri autoritar në kuptimin e statutit fitojnë ai ka të drejtën morale dhe fuqinë e sovranit për t’i zbatuar ato maksimalisht dhe nëse kjo nuk ndodh atëherë statuti e konsideron liderin humbës dhe për rrjedhojë i ndërpritet mandati bile pa bërë asnjë analizë. Logjika e statutit duket se nuk parashikon rikandidim dhe interpretimi me shumicë votash për të justifikuar rikandidimin do të mund të dëmtonte minimalisht legjitimitetin e procesit të (ri)zgjedhjes. Sepse nëse do të pranohej rikandidimi nuk do të kishte nevojë të vendosej në statut ky nen i veçantë, i cili vepron automatikisht dhe pa pasur nevojë për asnjë analizë. Do të ishte më e ndershme të gjendej një rrugë tjetër për të vazhduar kryesimin e PSSH .
Kompetencat, përfitimet dhe përgjegjësitë ...
Ekzistojnë me të drejtë dy pyetje. Përse thuhen këto të gjitha sot, ndërkohë që më parë pothuajse të gjithë kanë heshtur? Dhe së dyti, a kanë të gjithë të tjerët përgjegjësi? Lidhur me pyetjen e dytë mund të thuhet se të gjithë kanë pasur kontribut, merita e përgjegjësi, por natyrisht të ndryshme e sipas hierarkisë. Fatkeqësisht piramida hierarkike e kompetencave dhe përfitimeve tenton të bëhet me shumë majë, ndërkohë që e përgjegjësive të shtrihet deri përtokë. Dhe shpesh bëhet kjo pyetje retorike që kryesisht tenton mbylljen e gojës apo bashkëfajësimin e barabartë me synim shpëtimin e kryetarit, pozicioni i të cilit varet vetëm nga morali i tij për të pranuar zbatimin e statutit dhe aspak nga kritikat apo klientelizmi. Përsëris statuti e ndan qartë edhe përgjigjen për këtë pyetje sepse “kërkon ndërprerjen e mandatit për kryetarin” pa bërë asnjë analizë, ndërkohë që përgjegjësia për të tjerët është relative dhe përcaktohet përmes analizës. Ndërsa, lidhur me pyetjen e parë gjithçka do ta përmblidhja duke ripërsëritur se përgjithësisht “...kemi heshtur kur duhet teë flisnim dhe kemi folur kur duhet të heshtnim...”. Ka pasur dy arsye. Një të justifikueshme, për të mbështetur pa asnjë lloj rezerve e pengesë (ndoshta nga jashtë kjo konsiderohet jo plotësisht e drejtë) Edi Ramën drejt fitores, ndërkohë që personalisht kam qenë fillimisht pro mbështetjes, por jo pa asnjë lloj mekanizmi balancues apo imunitar, por kur kam parë që shumica ka menduar e vendosur ndryshe kam hequr dorë dhe kam pranuar vendimin e shumicës. Kjo është përsa i përket asaj që “...kam heshtur kur më duhej të flisja..” Kurse përsa i përket asaj që ka disa që kanë folur kur duhej heshtur, personalisht kam qenë distant në kuptimin që së paku nuk kam thurur lavde kur më duhej të heshtja, sëmundje kjo jo pak e përhapur midis nesh. Mendoj se kjo humbje që nuk pritej është një eksperiencë e re edhe për mua dhe pa asnjë dyshim edhe për të gjithë më të rinjtë e sidomos për ata pa eksperiencë. Se paku një mësim del, duhet thënë mendimi hapur sot, që nesër të mos thonë prapë përse nuk fole edhe ti dje por flet sot. Edhe realisht qëndrimi lidhur me debatin në PS bazohet në tezën se: “Po flas sot jo për atë që ka ndodhur dje por për atë që do të ndodhë nesër, që prapë të mos i themi njëri-tjetrit nesër, përse nuk fole dje?
Gazeta Panorama