Kryeministri Berisha përshëndeti konferencën “Cilësia në arsimin e lartë dhe procesi i Bolonjës, gjendja dhe perspektiva”, organizuar nga ministria e Arsimit dhe Shkencës, me pjesëmarrjen e drejtuesve të universiteteve në vend, akademikë dhe pedagogë. Në konferencë ishte e pranishme edhe Drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore Jane Armitage.
Berisha vlerësoi arritjet shumë të rëndësishme në arsimin e lartë në Shqipëri, por theksoi se këto arritje do të mund të konsolidohen dhe kurorëzohen me sukses vetëm në rast se cilësia në arsim do të jetë objektivi i parë dhe më madhor. Në këtë drejtim kryeministri nuk kurseu kritikat për arsimin publik duke e vënë theksin kryesisht te cilesia e arsimit dhe lufta kunder korrupsionit.
Më poshte vijon e plotë fjala e kryeministrit Berisha:
“Është një kënaqësi e veçantë të përshëndes këtë konferencë, t’ju përgëzoj për arritjet e prekshme, thelbësore që ju keni shënuar në përpjekjet tuaja për reformën e universiteteve tona, botës akademike në tërësi, në përpjekjet tuaja për t’i shndërruar universitetet në promotor të zhvillimit të vendit, në shtretër të mendimit intelektual të shoqërisë dhe kombit, në qendra të fuqishme të përgatitjes së ekspertëve dhe specialistëve, të cilët formësojnë me veprimtarinë e tyre të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Në një hark kohor të shkurtër, arsimi i lartë në Shqipëri ka njohur arritje madhore dhe në disa aspekte edhe unike, një ndër të cilat është pothuajse trefishimi i numrit të studentëve. Vetëm 5 vjet më parë, ne kishim një standard të përqindjes apo numrit të studentëve për frymë 4 herë nën standardin mesatar të Bashkimit Europian. Sot, ne jemi ngjitur me të, madje do të kalojmë në nivelet e larta të tij dhe kjo na takon, pasi ne jemi një komb i ri. Nuk ka veprim më të mençur, veprim më të goditur, sesa t’u japësh mundësi të rinjve të Shqipërisë të shkollohen në universitete. Është rritur me shpejtësi përqindja e atyre që mbarojnë shkollën e mesme dhe ndjekin universitetet. Së bashku me universitetet private, ne numërojmë 135 mijë studentë, kundrejt 52 mijë studentë në vitin 2005. Ndërkohë, ju keni implementuar sistemin e Bolonjës, të cilin Europa e beson si një sistem të domosdoshëm. Një gjë është e sigurt, ky sistem ka një fleksibilitet të madh në raport me tregun dhe një nga detyrimet më të mëdha të arsimit është përshtatja e tij me tregun.
Një zhvillim të admirueshëm ka marrë arsimi privat. Përpjekje serioze janë bërë dhe sërish do të bëhen, në mënyrë që të zhduken diskriminimet ndaj sektorit privat të arsimit dhe ecjes drejt një trajtimi të barabartë të këtij sistemi. Mendoj se heqja e TVSH, e cila hyn në fuqi vitin e ardhshëm shkollor, ishte një hap i duhur, nxitës, por edhe moralisht i bazuar. Tani ai ka bazën ligjore dhe dua ta garantoj arsimin privat se qeveria nuk do të ndërpresë përpjekjet, derisa ta shndërrojë atë në një zgjedhje. I vetmi revolucion që zhvillohet sot është ai i shërbimeve. Qëllimi duhet të jetë e drejta e qytetarëve për të përzgjedhur universitetin publik apo privat, me të njëjtën kosto.
Përpjekje të mëdha kemi bërë gjatë këtyre viteve për t’u përshtatur me kushtet e tregut. Ju keni hapur me dhjetëra e dhjetarë degë të reja, departamente, fakultetet dhe të gjitha këto me synimin e përshtatjes së shkollave të larta dhe universiteteve me një realitet të ri që ndryshon me dinamizmin e papërmbajtur të tregut. Janë krijuar fondi i ekselencës, Brain gain dhe me ndihmën e Bankës Botërore është shënuar një hap i rëndësishëm në pajisjen laboratorike të universiteteve tona, në mënyrë që të modernizohet mësimdhënia, por, nga ana tjetër, të ketë nxitjen më të madhe kërkimi shkencor.
Këto janë arritje shumë të rëndësishme, por që kërkojnë konsolidim dhe që do të mund të kurorëzohen me sukses vetëm në rast se tani, ne vendosim cilësinë si objektivin tonë të parë dhe më madhor. Përndryshe, e gjithë përpjekja jonë me arsimin e lartë nuk do të mund të ketë ato rezultate dhe të mund të realizojë ato qëllime të kësaj reforme.
Ndaj unë do të shtroj disa çështje këtu, me ju. Në 5 vite, ne vërtet ia kemi dalë pothuaj të trefishojmë numrin e studentëve dhe kjo është një arritje historike, por, nëse kthejmë sytë tek numri i pedagogëve, gjejmë një situatë absolutisht të papranueshme. Ne e kemi marrë dhe e marrin arsimin e lartë si një çështje shumë serioze. Këto ditë po diskutoja me ministrin e Arsimit për këtë çështje dhe mu rikujtuan vitet e para të mësimdhënies në Fakultetin e Mjekësisë, por edhe koha kur isha student. 1300 studentë, kemi qenë me 180 pedagogë dhe në atë kohë, unë ëndërroja për një fakultet, për të cilin kisha lexuar, fakultetin e Baltimores, i cili kishte 460 studentë me 960 pedagogë. Sigurisht, standardi i Baltimorës është standard i Baltimores, por ky standard që kemi është i papranueshëm dhe ju me shpejtësi duhet të dilni prej tij. Nuk mund të pranohet në mënyrë absolute standardi 1 pedagog me 50 studentë, pasi në këtë rast, cilësia është iluzion. Unë ju bëj thirrje, me besim të madh, të rekrutoni më të mirët, t’i rekrutoni me kontrata dhe në rast se nuk përmbushin kushtet, me përfundimin e kontratës i lëshojnë vendin dikujt tjetër. Kjo situatë nuk mund të pranohet dhe zotërinj rektorë, dekanë duhet të ndryshohet me shpejtësi të madhe. Ky raport nuk qëndron. Mos harroni se një nga misionet e mëdha tuaja është se ju duhet të jeni shtretërit e mendimit intelektual. Në rast se rregullorja, normimet e pengojnë këtë, zoti ministër, duhet të ndryshohen me shpejtësi dhe ne duhet t’u krijojmë universiteteve mundësi që ta përmbysin me shpejtësi raportin ekzistues. Me këtë raport nuk ka cilësi, nuk ka kërkim shkencor. Unë ju garantoj se pa një veprimtari kërkimore-shkencore dhe ju e keni të qartë vete, mësimdhënia si e tillë nuk mundet të zhvillohet, nuk mund të progresojë, të azhurnohet dhe të jetë bashkëkohore. Ju garantoj se qeveria do t’ju mbështesë, por edhe ju duhet të gjeni format më të përshtatshme për rekrutimin e më të mirëve. Sot, në mes 135 mijë studentëve dhe studenteve ka një numër të madh talente të shkëlqyera, por edhe mijëra të tjerë studiojnë në shkollat më të mira të perëndimit, të cilët, ndonëse jo të gjithë, në qoftë se do të mund t’u krijohej një mjedis miqësor, premtues, nuk do refuzonin mësimdhënien në universitet. Ndaj ju kërkoj shumë njerëzisht dhe ju ftoj të punoni me përkushtim të madh për një raport krejtësisht të ri.
Ne kemi ndërmarra hapa të mëdha në drejtim të financimit dhe sërish e përmirësojmë atë. Një gjë është e sigurt, financimet janë të domosdoshme, por po kaq e domosdoshme është aftësia juaj menaxheriale. Tre vjet më parë nuk e kam bërë publike, por, meqenëse sot i përket arkivave, kam vendosur ta bëj. Tre vjet më parë, me vullnetin më të mirë katërfishuam investimet për universitetet, por realizimi i tyre ishte zero. Miqtë e mi, nuk jua thashë në atë kohë, por tani e them, pasi ka ndryshuar situata. Keqardhja ime ishte e madhe. Zhvillimi i kapacitete menaxheriale, në një kohë kur po punojmë për një sistem të ri financimi, është vendimtar për Shqipërinë. Nuk është se universitetet do të jetë të pasur, por rëndësi jetike ka që fondet t’i përdorni në mënyrën më racionale, më eficente. Unë e kuptoj që fakultetet janë të profileve ndër më të ndryshmit, e kuptoj se Fakulteti i Ekonomisë i jep një zgjidhje të shpejtë, Fakulteti i Mjekësisë ka vështirësitë e veta serioze, por është detyrë e rektorëve dhe dekanëve të punojnë për krijimin e njësive menaxheriale apo përmirësimin e fuqisë menaxheriale të tyre. Përndryshe, jo vetëm financat që mblidhni vetë, por edhe ato që ju japim ne, do të mbeten të paekzekutuara. Rëndësi të jashtëzakonshme në këtë përpjekje ka të mbani sytë nga tregu. Nuk ka asgjë më të rëndësishme për ju, sesa kapja e pulsit të tregut. Ne po ecim drejt shtimit të madh të numrit, por është e tëra në tagrin, kompetencën dhe aftësitë tuaja që universitetet, fakultetet, degët t’i përshtatni me shpejtësi të madhe nga tregu. Ju nuk duhet të ngurroni. Sërish, meqenëse i përket të shkuarës, dua t’ju tregoj një rast tjetër. Katër vjet më parë, Banka Botërore, e cila na ka dhënë një ndihmë konstante, të jashtëzakonshme në këtë reformë dhe për të cilën unë u jam shumë mirënjohës si selisë qendrore ashtu edhe përqafësisë së saj lokale, me të cilën qeveria ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe e vlerëson shumë punën e saj, solli këtu një nga ekspertët më të mëdhenj për arsimin nga Britania e Madhe. E prita në takim dhe më tha se situata ishte e vështirë. Më tregoi se pasi kishte shkuar në një fakultet, por unë këtu po marr sa për ilustrim Fakultetin e Mjekësisë, u kishte thënë stafit se një degë të tyre 5 vjeçare duhet ta transformonin, p.sh e zëmë edhe në anatomi, edhe në biznes. Por ata ishin çuditur me propozimin e tij. Ndërkohë që eksperti britanik solli një mendim shumë të mençur. Ne mund të formojmë për 5 vjet një të ri në një degë të caktuar, por ai nuk mund të mos gjejë punë në këtë degë dhe në rast se 5 vite ai i shpenzon vetëm me këtë lëndë, duhet t’i jepet edhe një mundësi e dytë. Unë mora këtë shembull, në mënyrë që të vështroni fuqishëm drejt tregut.
Në fushën e kërkimit shkencor, ne bëmë një reformë jo pa vështirësi, por e bëmë atë me qëllimin më të mirë për ju. Me reformën tonë të qarqeve akademike, ne donin të sillnim kërkimin shkencor aty ku duhet të jetë, tek ju. Në rast se nuk gjallon veprimtaria kërkimore-shkencore, e cila përbën njëkohësisht edhe shtyllën bazë të aktivitetit akademik të pedagogëve të universitetit, të formimit dhe kontributit të tyre, është shumë e vështirë të flasësh për bashkëkohësi në universitetet tona, është shumë e vështirë të flasim për përmbushje të misionit të tyre.
Së fundi, po kaq me çiltërsi unë do të shtroj me ju një problem jetik, fondamental për shoqërinë tonë dhe të ardhmen e saj, luftën kundër korrupsionit. Ne, shqiptarët duhet të jemi të bindur se nuk do të prekim kurrë të ardhmen që meritojmë pa luftën eficente kundër korrupsionit dhe unë e shtroj këtë çështje me bindjen më të thellë se gjej mirëkuptimin më të gjerë. Kur e analizoj me veten situatën apo qeverisjen aktuale në Europë dhe spektrin e tyre, unë dal në një përfundim: programet kanë shumë pak dallime, përcaktues është qëndrimi ndaj korrupsionit. Për ne, shqiptarët, me një histori pak më të veçantë, kjo është shumë jetike. Them me histori pak më të veçantë, sepse vendet e perëndimit luftën kundër korrupsionit e kanë nisur në mënyrën më serioze në vitet 1517 me Martin Luther. Martin Luther është teolog, themelues i protestantizmit, por, nga ana tjetër, ai ka meritën e jashtëzakonshme se shpëtoi qytetërimin perëndimor nga një faktor, i cili e rrënonte në mënyrën më të sigurt dhe ky faktor ishte korrupsioni. Kjo ishte e vërteta. Ne jemi në grupin e kombeve që nuk njohëm reformimin dhe me këtë dua të them se ne duhet të përballemi në mënyrën më agresive me virusin e korrupsionit. Absolutisht, asgjë nuk do të mund të realizohej pa luftën eficente kundër tij. Dua t’ju rrëfej një moment apo një mësim të eksperiencës sime, çdo çmim është i vlefshëm për të garantuar paprekshmërinë nga korrupsioni. Për të shmangur korrupsionin, ne si qeveri kemi sakrifikuar nga buxheti me dhjetëra e dhjetëra tarifa, të cilat sillnin dhjetëra milion të ardhura, por të ardhura të korruptuara. Dhe absolutisht, nuk humbëm, por fituam nga kjo. Është në detyrimin tonë, timin si Kryeministër, të ministrit të Arsimit, tuajin si rektorë, dekanë që çdo procedurë ta shqyrtoni në raport me korrupsionin. Arrini ta nxirrni katedrën, degën apo fakultetin tuaj nga praktikat korruptive, ju i keni bërë një shërbim historik jo vetëm katedrës suaj, por botës akademike shqiptare dhe vendit në tërësi. Me një sistem, ne ia dolëm të zerojmë korrupsionin në pranimet universitare, tani beteja jonë duhet të jetë për provimet. Ndaj unë ju ftoj juve, të dashur rektorë, dekanë dhe pedagogë, të adaptojmë në provime metodat më të papërshkueshme nga korrupsioni, le të jenë më të dobëta, ta supozojmë fishat që ju formuloni, por ju garantoj se do të japë një cilësi dy herë më të madhe. Nuk ka gjë më të rëndësishme, sesa kjo betejë. Ndaj ju ftoj që bashkërisht ta bëjmë me zero tolerancë këtë luftë. Nuk ka më të papranueshme, më të rëndë, sesa kërkesa që i bën pedagogu studentit për shpërblim për notën. Kur një akt të tillë e bën një polic, anëtar i Policisë Rrugore, ai kryen një krim dhe ndëshkohet e do të ndëshkohet, por kur e bën një anëtar i stafeve akademike, i elitës së kombit, kjo është tmerrësisht e rëndë. Ndaj unë ju bëj thirrje që në mënyrën më të vendosur të luftojmë këtë kancer të vërtetë.
Zoti ministër, rating-u i universiteteve është imperativ. Falënderojmë shumë Bankën Botërore, e cila është impenjuar në këtë drejtim. Rating-u do t’i japë fund një debati të pandershëm, sidomos një lloj agresioni mediatik dhe jo mediatik që bëhet ndaj universiteteve private. Universitetet publike dhe private do t’i nënshtrohen me transparencën më të madhe rating-ut, por rating-u duhet të ketë vend gjatë këtij viti.
Po e mbyll fjalën time, duke ju përshëndetur shumë përzemërsisht për të gjitha arritjet e mëdha që keni shënuar, të cilat në mënyrë absolute i japin vendit një perspektivë të re shumë të madhe. Unë jam i bindur se ju që keni shënuar këto rezultate, do të shënoni rezultate shumë më të mëdha në përpjekjet tuaja për një arsim cilësor, për një sistem arsimor bashkëkohor, një sistem i arsimit të lartë që do të formësojë më shumë se çdo faktor tjetër si të sotmen, por edhe të ardhmen e vendit.”
| Tiranë | 8 | °C | |
| Prishtinë | -1 | °C | |
| Ulqin | 0 | °C | |
| Shkup | -1 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.16 | 141.97 |
| USD | 103.15 | 107.55 |
| GPB | 162.82 | 169.77 |
| CHF | 112.55 | 117.35 |