Gjatë tremujorit të tretë të këtij viti bankat do të rritin aktivitetin kreditues në lekë, ndërkohë që për sa i takon monedhës së huaj, kreditë do të jenë më të shtrënguara.
Banka e Shqipërisë në një vëzhgim mbi tendencën e së ardhmes së tregut bankar në vendin tonë, për kreditimin ka vënë re se "bankat presin rritje të kreditimit në monedhën vendase".
Situata e kreditimit në ekonominë shqiptare, sipas vrojtimit, mbetet e vështirë edhe në tremujorin e dytë të këtij viti. Banka Qendrore thekson se shtrëngimi i kredidhënies deri më tani ka qenë në të njëjtën masë si për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu dhe për korporatat e mëdha. Gjithashtu standardet për kredinë për investime edhe në këtë tremujor vijojnë të jenë më të shtrënguara sesa për kredinë për qëllime të kapitalit qarkullues.
Faktorët kryesorë që vlerësohet të kenë kontribuar në shtrëngimin e standardeve në tremujorin e dytë të vitit 2009, sipas BSH-së, mbeten problemet specifike të sektorit ku operon biznesi, situata makroekonomike në vend dhe ecuria e kredive me probleme. Politika shtrënguese e bankave gjatë tremujorit të dytë është realizuar kryesisht nëpërmjet rritjes së marzhit mesatar për kreditë që bankat vlerësojnë si më me rrezik dhe rritjes së kërkesës për kolateral në raport me madhësinë e kredisë. Shtrëngimi në kreditim ka rënduar edhe individët. Kjo vlerësohet të jetë shkaktuar nga gjendja e kredive me probleme, gjendja financiare e individëve si dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme.
-Kërkesa për kredi-
Në tremujorin e tretë të vitit 2009 bankat presin lehtësim të mëtejshëm të standardeve për akordimin e kredisë për bizneset. Po ashtu kërkesa e individëve për kredi ka shënuar një kthesë të lehtë rritëse krahasuar me rënien në tremujorin e kaluar. "Kërkesa për kredi për konsum paraqitet më e ulët sesa ajo për blerje banese. Nevojat e individëve për të financuar blerje banese dhe për të financuar konsumin e tyre janë faktorë që kanë dhënë kontribut të lehtë pozitiv për rritjen e kërkesës. Nga ana tjetër, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme përfaqësojnë faktorin me ndikimin më të madh për uljen e kërkesës konsumatore", - thuhet në vrojtimin e BSH-së.
Këtu kanë ndikuar faktorë të tillë si: përdorimi i burimeve alternative të financimit, ulja e kursimit apo huamarrja në institucione të tjera, besimi i konsumatorëve si dhe kushtet e aplikuara nga bankat. "Për tremujorin e tretë të vitit 2009 bankat nuk parashikojnë shtrëngim të mëtejshëm të standardeve të kredidhënies për individët", - thekson vrojtimi i Bankës së Shqipërisë
ShtypiDites