Drejtori i kabinetit në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe
Energjetikës, Z. Ilir Ciko deklaroi sot se është duke u stabilizuar
situata dhe se ka tendencë në zvogëlim të prurjeve në kaskadën e lumit
Drin.
Z. Ciko tha gjithashtu se në Hidrocentralin e Vaut të Dejes
shkarkimet kanë rënë nën 2000 m3/sek, aktualisht janë 1900 m3/sek,
ndërsa prurjet në hidrocentralin e Fierzës maten rreth 650 m3/sek që do
të thotë se kanë tendencë rënie.
Sipas tij, tashmë strukturat e METE-s ndodhen në terren për të
ndihmuar me mjetet e nevojshme financiare banorët e prekur nga
përmbytjet në Shkodër, ndërsa shtoi se në këtë drejtim një kontribut të
madh po jep edhe biznesi. "Ne kemi vënë në dispozicion të zonave të
përmbytura edhe repartin e inspektim shpëtim të minierave që është një
strukturë e specializuar për ndërhyrje në raste të tilla", deklaroi Z.
Ciko, ndërsa ftoi biznesin për t'i ardhur më tepër në ndihmë banorëve
të këtyre zonave.
Gjithashtu, Ciko bëri të ditur edhe kontributin e dhënë nga
kompania ALBPETROL, e cila ka dhuruar 25 milion lekë si dhe të gjitha
mjetet e punës e nevojshme për të pëballuar situaten e emergjences ne
zonat e permbytura.
Një kontribut, sipas Cikos, ka dhënë edhe kompania OSSH në shumën
10 milionë, lekë. Por, ai shtoi se edhe kompani të tjera private kanë
kontribuar në llogarinë bankare të hapur nga qeveria.
"Çdo kontribut është me vlerë dhe shkon në ndihmë të
drejtpërdrejtë të banorëve në zonat e përmbytura. Jemi të vendosur për
të ndihmuar të gjithë banorët në këtë drejtim", deklaroi ai.
Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i ALBPETROL, Z. Ferdinand Murati
u shpreh së në mbledhjen e bordit drejtues të zhvilluar mbrëmjen e
djeshme është vendosur dhënia e një kontributi prej 25 milion lekë të
reja për emergjencat në zonat e përmbytura, si dhe mjetet motorike duke
përballuar edhe shpenzimet për funksionimin e tyre.
Z. Murati bëri të ditur gjithashtu edhe se 420 punonjësit e
ALBPETROL kanë kontribuar nga llogaria e tyre personale një shumë prej
350 mijë dollarësh për banorët e zonave të përmbytura.
METE