Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zoti Dritan Prifti ka zhvilluar dje pasdite një mbledhje me grupin e posaçëm të punës për menaxhimin e situatës së emergjencës në kaskadën e Drinit,në vend. ministri Dritan Prifti në një konferencë për shtyp, deklaroi se situata është përmirësuar shumë gjatë këtyre ditëve dhe objektivi, që ka qenë ruajtja e digave, është realizuar me rigorozitet. Sipas ministrit, detyra kryesore e METE-s është të mbrojë digat dhe hidrocentralet, teksa Prifti falënderoi specialistët për menaxhimin e situatës. “Siguria e digave dhe HEC-eve është e garantuar”, tha Prifti, duke bërë të ditur edhe të dhënat e fundit të nivelit të ujit në liqenet e kasakadës së Drinit.
Në fillim, ministri Prifti informoi mediat edhe për vendimet e marra në mbledhjen e grupit të posaçëm të ngritur për të menaxhuar situatën e krijuar nga prurjet e shumta. “Kërkova sot të isha prezent në një mbledhje të grupit të posaçëm që monitoron me urdhrin tim situatën në kaskadën e Drinit. Ishin pjesëmarrës pothuajse të gjithë anëtarët e sekretariatit teknik dhe të grupit të posaçëm të ngritur për këtë qëllim, tha Prifti. Analizuam situatën e deritanishme dhe vendosëm një regjim pune për ditët në vijim. Në grupin e posaçëm u konkludua që punohet në një skenar, kur prurjet kanë qenë mbi 1100 metër kub ujë në sekondë, kuota e lejuar pas këtyre prurjeve sipas të gjitha akteve ligjore në fuqi është 295.5 metra absolute, pra për Fierzën”, vijoi ministri Prifti.
Më tej, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës bëri të ditur edhe nivelet e liqeneve në kaskadën e Drinit, duke saktësuar se të dhënat tregojnë qartë një përmirësim të ndjeshëm të situatës. “Kemi vendosur me konsensus të plotë të gjithë anëtarëve të grupit të posaçëm dhe të sekretariatit teknik për të vazhduar një regjim pune. Në Fierzë të shkojmë drejt nivelit 290 metër, kur për të dhënat e orës së fundit, pra të orës 18:00, liqeni është në nivelin 291.53 metra, me prurjet 700 metër kub ujë në sekondë dhe me shkarkimet rreth 1100 metër kub ujë në sekondë, theksoi zoti Prifti. Për Komanin është vendosur të shkohet drejt nivelit 170 metër, jemi pothuajse në atë nivel tani, jemi 170.21 metër. Komani për momentin ka prurje anësore 200 metër kub ujë, përveç prurjeve që vijnë nga Fierza, dhe shkarkohet 1380 metër kub ujë në sekondë. Për Vaun e Dejës është fiksuar që të ruhen kuotat në nivelin 74 metër, gjithashtu edhe këtu jemi pothuajse në atë nivel ose më saktë 74.11 metër. Prurjet, po sipas të dhënave të orës 18:00, 170 metër kub ujë në sekondë dhe shkarkimet janë 1760 metër kub ujë në sekondë”, shtoi ministri.
Në fund, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Z. Dritan Prifti konstatoi se objektivi i vënë nga grupi i tij i punës është realizuar dhe se siguria e HEC-eve dhe digave është maksimale. Kreu i dikasterit u shpreh se siguria kombëtare nuk është aspak në rrezik dhe se specialistët i kanë bërë një menaxhim të shkëlqyer situatës. “Për shkak të përmirësimit të situatës grupi i posaçëm vendosi që në Fierzë të vazhdojnë shkarkimet për të shkuar drejt kuotës së dëshiruar, asaj normale. Në Koman të vazhdojnë shkarkimet pothuajse në nivelin e prurjeve, pra për të ruajtur kuotën që kemi përcaktuar, ndërsa në Vaun e Dejës kemi marrë një vendim që t’i ulim tani shkarkimet me rreth 200 metër kub ujë në sekondë, deklaroi ministri. Shpresojmë që kjo të ndikojë edhe në situatën e përmbytjeve në veri. Ishte një konsensus i gjithë takimit, që objektivi kryesor i këtij grupi të posaçëm dhe sekretariatit teknik është zbatuar me rigorozitet. Objektivi kryesor i këtij grupi që kam ngritur edhe unë me urdhrin tim që më datën 8 nëntor 2009 është ruajtja e centraleve dhe digave, si edhe garantimi i sigurisë kombëtare nëpërmjet ruajtjes së centraleve dhe digave.
ShtypiDites