Sulmuesi
shqiptar, Besart Berisha, i cili sapo ka nënshkruar një kontratë 3
vjeçare me Arminia Bielefeldin e kategorisë së dytë gjermane, është
lënë jashtë listës së 20 lojtarëve të përzgjedhur nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe për miqësoren e së mërkurës ndaj Qipros.
Këtë fakt futbollisti e nuk e ka pritur mire dhe ka deklaruar për gazetën gjermane “Bild” se mund të lërë kombëtaren shqiptare.
“Nëse
trajneri Josip Kuzhe, ose presidenti Armando Duka nuk kontaktojnë me
mua për arsyet e lënies jashtë miqësores me Qipron, unë do të mendoj
seriozisht për t’u larguar nga Kombëtarja. Nuk e kam përkrahjen e duhur
dhe nuk jam lojtar që një herë të thirrem e një herë jo”, ka deklaruar
futbollisti.
Berisha
së bashku me Edmond Kapllanin nuk u ftuan nga tekniku kroat. Kapllani,
sulmues i Augsburgut është kontaktuar nga Kuzhe, ndërsa për Berishën
Kuzhe kishte thënë se do ta kontaktonte gjatë fundjavës.
“Nuk
jam kontaktuar nga askush dhe nuk i di arsyet pse nuk jam ftuar. Jam
shumë i zhgënjyer për këtë vendim të Kuzhes, pasi në këto çaste jam
kthyer në formën e vjetër dhe përfundimisht kam arritur 100
përqindëshin tim, pas lëndimit të pësuar 2 vjet më parë”, shtoi 24
vjeçari.
Të mërkurën, Shqipëria do
të ndeshet me Qipron në miqësoren që do të luhet në “Qemal Stafa”, në
prag të sfidave kualifikuese për Botërorin 2010 ndaj Danimarkës dhe
Suedisë në shtator.
ShtypiDites