Avioni nga Tirana ndryshon destinacionin, ulet në Bratislavë

Avioni nga Tirana ndryshon destinacionin, ulet në Bratislavë

Avioni "Boing 737" i shoqerise ajrore "Albania Airlines"i  nisur nga Tirana për në Itali ka përfunduar në Bratislavë të Sllovakisë. 
Sipas informacioneve të dhëna nga vetë pasagjerët mësohet se shkak i këtij devijimi është bërë mungesa e pagave për pilotët cekë, të cilët  kanë zgjedhur këtë formë proteste ndaj mosmarrjes së parave. 
Avioni është nisur nga Rinasi në orën 16:31 dhe pasi ka fluturuar për më shumë se 3 orë është ulur në Bratislavë. 

Pasagjerët janë në aeroport, ndërsa thonë se asnjëri nuk po i sqaron për situatën e krijuar. Sipas tyre i vetmi informacion që u është thënë bën fjalë për një defekt në avion dhe një ulje të detyruar në Sllovaki , ndërsa destinacioni ka qënë Bolonja. 
Ndërkaq kompania Albania Airlines bën të ditur përmes një komunikimi zyrtar se pilotët cekë janë paguar rregullisht, ndërsa shkak i këtij devijimi ka qenë një defekt teknik. Kompania deklaron se ka nisur një tjetër avion drejt Bratislavës për të transportuar pasagjerët drejt Bolonjës. 
Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit njofton se avioni i Tipit Boeing 737/300 me destinacion Bologna (Itali), është nisur nga Aeroporti Nënë Tereza, në orën 16:31 sipas orës lokale dhe është ulur ne aeroportin e Bratislavës – Republika Sllovake. Sipas njoftimit të ministrisë, deri ne momentin e daljes nga hapësira ajrore e Republikës së Shqipërisë, avioni ka fluturuar sipas planit te aprovuar te fluturimit nga autoritetet shqiptare me destinacion Bolonjën.
“Avioni ka 110 pasagjerë në bord., të cilët për momentin, janë akomoduar në ambientet e aeroportit te Bratislavës. Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil autorizoi Kompaninë Ajrore “Albanian Airlines Mak”, pas kërkesës se kësaj te fundit, për të organizuar një fluturim ekstra për te transportuar pasagjerët nga Aeroporti i Bratislaves ku ndodhen aktualisht për në Aeroportin e Bolonjës” thuhet ne njoftimin e MPPTT. 


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek