QEVERIA SHPALL “DESHMORË TË ATDHEUT” 4 POLICËT E RËNË NË KRYE TË DETYRËS

QEVERIA SHPALL “DESHMORË TË ATDHEUT” 4 POLICËT E RËNË NË KRYE TË DETYRËS

- Gjatë një konference për shtyp, Kryeministri Berisha tha se dita e nesërme do të shpallet ditë zie kombëtare -

 

 

 

- Këshilli i Ministrave shpalli sot në mbrëmje Dëshmorë të Atdheut 4 efektivët e policisë që ranë në krye të detyrës si dhe shpalli ditën e nesërme Ditë Zie Kombëtare në nderim të kujtimit, veprës, trimërisë, heroizmit dhe sakrificës së tyre sublime.
Pas ngjarjes që ndodhi pas mesditës së sotme në plazhin Iliria të qytetit të Durrësit, ku gjatë një aksioni për kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti mbetën të vrarë katër policë, Kryeministri Berisha u shpreh për mediat se “sot është një e premte e zezë për Policinë e Shtetit, por edhe për mbarë vendin dhe kombin në tërësi, pasi ranë në krye të detyrës për t’u bërë të pavdekshëm 4 anëtarët e policisë së shtetit”.
“Drejtues, Fatos Xhani, Komandant në Forcën e Posaçme në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, Kastriot Feskaj, Sajmir Duçkollari dhe Altin Dizdari, kryeinspektorë të njësisë operative të Forcës së Posaçme të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar ranë në krye të detyrës në një operacion që ndërmorrën për të kapur kriminelin më të kërkuar dhe më të rrezikshëm të analeve të krimit shqiptar, Dritan Dajtin dhe bandën e tij”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Duke shprehur dhimbjen e thellë dhe solidaritetin e madh me fëmijët, bashkëshortet, familjarët dhe të gjithë anëtarët e forcave të rendit, Kreu i Qeverisë u shpreh se “ditën e nesërme, në orën 12:00, flamujt kombëtar në të gjitha institucionet shtetërore do të ulen në gjysmë shtizë në nderim të 4 Dëshmorëve të Atdheut, si dhe do të ndërpritet çdo veprimtari dhe do të mbahet një minutë heshtje”.
“Sot, familjet e efektivëve të vrarë, fëmijët e tyre të vegjël, bashkëshortet, prindërit, familjarët e tjerë dhe miqtë e tyre janë në zi të thellë për humbjen e njerëzve të tyre më të dashur. Forcat e rendit kanë humbur oficerët më trima të tyre dhe kombi shqiptar, shërbëtorët e vetë më të përkushtuar”, tha Kryeministri Berisha.
Kreu i Qeverisë informoi se “homazhet zyrtare për të nderuar të rënët e Policisë së Shtetit do të bëhen në Pallatin e Kongreseve, ndërsa ata do të prehen në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në Tiranë”. 
Dritan Dajti kërkohej prej nëntorit të vitit 2003, kur arriti të arratisej nga gjykata e rrethit të Tiranës, ku gjykohej për vrasjen e një biznesmeni. Ai kishte mundur të hynte në gjykatë i armatosur me pistoletë dhe pasi ka gjuajtur me armë ka mundur të largohej me një motoçikletë. Dajti u dënua në mungesë me 20 vjet burg, ndërkohë që policia vazhdonte kërkimet për kapjen e tij.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek