Në Kosovë nesër hapet zyrtarisht fushata e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit, që për disa kandidatë të kryeqytetit do të hapet që në minutën e parë pas mesnatës së sotme.
Kodi i Mirësjelljes për zgjedhjet lokale 2009 u nënshkrua sot pasdite nga subjektet politike, nën patronazhin e presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI).
Në ceremoninë e nënshkrimit të kodit nga përfaqësuesit e subjekteve politike morën pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Christopher Dell, Ingrid Johansson, e ngarkuar me punë në ambasadën e Suedisë, si kryesuese e radhës e BE-së, shefi i ICO-së, Pieter Feith si dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë të akredituar në Republikën e Kosovës.
“Me 15 nëntor, për herë të parë në shtetin tonë të pavarur, demokratik dhe sovran, të njohur ndërkombëtarisht, do të mbahen zgjedhjet lokale”, tha presidenti Sejdiu, duke folur në ceremoni.
“Ky proces zgjedhor për herë të parë do të menaxhohet plotësisht nga institucionet e vendit tonë, ndërsa organizatat dhe miqtë tanë ndërkombëtarë do të kenë rolin e vet të veçantë ndihmës e monitorues, për të cilën i falënderojmë posaçërisht”, theksoi ai.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Dell theksoi se Kodi i Mirësjelljes është diçka që kërkohet në ligj, prandaj kjo ceremoni shërben si forcues i rëndësishëm i bindjes së qytetarëve, votuesve dhe komunitetit më të gjerë.
“Nënshkrimi juaj, zotimi juaj, është një lidhje nderi për të respektuar principet bazë të shprehjes dhe pjesëmarrjes demokratike”, tha ambasadori Dell.
Në emër të BE-së, në këtë ceremoni foli Johansson, e ngarkuar me punë në ambasadën e Suedisë, si kryesuese e radhës.
Për zgjedhjet lokale në Kosovë janë certifikuar më shumë se 70 subjekte të të gjitha komuniteteve.
ShtypiDites