Liberalizimi i vizave është më se i mirëpritur nga të gjithë shqiptarët, ndërsa një buxhet i rimëkëmbur do t’i jepte Qeverisë mundësinë të fillonte një fushatë investimesh publike dhe publicitare të ngjashme me atë të pranverës së shkuar. Dhe kështu, Rama mund të humbasë bastin e dytë të madh të jetës së tij politike
Nga Eduard
Zaloshnja
Në daljen e fundit në emisionin televiziv “Top Story”,
Edi Rama, rikonfirmoi me vendosmëri se partia e tij nuk do të futet në
Parlament pa marrë garanci për hapjen e kutive të 28 qershorit. Gjithashtu, ai
sfidoi Kryeparlamentaren Topalli në lidhje me ndërprerjen e mandateve
socialiste më 7 mars, duke thënë se ato mandate PS’së ia ka dhënë populli i
majtë dhe askush tjetër. Ky qëndrim i Ramës tregon se ai duket i vendosur t’i
shkojë deri në fund bastit të ri që ka vënë pas 28 qershorit - që të bëhet
Kryeministër me zgjedhje të parakohshme.
Pas ngjarjes së Gërdecit, kur zëra opozitarë ushtronin trysni ndaj Ramës për të
kërkuar rënien e Qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ai
përgjigjej se Berishën do ta nxirrte në pension në zgjedhjet e radhës. Ai, i
bazuar ndoshta në sondazhe të brendshme, ishte tejet i bindur se do të fitonte
në qershor 2009 si ndaj Berishës, rivalit kryesor për pushtet, ashtu edhe ndaj
ish-miqve të kthyer në armiq, Metës dhe Nanos. Prandaj, ndoshta ai nuk zgjodhi
rrugën radikale të të bërit opozitë deri më 28 qershor 2009.
Por, pas zgjedhjeve Rama e kuptoi se e kishte humbur bastin që kish vënë për të
mundur njëherazi të tre rivalët e tij kryesorë. Siguracioni i vetëm që
dispononte për ta siguruar se në ekzekutimin e bastit nuk do t’i punohej ndonjë
reng, gjegjësisht, e drejta e hapjes së kutive me kërkesë të dy anëtarëve të
KQZ’së, nuk i funksionoi - shumica e djathtë në KQZ dhe Kolegji Zgjedhor e
mohuan arbitrarisht atë të drejtë.
Si rrjedhim, ai tani duket i vendosur që të mos luajë më lojë politike
xhentëlmenësh me Berishën.
Në emisionin “Top Story”, Rama jo vetëm që ritheksoi me vendosmëri mosfutjen e
PS’së në Kuvend, por telegrafoi tangencialisht edhe mospjesëmarrjen e PS’së në
zgjedhjet lokale, në rast se nuk hapen kutitë e 28 qershorit. Këto të fundit
dihet që Berisha nuk do t’i lërë të hapen...
Pra, duket se në llogaritë e Ramës kombinimi i bllokimit të reformave të mëdha
në Kuvend me mospjesëmarrjen e PS’së në zgjedhjet lokale dhe protestat
popullore do ta detyrojnë Berishën të japë dorëheqjen, për të shkuar kështu në
zgjedhje të parakohshme dhe drejt humbjes.
Në teori, ky duket një bast i arsyeshëm i Ramës. Po a është i tillë edhe në
praktikë?
Në fakt, çdo Kryeministër i një vendi me demokraci të maturuar do të jepte
dorëheqjen po të përballej me një situatë si ajo që Rama duket se do t’i
krijojë Berishës. Madje, situata nuk do të precipitonte deri në atë pikë, sepse
ose do të hapeshin kutitë me kohë, ose do të shpalleshin zgjedhje të
parakohshme më shpejt. Por, ne e dimë që demokracia shqiptare ende nuk është
maturuar - në Shqipëri nuk është realizuar asnjëherë transferimi i pushtetit në
mënyrë paqësore dy herë radhazi...
Për ironi, në shtetin shqiptar transferimi i pushtetit në mënyrë jopaqësore ka
ndodhur për herë të fundit pikërisht kur në krye të tij ishte Berisha. Në vitin
1997, ai demonstroi se mund t’i pranojë zgjedhjet e jashtëzakonshme vetëm pasi
shteti të ketë shkuar në shkatërrim të plotë dhe atij t’i kenë mbetur rreth
vetes 5 truprojat e fundit besnike.
Dhe deri më sot, Berisha nuk ka dhënë shenja se ka ndërruar mendje lidhur me
dorëheqjen apo zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Pra, gjasat janë se të gjitha veprimet e opozitës, të marra së bashku, të mos e
detyrojnë Kryeministrin të pranojë dorëheqjen dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Por, mund të jetë diçka tjetër që mund ta nxisë vetë atë të zhvillojë zgjedhje
të parakohshme.
Deri në fund të këtij viti, gjasat janë të mëdha që liberalizimi i vizave për
BE’në të jetë realizuar. Gjithashtu, kriza ekonomike përreth Shqipërisë dhe
spazmat buxhetore të qeverisë shqiptare mund të jenë zbutur ndjeshëm deri
atëherë. Në atë moment, ai, për të shmangur precedentin e zhvillimit të
zgjedhjeve lokale pa opozitën, mund ta shpërndajë Kuvendin nëpërmjet një
mocioni besimi, duke provokuar në pranverë zgjedhje të parakohshme të
administruara nga Qeveria e tij.
Në këto kushte, koalicioni i Berishës do ta kishte në favor erën elektorale.
Kjo, sepse liberalizimi i vizave është më se i mirëpritur nga të gjithë
shqiptarët, ndërsa një buxhet i rimëkëmbur do t’i jepte Qeverisë mundësinë të
fillonte një fushatë investimesh publike dhe publicitare të ngjashme me atë të
pranverës së shkuar.
Dhe kështu, Rama mund të humbasë bastin e dytë të madh të jetës së tij
politike.
| Tiranë | 2 | °C | |
| Prishtinë | -9 | °C | |
| Ulqin | -1 | °C | |
| Shkup | -9 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 135.90 | 141.67 |
| USD | 103.50 | 107.90 |
| GPB | 163.69 | 170.64 |
| CHF | 112.68 | 117.47 |